Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza ka reaguar sot ndaj lajmeve që qarkulluan në media, sipas të cilave pacientët që vuajnë nga kanceri, prej 3 ditësh nuk po kryejnë dot trajtimet me rreze në spitalin Onkologjik, për shkak të mosfunksionimit të akseleratorëve në Njësinë e Radioterapisë.
Në një njoftim për pacientët, QSUT sqaron çfarë ndodhi me defektet në Njësinë e Radioterapisë dhe ndërhyrjet teknike që u deshën për funksionimin e pajisjeve.
Sipas QSUT-së, gjatë ditës së sotme një nga pajisjet e radioterapisë, akseleratori linear LINAC 1, ka shfaqur një problem teknik. Menjëherë pas konstatimit të defektit, stafi ka njoftuar shërbimin e mirëmbajtjes dhe është ndërhyrë pa vonesë nga teknikët përkatës.
Pas riparimit dhe zëvendësimit të një pjese, pajisja është kontrolluar dhe testuar për siguri, duke u rikthyer në funksion për trajtimin e pacientëve.
"Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” informon pacientët, se në Njësinë e Radioterapisë, akseleratori linear, LINAC 1, ka shfaqur një problematikë në sistem ditën e sotme ku menjëherë pas njoftimit nga stafi është kërkuar asistenca e teknikëve të mirëmbajtjes. Pas ndërhyrjes teknike të kryer nga inxhinierët dhe zëvendësimit të një komponenti të akseleratorit, u realizuan të gjitha verifikimet mekanike dhe dozimetrike, si dhe kalibrimet përkatëse. Këto procese u kryen me qëllim sigurimin e funksionimit të pajisjes në përputhje me standardet e kërkuara të sigurisë dhe cilësisë për trajtimin e pacientëve.Ndërkohë, edhe akseleratori LINAC 2 është në funksion të plotë, pas ndërhyrjes së ekpertëve për defektin teknik në derën e bunkerit në të cilën kjo pajisje ndodhet.
Spitali thekson se aktualisht të dy akseleratorët janë në punë dhe trajtimet me rreze po kryhen normalisht, pa ndërprerje për pacientët e Shërbimit Onkologjik.
Aktualisht të dy akseleratorët linearë janë në funksion dhe punojnë me kapacitete të plota për te ofruar trajtimet ndaj pacienteve.Pacientët e Shërbimit Onkologjik informohen rregullisht për përditësimet në shërbim duke koordinuar me stafin mjekësor realizimin e terapive sipas gjithë protokolleve" thuhet në njoftimin e QSUT-së
QSUT shton se pacientët informohen vazhdimisht për çdo përditësim dhe terapitë realizohen në bashkëpunim me stafin mjekësor, sipas protokolleve të përcaktuara.
Komente












