TIRANE- Rreth 18% e vdekjeve të fëmijëve nën moshën 5 vjeç në vend, janë si pasojë e mos ushqyerjes me qumësht gjiri. Përfaqësuesi i UNICEF në vendin tonë deklaron se Ministria e Shëndetësisë duhet të ndalojë praktikat që nxisin përdorimin e qumështit artificial. Ndërkohë që ka dalë një raport më i fundit i UNICEF, i cili në vend tregon se ka shkelje në etiketat e formulave foshnjore, ambalazhimin e tyre, ndërkohë që në kutitë e qumështit mungojnë përkthimet apo ato nxisin ushqyerjen artificiale. “Mungesa e ushqyerjes me gji kushton mijëra jetë. Në Shqipëri mosushqyerja me qumësht gjiri kushton rreth 4.8 milionë dollarë.

Rreth 30% e vdekjeve tek fëmijët e moshës nën 5 vjeç lidhet me kequshqyerjen dhe 18% e tyre vijnë si pasojë e mosushqyerjes me qumësht gjiri” tha Detelf Palm, përfaqësues i UNICEF në vendin tonë. Gjatë prezantimit të raportit ishte e pranishme edhe zv.ministrja e Shëndetësisë Milva Ikonomi e cila tha se qëllimi i studimit nuk është të penalizojë firmat që prodhojnë ushqim artificial për foshnjat, por të ndalojë praktikat antiligjore të tregtimit të tyre dhe që minojnë besimin që nënat kanë tek qumështi i tyre.

“Do të monitorohet shumë nga afër roli “zbutës” i agresivitetit në treg të zëvendësuesve, nëpërmjet inspektoratit të shëndetit që po ndërtohet dhe që po vihet në funksionimet e tyre të qarta dhe që në mënyrë të vazhdueshme do të vijmë drejt publikut për të dhënë nga këto rezultate siç këto që po dëgjoni sot”, tha Milva Ikonomi. Një nga të dhënat e raportit tregon se materialet promocionale të kompanive vazhdojnë të jenë në qarkullim pa kaluar në filtrat e kontrollit. Ato shkelin ligjin, duke nxitur ushqyerjen artificiale si në institucionet publike shëndetësore dhe ato private.

Shkrimi u publikua sot (12.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)