"Drejtësia", BE: Keqardhje që Basha
refuzoi propozimin për kompromis

"Drejtësia", BE: Keqardhje që Basha<br />refuzoi propozimin për kompromis
Pas Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar pas refuzimit nga opozita të propozimit për konsensusin e reformës në drejtësi. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, BE thekson se propozimi aktual parashikon monitorim të fuqishëm nga ndërkombëtarët të procesit të vettingut. 

"Na vjen keq që lidershipi i Partisë Demokratike e refuzoi propozimin për kompromis", thuhet në deklaratën e BE. 

"Propozimi aktual për kompromis reflekton pozicionin tonë të qartë që komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë monitorim të fuqishëm për të garantuar besueshmërinë e procesit, përfshirë pre-vetingun e anëtarëve të organeve të vetingut, duke dhënë, sipas rastit, rekomandime negative", thuhet në deklaratën e BE.

Duke iu përgjigjur komenteve të kryetarit demokrat, Lulzim Basha se vendimmarrja e ekspertëve të SHBA dhe BE në vetting cenon sovranitetin, BE sqaron "komuniteti ndërkombëtar nuk ka sugjeruar kurrë pasjen e ndonjë pushteti ekzekutiv, meqë është thelbësore që autoritetet shqiptare të ruajnë zotërimin e plotë".

Deklarata e plotë e BE:
"Deklaratë e Delegacionit të BE-së në Shqipëri: Na vjen keq që lidershipi i Partisë Demokratike e refuzoi propozimin për kompromis.

Besueshmëria e reformës në drejtësi varet përgjithësisht nga besueshmëria e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për ta garantuar këtë, një rol i kufizuar specifik i komunitetit ndërkombëtar përmes Operacionit Ndërkombëtar Monitorues është thelbësor.

Kjo përputhet plotësisht me Opinionin e Komisionit të Venecias që e parashikon këtë rol për Operacionin Ndërkombëtar Monitorues.

Propozimi aktual për kompromis reflekton pozicionin tonë të qartë që komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë monitorim të fuqishëm për të garantuar besueshmërinë e procesit, përfshirë pre-vetingun e anëtarëve të organeve të vetingut, duke dhënë, sipas rastit, rekomandime negative.

Komuniteti ndërkombëtar nuk ka sugjeruar kurrë pasjen e ndonjë pushteti ekzekutiv, meqë është thelbësore që autoritetet shqiptare të ruajnë zotërimin e plotë.

Tani negociatat duhet të mbërrijnë në një konkluzion pozitiv. Kjo do të diskutohet gjithashtu nga Zëvendës Sekretaria e Përgjithshme e Shërbimit Evropian të Aksionit të Jashtëm, Helga Schmid, gjatë vizitës së saj në Shqipëri sot dhe nesër".


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Samanta Karavella shtatzënë?

VIDEO/ Samanta Karavella shtatzënë?