"Kurajoja për të krijuar"

"Kurajoja për të krijuar"
Mirëmbrëma,

Ky është një takim fort i vështirë për mua. Flas anglisht, por e zotëroj gjuhën angleze po aq mirë sa ç'e zotërojnë bankierët ekonominë globale.

Jam i huaj këtu, vizitor i një vendi të dyndur nga probleme thuajse mbytëse për t'u vështruar. Dhe po, sikur të mos mjaftonte kjo, jam dhe politikan në një kohë kur ky profesion ngjan si dy pika uji me atë të një shitësi makinash të përdorura.

Nejse, të jesh politikan s'është sidoqoftë gjithnjë kaq e rëndë. Po të isha Barack Obama, ju do të ishit të ekzaltuar apo jo? Hë pra, pranojeni. Ai është karizmatik në çdo pore, dhe është lideri i një vendi kaq të fuqishëm sa vendimet e tij ndikojnë mbi të gjithë ne, jo vetëm mbi amerikanët. Po do të kishit qenë të ekzaltuar edhe po isha Angela Merkel. Ajo mund të mos ketë karizmën e tij, por ka pushtet të vërtetë si lider i vendit më të madh të Europës dhe të gjithë ju këtu e keni idenë e kësaj apo jo? Dhe po të isha François Hollande ju do të ishit të ekzaltuar sepse ai është njeriu i momentit.

Pra, vendi nga jemi është një faktor tejet përcaktues në jetën tonë. A shihni ndonjëherë futboll dhe mendoni, për shembull, sa ndryshe do të kishte Lionel Messi dhe jeta e Lionel Messit sikur të ishte nga Luksemburgu e jo nga Argjentina? Apo sikur Pele-ja të ishte nga Kosova ose Maradona nga Kreta? Ose sikur Churchill-i, ose Lincoln-i, ose Napoleon-i të ishin nga Groenlanda...

Unë jam nga Shqipëria. S'është Groenlanda, po nuk është SHBA, as Gjermania, as Franca. Dhe unë jam në opozitë, jo në qeveri.

Kështu që po, e di, e di çfarë kanë menduar shumë nga ju kur një miku juaj ju ka telefonuar për t'ju thënë: "Ej do të vish në TEDx të dëgjosh këtë tipin, Edi Ramën, duke folur?"

"Edi kë?!"

"Edi Rama është lideri i opozitës shqiptare"

"Oh vërtet..."

"Është socialist!"

"Ahh po, sa ekzaltuese!"

Po gjithësesi mund të ishte edhe më keq... Unë mund të kisha qenë lideri i PASOK-ut.

Por shpresoj që ajo që kam për të thënë t' ia vlejë të dëgjohen, sepse në këtë kohë cinizmi dua të flas në mbrojtje të politikës.

Në jetën time të mëparshme isha artist. Vazhdoj të pikturoj. E dashuroj artin. E dua gëzimin që ngjyrat mund të sjellin në jetën tonë dhe në jetën e komuniteteve tona. Dhe përpiqem të sjell në politikë diçka prej artistit brenda meje.

Politika në vetvete nuk është e mërzitshme. Nuk është pa kuptim. Apo pa qëllim. E unë e shoh si pjesë të punës sime sonte, arsyeja pse jam këtu, nuk është thjesht për të bërë fushatë për partinë time, po për politikën e për rolin që ajo mund të luajë për mirë në jetën tonë.

Unë kam qenë për 11 vjet Kryetar i Bashkisë së Tiranës, kryeqytetit tonë. U përballëm me shumë sfida dhe arti ishte pjesë e përgjigjes. Dhe në fillim fare, emri im u lidh me dy gjëra: shembjen e ndërtimeve të paligjshme për të rifituar hapësirën publike dhe përdorimin e ngjyrave për të rikthyer shpresën që kishte humbur në qytetin tim. Por përdorimi i ngjyrave nuk ishte thjesht një gjest artistik. Por ishte një formë e aksionit politik në kushtet kur buxheti i qytetit që kisha në dispozicion pasi u zgjodha shkonte deri në zero pikë diçka.

Kur ne ngjyrosëm godinën e parë, duke hedhur një portokalli rrezatuese mbi grinë e zymtë të një fasade të njërës prej rrugëve hyrëse në Tiranë, ndodhi diçka e paimagjinueshme. Pati një bllokim trafiku dhe u mblodh një turmë njerëzish a thua se ishte vendngjarja e një aksidenti spektakolar apo kishin parë papritur ndonjë yll të muzikës pop.

Zyrtari francez i Bashkimit Europian, që ishte përgjegjës për fondet, nxitoi të bllokonte lyerjen. M'u hakërrye se do të bllokonte financimin.

"Po pse?" e pyeta unë.

"Sepse ngjyrat që ke zgjedhur janë jashtë standardeve europiane," m'u përgjigj.

"Po mirë," i thashë, "rretherrotull jemi ende jashtë standardeve europiane edhe pse kjo nuk është ajo që duam, por ngjyrat do t'i zgjedhim vetë sepse kjo është pikërisht ajo që duam. E nëse ju nuk do të na lini të vazhdojmë punën, unë do të bëj një konferencë për shtyp, këtu, në këtë moment dhe në këtë rrugë, e do t'u them njerëzve që më dukeni si censorët e epokës së Realizmit Socialist."

Pas kësaj ai u shqetësua disi dhe më kërkoi të bënim kompromis. Por i tashë jo, më vjen keq, por kompromisi mes ngjyrave është gri. Dhe kemi mjaftueshëm gri sa të na zgjasë për një jetë të tërë. Është koha për ndryshim.

Rikthimi i hapësirave publike ringjalli edhe ndjenjën e përkatësisë ndaj qytetit që njerëzit e kishin humbur, krenarinë e njerëzve për vendin ku jetonin. e të krenarisë për qytetin. Ishin ndjenja që ishin varros thellë prej vitesh nën furinë barabare të ndërtimeve të paligjshme që kishin mbirë mbi hapësirën publike.

Dhe kur u shfaqën ngjyrat që binin në sy kudo, një frymë ndryshimi filloi të ndryshonte shpirtin e njerëzve. Por pati po ashtu shumë zhurmë: çfarë është kjo? Çfarë po ndodh? Ç' po na bëjnë këto ngjyra? Pra, kurajoja për të krijuar u pengua disi nga një lloj dyshimi: a mos po e djeg vallë kaq shpejt mandatin tim me këto ngjyra? Dhe organizuam një sondazh, sondazhin më mahnitës që kam parë në jetën time. I pyetëm njerëzit " A e doni këtë aksion dhe ngjyrosjen e ndërtesave në këtë mënyrë? Kurse pyetja e dytë ishte: "A doni që ta ndërpresim apo që ta vazhdojmë?"

Pyetjes së parë, 63 për qind e njerzve iu përgjigjën "Po, na pëlqen." 37 për qind thanë "Jo, nuk na pëlqen." Por në pyetjen e dytë, gjysma e atyre që nuk iu pëlqente donin që kjo të vazhdonte.

Ne e vumë re ndryshimin. Për shembull, njerëzit filluan të hidhnin më pak mbeturina në rrugë. Filluan të paguanin taksat. Filluan të ndjenin diçka që e kishin harruar. Dhe bukuria po funksiononte si një rojë aty ku mungonte Policia Bashkiake apo vetë shteti.

Më kujtohet një ditë, duke kaluar në një rrugë të sapongjyrosur dhe ku po mbillnim pemë pashë një dyqanxhi që bashkë me gruan po vendosnin një fasadë xhami në dyqanin e tyre. Qepenat e vjetër i kishin hedhur në vendndodhjen e mbeturinave.
"Pse i hodhe qepenat?" e pyeta.

"Sepse rruga është e sigurtë tani," m'u përgjigj.

"Më e sigurt? Pse? Kanë vendosur më shumë policë?"

"Jo mor vëlla, çfarë policësh, po shikoje vetë. Ka ngjyra, ndriçim, trotuar i ri pa gropa, pemë. Është e bukur. Është e sigurt."

Dhe me tërë mend ishte bukuria që u jepte njerëzve ndjesinë se ishin të mbrojtur, madje edhe nga keqbërësit. E nuk ishin aspak një ndjesi e gabuar: Kriminaliteti u ul.

Liria e fituar në 1990 solli anarki në qytet, barbaria e viteve '90 solli humbje të shpresës në qytet. Ngjyrosja e mureve nuk ushqente fëmijët, nuk kujdesej për të sëmurët dhe as nuk edukonte të paditurit. Por ajo krijoi shpresë dhe dritë. Ajo i ndihmoi njerëzit të shikonin se kishte edhe një mënyrë tjetër për të bërë gjërat, një frymë tjetër, një ndjesi tjetër në jetën tonë dhe nëse sjellim të njëjtën energji dhe shpresë në politikë, ne mund të ndërtojmë një jetë më të mirë për njëri tjetrin dhe vendin tonë.

Ne hoqëm 123 mijë tonë beton vetëm nga shtrati i lumit, shembëm 5000 ndërtime të paligjshme anembanë qytetit. Më të lartat prej tyre arrinin deri në tetë kate. Mbollëm 55 mijë pemë dhe shkurre dekorative. Vendosëm një taksë të gjelbër dhe të gjithë e pranuan dhe të gjithë bizneset e paguanin rregullisht. Përmes konkurseve të hapura rekrutuam në administratë shumë njerëz të rinj dhe arritëm të ndërtojmë një institucion publik të depolitizuar, ku ishin të përfaqësuar në mënyrë të barabartë burrat dhe gratë.

Por kjo ndihmoi edhe kundër korrupsionit.

Insitucionet ndërkombwtare kanw investuar shumë në Shqipëri gjatë këtyre 20 vjetëve, por jo të gjitha këto para janë shpenzuar siç duhet. Kur i thashë drejtorëve të Bankës Botwrore se doja që të financonin një projekt për të ndërtuar një sallë model pritjeje për qytetarët pikërisht për të luftuar korrupsion e përditshëm, s' më kuptuan.

Por njerëzit prisnin në një radhë të gjatw nën shi e diell për të marrë një çertifikatë a një përgjigje të thjeshtë në dy dritaret e vockla të dy kioskave prej teneqeje. Paguanin për të kapërcyer radhën e gjatë. Kërkesa e tyre varej nga një zë që vinte prej dritares së errët dhe nga një dorë misterioze që zgjatej për të tërhequr dokumentat, ndërkohë që kërkonte mes fletëve për bakshishin.

Mund t'i ndërronim çdo javë nëpunësit e padukshëm brenda kioskave po s'mund të ndryshonim praktikën korruptive.

Jam i bindur i thashë një zyrtari gjerman të Bankës Botërore se ata s'do të korruptoheshin dot po të punonin në Gjermani, në administratën gjermane, ashtu siç jam i bindur se po të fusnim në ato vrima nëpunës gjermanë, nga administrata gjermane, do të korruptoheshin po njësoj. Nuk ka lidhje me genet. Nuk ka lidhje me faktin që disa janë të ndërgjegjshëm kurse disa s' kanë ndërgjegje. Ka të bëjë me sistemin, ka të bëjë me organizimin dhe ka të bëjë dhe me ambientin. Dhe me respektin.

I shkulëm kioskat. Ndërtuam një sallë të re pritjeje që i bënte njerëzit t'u dukej vetja sikur kishin dalë jashtë shtetit kur hynin për punët e tyre. Krijuam një sistem kontrolli online që e përshpejtoi procesin. Vumë të parë parët qytetarët dhe jo nëpunësit.

