TIRANË - Raporti i analizës për reformën në sistemin e drejtësisë, një vend të konsiderueshëm i ka kushtuar  korrupsionit tek gjyqtarët dhe prokurorët. Madje, jo vetëm sa i takon ryshfetit që ata marrin për një vendim gjykate të lehtësuar, por edhe për ryshfetin që paguajnë për tu transferuar në vende pune të rëndësishme.
 
Në raportin analitik është përfshirë perceptimi i opinionit publik, por edhe i njerëzve pranë sistemit të drejtësisë lidhur me format e korrupsionit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Opinioni i  gjerë publik beson, dhe disa vëzhgues të afërt të sektorit, pohojnë se disa prokurorë dhe gjyqtarë  paguajnë për t’u emëruar ose transferuar në vende pune të rëndësishme fitimprurëse sipas logjikës së  korrupsionit) si p.sh. në Tiranë apo qytete të tjera të rëndësishme.
 
Duke qenë se shifrat që thuhet se  paguhen për këto pozicione janë marramendëse (100.000 deri 300.000 euro për disa pozicione), është e  natyrshme të besohet se këta funksionarë të drejtësisë do të korruptohen për t’i rimarrë (dhe mundësisht shumëfishuar) ato”, thuhet në draftin e analizës së reformës në drejtësi. Vlen të veçohet perceptimi në lidhje me shifrat që duket se paguhen për të ndryshuar masën e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpie ose detyrim për paraqitje (60.000 - 80.000 euro), shumë e cila iu paguhet gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)