Në një prej rrugicave karakteristike të qytetit gjendet “Shtëpia e miqve”, një barcoffe library e rrallë. Një vilë karakteristike pogradecare, që mbledh çdo ditë, nga mëngjesi deri vonë në mbrëmje, pogradecarë me shpirtin flori. Krijuesja e “Shtëpisë së miqve” është arkitektja e re Diana Mile. E cila, për TV A1 Report dhe gazetën Shqiptarja.com, thotë se me çeljen e kësaj foleze të ngrohtë për pogradecarët e saj, ka çuar në vend një prej porosive të gjyshit të saj. Ajo kujton këtu se në këtë shtëpizë kanë qëndruar dhe kanë shijuar kafenë dhe gotat me verë miq të rrallë, si i madhi Fan S.Noli; poeti Lasgush Poradeci dhe tregimtari Mitrush Kuteli, miq të ngushtë të gjyshit të saj.
Ata dhe shumë miq të tjerë, tash qëndrojnë në dy albume me foto të atyre viteve, albume që Diana i le të hapur mbi tryezat e bar-it, si pjesë të historisë së qytetit të saj të dashur. Por nuk janë aty vetëm fotografitë. Në raftet e bibliotekës dhe të librarisë, veprat e Llazar Gushos dhe Mitrushit ndrijnë si perla të rralla dhe si dëshmitare të historive të pazakonshme në qytetin buzë liqenit. Është mëngjes dhe Dianaës i bashkohen për kafen e parë të ditës një grup mësuesish të vjetër, miq dhe mikesha të nënës së saj, zonjës fisnike Marjana Mile.
Janë aty pranë Marjanës zonjat Eli Llahmani, Lisa Samsuri, Kleri Peshkatari. Si dhe dy zotërinjtë dhe njerëz nga më të afërm të familjes Mile: Vaso Samsuri dhe Piro Shkurti. Pas kafesë me ta, Diana shpalos disa prej fletëve të dy albumeve me fotografi dhe, pak më vonë, ajo hyn në një dhomëz “sekrete”, ku punojnë disa të rinj, të angazhuar në shoqatën mjedisore “Shtëpia e gjelbërt”, drejtuar nga vetë Diana. Janë të njohura deri më tash ekskursionet me biçikleta të të rinjve pogradecarë buzë vijës së liqenit nga Pogradeci, deri në Ohër. Siç është i njohur edhe projekti për gjelbërimin e mëtejshëm të parkut të Drilonit dhe shëtitoret magjike përgjatë pyllit, që të çojnë drejt Tushemishtit, një tjetër perle buzë liqenit të Ohrit
Shtëpia e Mitrushit dhe rrugicat
Në ditë vjeshte, rrugicat e qytetit marin një dritë të argjendtë. Kalldremet, karakteristikë e rrugicave në lagjet e vjetra të qytetit zbardhin. Dhe çatitë e kuqe të vilave e shtëpive pogradecare shëndrrohen në trëndafilë të mëdhenj. Bash në një prej këtyre rrugicave gjendet vendi ku dikur ngrihej shtëpia e tregimtarit, intelektualit dhe një prej ekonomistëve më të zot të Shqipërisë, ajo e Mitrush Kutelit, ose Dhimitër Paskos. Shtëpia nuk është më. Regjimi i kaluar nuk e donte Mitrushin, sepse ai kishte shfaqur prej kohësh pikpamjet e tij liberale dhe kundër komunizmit, si sitem i dështuar politik.
Dhe hakmarrja ishte e ftohtë, deri në rrafshimin e mureve të shtëpisë. Tash, nga ajo shtëpi vlerash të rralla, ka mbetur vetëm një çezëm e vjetër. Dhe Diana thotë se, përmes një projekti, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe fëmijët e tregimtarit tonë të rrallë, do të bëhet e mundur rindërtimi i asaj shtëpie, që do të shërbejë edhe si Muze për vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj. “Është një detyrim imi, shton Diana, që ta rikompozoj në mënyrë sa më origjinale projektin e shtëpisë dhe kjo gjë, deri në fund të vitit të ardhshëm do të bëhet realitet.”
Mysafir tek kovaç Bani
Ballpërballë me truallin, ku dikur ngrihej shtëpia e Paskove, gjendet edhe një vilë e thjeshtë dhe e bukur. Ku jeton një burrë reth të 50-tave, me një vatër të mbushur me fëmijë. Vila është ë mbushur edhe me tenda rrushi dhe gratë e shtëpisë kanë vënë zjarrin në oborr për të nxjerrë verën e re. Ndërsa vetë Bani Kulla, ka ndezur zjarrin në forxhën e kovaçanës dhe po punon me çekan të rëndë disa porosi të miqve të tij: patkonj për kuajt e karrocave. Ah, këtu Bani hap zemrën dhe, ndërsa i fryn zjarrit me kacek, nuk resht së foluri për dashurinë e tij për kovaçanën, që e ka edhe ai trashëgim nga babai, këtu e 40 vjet të shkuara.
Çekanët rrahin fort dhe xixat mbushin dhomëzën e ndriçuar nga disa rreze dielli dhe nga flaka e zjarrit. “Djalo, sillu një gotë raki miqve…” - urdhëron të birin. Këtu, grupit tonë të xhirimit i bashkohet edhe piktori i talentuar, një prej ikonave të artit pogradecar, Gjergji Lako. Gjergji është mik i vjetër i Banit dhe thotë se “zanati i kovaçëve, sa po vjen e po humbet. Por ne duhet ta ruajmë këtë zanat dhe kovaçanën e Banit ta fusim në hartën e pikave turistike të vizitueshme të qytetit, për vlerat dhe karakteristikat e saj. Por edhe si dëshmitare të trashëgimisë sonë artizanale dhe etnografike…”
Në Drilon dhe Tushemisht
U bënë disa muaj, që Diana ka ndërtuar buzë liqenit një qendër modeste informacioni turistik, që menaxhohet nga të rinjtë e shoqatës “Shtëpia e gjelbërt” Me ndihmën edhe të REC, një organizatë e madhe mjedisore në Europë dhe në vendin tonë, mjediset e parkut të Drilonit kanë ndryshuar dhe janë bërë më të frekuentuara. Shëtitoret brenda parkut, urat e vogla, bisedkat dhe ndaleskat buzë vijës së lumit, janë produkt i projekteve të rinjve dhe të Dianës, që kujdesen jo vetëm për mjedisin, gjelbërimin dhe pemët në park, por edhe për gjallesat e rralla dhe biodiversitetin në zonën e Pogradecit.
Pasi kemi kaluar në gjatësi dhe thellësi të pyllit dhe shëtitoreve, ndërsa ka zënë edhe një shi vjeshte, hyjmë në fshatim magjik të Tushemishtit. I rindërtuar pothuaj nga e para nga pikëpamja urbanistike dhe në infrastrukturë. Ku, “zonja e parë” e Tushemishtit, Teto Ollga e filmit “Zonja nga qyteti” na pret me atë buzëqeshjen e saj karakteristike, bash mbi ujrat e vijave dhe kanaleve të brendshëm të fshatit. Qendra e fshatit është e bardhë. Me vila të mëdha, të bukura, ndërtuar me art dhe në stile sa tradicionale, aq edhe moderne. Për rikrijimin e fytyrës së fshatit, kanë kontribuar disa studiues dhe urbanistë të zot, mes të cilëve edhe vetë Diana.
Por edhe komuna e Starovës ka dhënë kontributin e saj, shton Diana. Kur pushon shiu, rrezet e diellit i japin tjetër ngjyrë rrugicave karakteristike. Në dyert dhe muret me kangjella, dalin gra me arka me mollë të kuqe, mollë të verdha dhe fruta të tjera, që i kanë nga të kopshteve. Aroma e mollëve mbush sheshin. Diana takohet me mjaft prej banorëve të fshatit dhe, si në shtëpinë e saj, kërkon mendime, si mund të bëhet më atraktiv fshati, shtëpitë, vilat, monumentet e kulturës, bujtinat mikpritëse, vija liqenore, kanalet dhe vijat e ujit që kalojnë ndër dyshemetë e vilave, si në asnjë vend tjetër të Shqipërisë.
Këtu ndahemi edhe ne me Dianën. Duke e falenderuar për mikpritjen dhe gjithçka të mirë prekëm dhe shijuam në Pogradec, në qytetin me emrin e lashtë Enkelana, sot Pogradeci…
Miqtë
Në një prej rrugicave karakteristike të qytetit gjendet “Shtëpia e miqve”, një barcoffe library e rrallë. Një vilë karakteristike pogradecare, që mbledh çdo ditë, nga mëngjesi deri vonë në mbrëmje, pogradecarë me shpirtin flori.
Mitrushi
Regjimi i kaluar nuk e donte Mitrushin, sepse ai kishte shfaqur prej kohësh pikpamjet e tij liberale dhe kundër komunizmit, si sitem i dështuar politik. Dhe hakmarrja ishte e ftohtë, deri në rrafshimin e mureve të shtëpisë.
Tradita
“Zanati i kovaçëve, sa po vjen e po humbet. Por ne duhet ta ruajmë këtë zanat dhe kovaçanën e Banit ta fusim në hartën e pikave turistike të vizitueshme të qytetit, për vlerat dhe karakteristikat e saj”.
Fshati
Hyjmë në fshatim magjik të Tushemishtit. Qendra është e bardhë. Me vila të mëdha, të bukura, ndërtuar me art dhe në stile sa tradicionale, aq edhe modern.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Nëntor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)