"Kjo nuk është drita jeshile për
anëtarësim në BE, duhen reforma"

"Kjo nuk është drita jeshile për<br />anëtarësim në BE, duhen reforma"
Bashkimi Europian e vendosi të martën Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit, duke i dhënë vendit të vogël ballkanik statusin e kandidatit për anëtarësim, duke njohur kështu reformat e fundit, por duke paralajmëruar qeverinë se progresi është i kushtëzuar nga përpjekjet e mëtejshme.
 
Vite të tëra polarizimi politik ngadalësuan reformat demokratike në Shqipëri dhe e mbajtën atë pas vendeve të tjera të rajonit, siç janë vendet e ish-Jugosllavisë. Por ndryshimi i qeverisë në shtatorin e shkuar i hapi rrugën çuarjes përpara të reformave të mbështetura nga BE.
“Urime për marrjen e statusit të vendit kandidat”, tha komisioni për Zgjerimin në BE Stefan Fyle, nëpërmjet një postimi në “Twitter”. “Kjo është një njohje e reformave, inkurajim për të vijuar më tej”.
 
Vendimi, që duhet të konfirmohet nga liderët e BE në samitin e Brukselit të premten, ishte një hap i madh për zgjerimin e BE, që kur zgjedhjet europiane të majit panë se si disa parti euroskeptike performuan mirë, një zhvillim që mund të ngadalësojë më tej zgjerimin e bllokut me 28 vende.
 
Një vend anëtar i NATO-s me rreth 3 milionë banorë, Shqipëria duhet të plotësojë të tjera kushte e reforma për të nisur negociatat, një proces i gjatë që synon të sjellë ligjet e vendit kandidat në përputhje me standardet e BE dhe që mund të kërkojë shumë vite.
 
Gjithashtu vendi do përballet me ngurrimin e shumë vendeve të BE, kjo e nxitur edhe nga shqetësimet për kostot ekonomike, euroskepticizmin në rritje dhe zhgënjimin me progresin demokratik në anëtarët më të fundit të BE, Rumani e Bullgari.
 
Njësoj si në këto dy vende të Ballkanit, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë një problem i madh edhe në Shqipëri. Duke nënvizuar nevojën për kujdes në BE, Sekretari i Shtetit për Europën në Gjermani, Michael Roth tha se bashkimi me BE-në nuk është automatik.
 
“Shqipëria ka bërë njëfarë progresi në luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e ligjit. Por ka një pritshmëri të qartë. Pa struktura demokratike, pa një gjyqësor të pavarur dhe pa luftë kundër korrupsionit, nuk ka anëtarësim në BE,” u tha ai gazetarëve përpara se ministrat e BE të merrnin vendimin në Luksemburg.
 
Kjo s’është drita jeshile
 
“Kjo nuk është drita jeshile për anëtarësim,” tha një diplomat nga një shtet i BE. “Shqipëria duhet të bëjë reforma të mëdha nëse do të ecë përpara”.
 
Holanda, Britania, Gjermania, Franca, Çekia dhe Spanja ishin mes shteteve me qëndrimin më të ashpër në kërkim të reformave nga Shqipëria, tha një zyrtar i BE.
 
Në një deklaratë, BE tha se Shqipëria duhet të adresojë çështje të tilla si përdorimi i dokumenteve të falsifikuara, pastrimi i parave, kultivimi i drogës dhe trafiku i qenieve njerëzore.
 
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se me vendimin e BE-së, Shqipëria ka rifituar dinjitetin e humbur në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.
 
"Nuk ishte një punë e lehtë, Evropa nuk është një derë që hapet lehtë. Pas zgjedhjeve (evropiane), gjërat mund të kenë shkuar në një drejtim tjetër. Arsyeja pse unë u jam mirënjohës liderëve evropianë ... është se mbajtën në këmbë projektin e Evropës”, u tha ai gazetarëve në kryeqytetin shqiptar në Tiranë.
 
Një mosmarrëveshje mes Çekisë dhe Shqipërisë, që kishte kërcënuar për të mbajtur pezull statusin kandidat, u zgjidh të martën kur kompania çeke CEZ tha se do marrë 100 milionë euro.
 
Kryeministri çek Bohuslav Sobotka tha se përpara se Shqipëria të mund të avancojë më tej në bisedimet e hyrjes në BE, ajo duhet të rregullojë problemet në fushat e mbrojtjes së lirive themelore të sindikatave, mbrojtjen e investimeve, dhe të drejtat e shteteve.
 
Duke qenë në dikatura për disa vite, Shqipëria nuk u përfshi në luftrat ku u gjendën fqinjët e saj veriorë në vitet1990, por tranzicioni kaotik i kapitalizmit bëri që vendi të zhytet në varfëri dhe korrupsion.
 
Shqipëria është kështu një tjetër vend i Ballkanit Perëndimor, që i bashkohet Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë si kandidate zyrtare për anëtarësim. Kroacia dhe Sllovenia janë bashkuar tashmë me bllokun, dhe Serbia dhe Mali i Zi të dy kanë filluar bisedimet për pranim.
 
Rasti i Maqedonisë është mbajtur “peng: për disa vite për shkak të çështjes së emrit. Bosnja dhe Kosova janë ende në hapat e përpjekjeve për t’iu dhënë statusi i vendit kandidat.
 
Marrë nga "Reuters", nga Justyna Pawlak

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç