/ATSH/- Në vazhdën e debateve mbi draft strategjinë kombëtare të ujërave 2014-2033, Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) ka mbajtur të enjten tryezën e radhës në Mitrovicë, në të cilën ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit lokal dhe shoqërisë civile.

Agim Kelmendi nga QPA tha se "qëllimi i përgjithshëm i draft strategjisë kombëtare të ujërave është të sigurojë zhvillimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve ujore, të cilat janë të domosdoshme për shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin social-ekonomik të Kosovës; të sigurojë mbrojtjen e resurseve ujore nga ndotja, tejshfrytëzimi dhe keqpërdorimi; si dhe të përcaktojë strukturat insitucionale për administrimin e resurseve ujore".

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në komunën e Mitrovicës, Blerim Baruti, tha se Mitrovica është e pasur me katër lumenjë: Ibrin, Sitnicën, Lushtën dhe Trepçën, ndërsa ka edhe liqenin e Ujmanit, që po ashtu shërben edhe si burim energjie në Kosovë. Por ai theksoi se "ujërat nëntokësore nuk janë të organizuara mirë dhe se komuna me ndihmën e donatorëve është duke punuar për përmirësimin e gjendjes së ujërave në tërë komunën e Mitrovicës".

Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Planifikimit dhe Urbanizmit, Sami Zeka, tha se "komuna e Mitrovicës në planifikimin e saj hapësinor po i kushton rëndësi edhe lumenjve, me qëllim që të përmirësojë gjendjen e shtrerëve të tyre. Si problem kryesor ai identifikoi mungesën e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza".

Ambientalisti Nexhmendin Spahiu tha se "historikisht Mitrovica nuk është kujdesur sa duhet për gjendjen e ambientit". Ai në veçanti shprehu shqetësim për ndotjen e lumenjve të Mitrovicës nga plumbi dhe mbeturinat e tjera industriale, si dhe nga shkarkimi i ujërave nga KEK-u, posaçërisht në lumin Sitnica. Prandaj ai përsëriti domosdoshmërinë e trajtimit të ujërave të zeza përmes ndërtimit të impiantit.

Debati i QPA-së në Mitrovicë u mbajt në kuadër të projektit "Mbrojtja e Lumenjëve" të financuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë, përmes së cilit po mbahet një seri e debateve publike për draft strategjinë kombëtare të ujërave 2014-2033 të hartuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nëpër komunat që kanë probleme më të mëdha me gjendjen e lumenjëve të tyre, para se strategjia të finalizohet dhe të shkojë për aprovim në Kuvend.