SPECIALE/ Braktiset fshati i UÇK-së në Shqipëri, Cahani i shpallur ndër 100 fshatrat turistikë ka mbetur me 4 familje

Është një fshat në verilindje të Shqipërisë ku tregohen histori të vërteta trimërie, njihet për burimet natyrore gjeologjike si kromi, hekurnikeli dhe bakri. Vendbanim që nga antikiteti. Ky është fshati Cahan.

Renditja në listën e 100 fshatrave turistikë nuk e ndryshoi fatin e jetës së banorëve të Cahanit. Mungesa e një rruge ka bërë që ta braktisin pothuajse të gjithë.

Sapo mbërrin në destinacion përballesh me ndjesinë e një vendi të harruar. Adriatik Cahani prej dy vjetësh është rikthyer në fshatin e lindjes dhe bashkë me vëllain ka ngritur edhe një baxho për përpunimin e produkteve të qumështit.

Ai tregon se nga rreth 45 shtëpi të banuara që kishte më parë, tani kanë mbetur vetëm katër shtëpi dhe një nga arsyet e largimit është rruga e paasfaltuar që nis në dalje të qytetit të Krumës.

Është i vendosur në një pozicion të favorshëm gjeografik, konkretisht në aksin e rrugës qendër Krumë (bashkia Has) – Gjonaj (Komuna Prizrenit – Kosovë) gjë që bën te mundur komunikimin mes zonave. Në afërsi të fshatit Cahan, ndodhen Maja e Qytezës në bjeshkën e Krumës. Përfaqëson një maje gëlqerori mbi territorin përreth. Aty janë gjetur mbetje të një vendbanimi human të vjetër. Në afërsi të fshatit Cahan, ndodhet Shpella e Dajçit, rreth 10 km në lindje të Krumës Ka qenë e banuar qysh në epokën e bronzit, hekurit dhe deri në antikitet. Këtë e dëshmojnë objektet e zbuluara në shpellë si: shpata, thika, qeramika.

Në vitet ‘90, fshati Cahan në Bashkinë Has ishte shndërruar në bazë kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qindra ushtarë pasi trajnoheshin në këtë zonë, niseshin për në Kosovë. Gjithçka ka mbetur nga ajo pjesë e historisë janë dy ish-objektet e repartit ushtarak të këmbësorisë së ushtrisë shqiptare, që shërbenin si bazë e UÇK-së të hetuara edhe nga Gjykata Speciale.

Në mëngjesin e acartë të 13 dhjetorit,1998, nga fshati malor Cahan në Shqipëri u nisën drejt Kosovës 143 ushtarë që po bartnin armatim të rëndë për ta mbështetur luftën çlirimtare në Kosovë. Nëpër bjeshkët e larta të Pashtrikut, e dëborën e madhe, atyre po u printe Mujë Krasniqi, apo siç e quanin bashkëluftëtarët Komandant ‘Kapuçi”. Edhe pse kishte fjalë që forcat serbe kishin zënë pozicione, Muja dhe bashkëluftëtarët tashmë kishin vendosur ta luftojnë okupatorin serb kudo që e hasin. Kjo ndodhi në mëngjesin e hershëm të datës 14 dhjetor, ku në relacionin Lkenet e Hasit-Gorozhup filloi ajo që tani quhet Beteja e Lavdishme e Pashtrikut. Pas luftimeve të gjata heroikisht ranë Mujë Krasniqi dhe 41 luftëtarë të tjerë të lirisë. Banorët e këtij fshati të vogël malor, kanë vuajtur pasojat e luftës, më saktë pasojat e bombardimeve të ushtrisë serbe në atë kohë.

Sot kjo ish-bazë e UÇK-së duket e harruar pothuajse nga të gjithë, përveç disa të huajve të cilët kanë arritur ta zbulojnë nga informacionet që gjenden tek-tuk nëpër internet apo nëpërmjet historive që tregojnë miqtë e tyre eksploratorë dhe studiues.

Kushdo që e viziton këtë fshat nuk kalon pa u ndalur të kroi dhe vendpushimi i ngritur në kujtim të një nga betejave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur si Operacioni “Shigjeta”.

Shtegu i Lirisë së Pashtrikut është një tjetër rrugë e njohur që përshkon një gjatësi prej 27 km, për të kaluar nga Kruma në Cahan, nga Stanet e Pashtrikut deri te Likenet e Hasit, aty ku 26 vjet më parë ranë dëshmorë 42 ushtarë të UÇK-së, duke bërë transportimin e armatimeve nga Shqipëria në Kosovë.

 “Shtegu i Lirisë - Pashtriku” tashmë shërben si destinacion për motoçiklistët dhe për ecje të bjeshkatarëve, duke përjetuar bukurinë natyrore të maleve.

Për t’u njohur me gjithçka thamë e për t’i vizituar vendet që përshkruam është e vështirë për shkak të rrugës që ka mbetur e njëjtë që nga koha e jetesës në sistemin komunist, tregojnë vetë banorët.

Para viteve ‘90 fshati ka qenë i njohur për prodhimet e shumta bujqësore sidomos patatet e cilësisë së lartë dhe mbarështimin e bagëtive me mbi 20 mijë krerë.

Në Cahan banorët ishin edhe mbarështues të bagëtive. Sipas krye bashkiakut të Hasit, cilësia e mishit dhe produkteve bujqësore konkurronte me vende edhe jashtë Shqipërisë.

Sot kjo zonë është e shpopulluar. Nga mbarështimi i mbi 20 mijë krerëve bagëti në të shkuarën, sot mbarështohen në afro dy mijë krerë bagëti pasi në Cahan e zonat përreth kanë mbetur më pak se 15 familje. Që ky fshat t’i rikthehet normalitetit ka nevojë për rrugë, vënë në dukje banorët dhe krye bashkiaku i Hasit.

Ka filluar hartimi i projektit të rrugës që lidhë fshatrat kufitare të zonës së Hasit, ku nëpërmjet bjeshkës së Pashtrikut do të lidhen Gorozhupi-Kishaj- Cahani. Rruga do të sjellë zhvillimin e zonës së Hasit, përfshirë edhe turizimin, do të mundësojë shkurtimin e distancës së udhëtimit nga Kruma në Prizren.

Në momentin që rruga përfundon, banorët e Cahanit mbërrijnë për 35 minuta në Prizren, ndërkohë që sot u duhet afro dy orë.

E nëse investohet në asfaltimin e rrugës drejtuesit e mjeteve që pothuajse çdo ditë e përshkojnë këtë rrugë thonë se edhe ata kanë emigruar, mund të rikthehen në fshat e madje të investojnë në turizëm.

Po përse Cahan është zgjedhur ndër 100 fshatrat turistikë të Shqipërisë?

“Në një m2 mund të gjesh edhe 20 lloje lulesh, njihet për bimët e shumta medicinale.”tregon kryebashkiaku i Hasit ndër të tjera.

Mali i Pashtrikut 1988m mbi nivelin e detit është pjesë e Maleve të Hasit. Ai është shndërruar në destinacion tërheqës për të pasionuarit e turizmit të natyrës. Shtrihet që nga Lugina e Drinit të Bardhë, e cila e ndan nga Mali i Koritnikut, deri në Kosovë, në zonën që quhet dhe Hasi i Prizrenit. Nga maja e Pashtrikut mund të shohësh gati çdo majë që ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë, apo dhe Malet e Sharrit që shtihen që nga Kosova deri në Maqedoni, qytetin e Hasit dhe të Kukësit, Prizrenin, një pjesë të  Kosovës, Gjallicën, Koritnikun, Korabin, dhe pjesë të Alpeve Shqiptare në zonën e Tropojës.

Çdo vit në muajin gusht zhvillohet edhe Pelegrinazhi tek varri i Sari Salltikut në majën e Pashtrikut. Ky pelegrinazh tre javor, që nis më 1 dhe përfundon më 21 gusht të secilit vit, i përkushtohet nderimit të figurës së shenjtorit, Shkëlqesisë së Tij Sari Salltik Babës, në këtë vendpushim që është njëri prej më të rëndësishmëve ndër 72 vendpushimet e tij në territoret ballkanike. Banorët besojnë se gurët e Pashtrikut shërojnë sterilitetin femëror e mashkullor.

Të gjitha këto e bëjnë fshatin Cahan të vizitueshëm edhe në kushtet e mungesës së një rruge. Prandaj për banorët është i domosdoshëm ndërtimi i saj, madje me të gjitha parametrat e duhura.

Një rrugë e aksesueshme nga të gjithë, për banorët e Cahan do të thotë rikthim dhe zhvillim dhe jo shpopullim dhe braktisje siç po ndodh aktualisht me fshatin turistik.

SI.E./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • turi: 29/09/2024 11:30

    jan bo tirons tani nuk kthehen me ne cahan... rroft tirana jon

    Përgjigju
    • Or tej: 29/09/2024 13:36

      Shpresojme qe te popullohet nga turistet or teeeejjjjj

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit