«Më quajnë presidenti më i varfër në botë. Por jo, unë nuk ndihem aspak i varfër. Të varfërit e vërtetë janë ata që synojnë të bëjnë një jetë me shpenzime të mëdha dhe nuk ndiejnë të ngopur. Pangopësia ata i pengon ta njohin lumturinë. Ndryshimi im me ta është një çështje koncepti i lirisë shpirtërore. Ai që nuk ka shumë prona, nuk bëhet skllav i tyre për t'i mbajtur e shtuar ato dhe i kushton më tepër kohë vetvetes e familjes në jetë. Kjo është shumë më e rëndësishme për mua.»
José Mujica, President i Uruguajit.
(Përkthimi im)

Në të vërtetë José Mujica është i parakohshëm në këtë botë, krahasuar edhe me udhëheqësit e shteteve më të qytetëruar e më demokratikë (si ata të vendeve nordike, p.sh.). Në qershorin e vitit të kaluar, kur Uruguaji u përfshi nga një i ftohtë i acartë, José Mujica e regjistroi pallatin presidencial në fondin e godinave publike për strehimin e të pastrehëve. Me atë rast, një gazetar vendas shkroi me një humor të hollë:
«Sa gjynah që nuk u ndodha i pastrehë në këtë periudhë, të kisha fjetur ca net në pallatin presidencial!».

Në po atë shkrim, ai gazetar shtoi jo pa djallëzi: «Pse udhëheqësve më të shquar të botës nuk iu pëlqen të ndodhen përballë kamerave të gazetarëve përkrah José Mujicës? Apo i tremben krahasimit që mund t'iu bëjnë teleshikuesit atyre me José Mujicën ?»
Por José Mujica nuk shquhet vetëm për modestinë e të jetuarit (ai banon me gruan në fermën e tij të vogël në Montevideo), por edhe për kurajon e reformave sociale. Së fundi ai i dha «ok» ligjit për kultivimin e lirë të drogës nën kontrollin e autoriteteve shtetërorë, duke pasur si synim dy avantazhe në dobi të popullatës:

1 – Shtetasve të cilësuar prej mjekëve «të droguar kronikë» do t'iu sigurohet në rrugë shtetërore si ilaç mbijetese minimumi i domosdoshëm i dozës se drogës, që ata të mos shkatërrohen ekonomikisht në kërkim të saj.

2 – Të ardhurat nga shitja e ligjshme dhe e kontrolluar e drogës t'i përfitojnë legalisht kultivuesit vendas, duke eliminuar kështu kontrabandën ndërkombëtare të drogës në Uruguaj.
Gjithsesi është koha që do ta vërtetojë ose jo efikasitetin e këtij ligji të guximshëm.