"Institucionet jo në fushatë"
KVV vlerëson urdhrin e Ramës

"Institucionet jo në fushatë"<br />KVV vlerëson urdhrin e Ramës
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë vlerëson urdhrin e Kryeministrit Rama për ndalim të vënies së mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme publike, në përdorim të subjekteve zgjedhore për Zgjedhjet e Organeve të Pushtetit Vendor të datës 21 Qershor 2015.

Në anë tjetër KVV i tërheq vëmendjen Prokurorit të Përgjithshëm, që të nxisë dhe udhëzojë prokurorët, që të vlerësojnë me seriozitetin maksimal çdo shfaqje të veprave penale lidhur me zgjedhjet, si dhe të vihen në lëvizje ndaj çdo denoncimi publik që mund të transmetohet në media veçanërisht gjatë fushatës elektorale (por jo vetëm atëherë),  pasi legjislacioni shqiptar është i mjaftueshëm për të dënuar çdo shfaqje që imponon apo rrezikon vullnetin e zgjedhësve.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shpreh kështu përmes një deklarate për mediat konsideratat e tij në lidhje me disa aspekte që duhen marrë parasysh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe aktorëve politikë në procesin zgjedhor.

KVV deklaron se është e paligjshme zhvillimi i parakohshëm i fushatës prej kandidatëve dhe mbështetja për ta nga zyrtarë të lartë të qeverisë, bashkive apo deputetëve të kuvendit.

Ndërkaq KVV u ka bërë thirrje partive politike të respektojnë rigorozisht afatin e përcaktuar në Kodin Zgjedhor për kryerjen e fushatës elektorale prej datës 22 Maj deri më datën 19 Qershor 2015.

“Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë përgëzon dhe mbështet fort Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me deklarimin e bërë publik dje se KQZ angazhohet të ushtrojë në mënyrë të plotë kompetencat që i jep ligji, duke marrë masa ndaj subjekteve elektorale, nëse ato do të kryejnë fushatë elektorale përpara datës së fillimit zyrtar të saj, si edhe ndaj mediave nëse ato do të transmetojnë këto fushata përpara datës 22 maj, kur edhe fillon zyrtarisht periudha e fushatës elektorale”, shkruhet në deklaratë.
 
E rëndësishme për Koalicionin është zbatimi i ligjit “Për Nëpunësin Civil” duke theksuar se të gjithë kandidatët të cilët mbajnë poste apo janë nëpunës civil dhe kandidojnë për kryetar bashkie apo anëtarë të këshillave bashkiakë, duhet të japin dorëheqjen nga postet e tyre ose së paku të kërkojnë pezullimin nga detyra që mbajnë.

Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

50 medikamente të reja për sëmundjet onkologjike, Koçiu: Shtim të numrit të fishave të diabetit falas

50 medikamente të reja për sëmundjet onkologjike, Koçiu: Shtim të numrit të fishave të diabetit falas