Korrupsioni i administratës shtetërore në vende si Shqipëria – nuk më takon mua të them edhe si Greqia - mund të luftohet vetëm përmes modernizimit. Rishpikja e qeverisë duke rishpikur vetë politikën, kjo është zgjidhja, dhe jo rishpikja e njerëzve bazuar në receta të gatshme, që bota e zhvilluar kërkon rëndom pa sukses t'ia imponojë njerëzve si ne.

Gjërat erdhën kështu sepse sot politikanët në përgjithësi, por sidomos në vendet tona le ta pranojmë këtë, mendojnë se njerëzit janë budallenj. E marrin të mirëqenë se sidoqoftë njerëzit janë të detyruar t'i ndjekin pas dhe vetë politika u përgjigjet gjithnjë e më pak shqetësimeve të tyre apo ekzigjencave të njerëzve të zakonshëm.

Politika ka filluar t'i ngjajë një sporti skuadre cinik që luhet me politikanë ndërkohë që publiku është lënë mënjanë si të ishte ulur në shkallët e një stadiumi në të cilin pasioni për politikën po zëvendësohet gradualisht nga verbëria dhe dëshpërimi. Nga ato shkallë, sot të gjithë politikanët duken njësoj ndërsa politika ka filluar t' i ngjajë një sporti që më shumë frymëzon agresivitet e pesimizëm sesa kohezion social e dëshirë për protagonizëm qytetar.

Barack Obama fitoi sepse mobilizoi njerëzit si kurrë më parë përmes rrjeteve sociale. Ai nuk e njihte secilin prej tyre, por me një gjenialitet të admirueshëm ia doli t'i kthente në aktivistë duke u dhënë mundësinë të kenë në dorë instrumenta e argumenta për të bërë secili fushatën e vet në emër të tij.

Unë përdor Tweeter-in. Më pëlqen pamasë. Më pëlqen sepse më lejon të përçoj mesazhin tim, por u lejon edhe njerëzve të më sjellin mesazhet e tyre. Kjo është politikë jo nga lart poshtë, por nga poshtë lartë. Dhe nga anash. Të lejosh që të dëgjohet zëri i gjithkujt, kjo është tamam ajo që na nevojitet.

Politika nuk është vetëm për liderët. Nuk ka të bëjë vetëm me politikanët dhe ligjet. Ka të bëjë me mënyrën sesi mendojnë qytetarët, me mënyrën sesi ata shohin botën që i rrethon, si përdorin kohën dhe energjinë e tyre. Kur njerëzit thonë që politikanët janë të gjithë njësoj, pyeteni veten nëse Obama dhe Bushi janë njësoj, nëse Francois Hollande është njësoj si Sarkozi. Nuk janë njësoj. Janë qenie njerëzore me pikëpamje të ndryshme dhe me vizione të ndryshme për botën.

Kur njerëzit thonë që gjërat nuk ndryshojnë kurrë, thjesht ndaloni një çast dhe mendoni sesi ishte bota dhjetë, njëzet, pesëdhjetë apo njëqind vjet më parë. Është ritmi i ndryshimit që e përcakton botën tonë. Ne mund ta ndryshojmë botën.

Unë ju dhashë një ilustrim të vogël sesi një gjë – përdorimi i ngjyrave – mund të sjellë ndryshimin. Unë dua të bëj më shumë ndryshime si kryeministër i vendit tim. Por ndryshimin mund ta bëjë edhe çdonjëri prej jush, nëse vendosni ta bëni këtë.

E fillova me një president amerikan dhe po e përfundoj me një tjetër. Roosevelt-in. Ai ka thënë "besoni se mund t'ia dilni dhe keni bërë gjysmën e rrugës."

Faleminderit.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Enver Hoxhaj nderohet me titullin ‘Doctor Honoris Causa’ në Tiranë, Veliaj: Urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Enver Hoxhaj nderohet me titullin ‘Doctor Honoris Causa’ në Tiranë, Veliaj: Urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës.