Deri më tani, asnjë person nuk i është drejtuar Shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT për të kryer terapi hormonale me qëllim përshtatjen e karakteristikave fizike me identitetin gjinor, që jo detyrimisht përputhet me seksin biologjik.

Shefi i Endokrinologjisë pranë QSUT-së, Agron Ylli, tha se gjatë periudhës maj-qershor nuk është paraqitur asnjë rast që të ketë kërkuar këtë trajtim.

“Aktualisht nuk ka asnjë persona që ka ardhur për trajtim me referencë nga mjeku i familjes për të vazhduar trajtimin hormonal. Endokronologjia mbetet e hapur”, tha Ylli.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë sqaroi edhe një herë se udhëzuesi për trajtimin hormonal u referohet vetëm personave madhorë dhe aktualisht nuk parashikon rimbursimin apo financimin e barnave hormonale nga shteti.

“Mbas vlerësimit të agjencisë së akreditimit dhe cilësisë, sigurisht udhëzimi ju bashkëngjit më pas. E sa flitet për consent-it për adultin, rekomandimi është për moshën adulte mbi 18 vjeç, duke rekomanduar dhe duke zbatuar legjislacionin shqiptar në Republikën e Shqipërisë. Terapia do të gjykohet nëse do jetë një kosto individuale e individit apo ajo nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Eugena Tomini, zv.ministre.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky udhëzues është hartuar në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe për përafrimin e praktikave me standardet ndërkombëtare.