Të gjithë jemi mëse të vetëdijshëm. Mëse të bindur. Tirana dominon. Rreth saj vërtiten të gjithë. Hallexhinjtë. Të sëmurët. Ata që duan të fitojnë para. Tregtarët. Grosistët. Distributorët. Tenderaxhinjtë. Të gjithë. Veç aty mbarojnë punë. I mëshojnë gazit. Fusin 1-2-3-4-5 marsha dhe në Tiranë. Zbresin si të jenë në avion nga mbikalimi i Kamzës, dhe shtriqen në rrugën e gjerë për të hyrë në Tiranë. Atje tej drejt këmbëve të një mali shtrihet Tirana. Aty ku kanë shtëpinë 140 deputetë. Ministrat. Ku e pinë kafen ata. Ku drekojnë. Ku bëjnë flokët. Ku bëjnë jetën e natës. Edhe ndonjë poker apo ruletë. Ku janë mediat. TV-të. Gazetat. Bizneset. Spitalet. Kusuret thuaj më mirë.

Po me kë parti është Tirana? Ç’ngjyrim ka elektorati? Plot 1 milionë banorë. Nuk janë pak. Pothuajse sa 10 qytete nga më të mëdhatë në Shqipëri. Po them sa Vlora, Shkodra, Korça, Elbasani, Fieri dhe Durrësi, (s’po më kujtohet më ndonjë qytet tjetër i hajrit). Nejse mos të dalë nga tema: kush parti pëlqehet sot nga tiranasit? Këtu po e fus veten dhe unë. I bëra nja 14 vjet të mira në Tiranë. Madje dhe vajza ime lindi këtu. Sa më pëlqen ky fakt! Sikur të kishte lindur në Milano, Paris apo Londër. Pse jo në New York.

Dhe si e tillë nga të gjitha këto gjëra që përmenda më sipër, me grish ende kjo pyetje e gjatë: “A ka vërtet një parti Tirana? Me kë janë tiranasit? Për kë votojnë tiranasit?”.

Tirana pas viteve ‘90 mblodhi në “gropën” e saj shumë të ardhur. Dhe si e tillë ndryshoi shumë gjëra. Edhe bindjet e saj politike. Tirana ku humbi edhe udhëheqësi i asaj kohe Ramiz Alia. Ku dominoi për pak vite e djathta. Dhe ku stërdominoi më pas e majta. Dhe për t’ju kthyer mes shumë polemikave sërish të djathtës. Nuk e kam vetem me Bashkinë e madhe. Por edhe me minibashkitë. Pse jo edhe me zonat elektorale, që tashmë njihen si bastione. Nga 250 mijë banorë. Sot në afërsisht 1 milionë. Dhe si e tillë është një “gjah” i mirë për çdo parti.
Partia e re e të djathtes ka shumë gjasa t’i plotësojë shijet e tiranasve. Gërshetimi ideal mes shtëpive me caracë, ende të paprishura me pallatet e larta dhe me deri 8 hyrje në kat, sapo filloi të jetë pjesë e programit të një partie elektorale. Sot me inaugurimin e selisë së saj në një shtëpi ose saraj tipik tiranas, atë të “Kasimateve”, Partia Fryma e Re Demokratike duket se i joshi” shijet e tiranasve. Ato shije të cilat deri tani duken si shumë të destabilizuara. Për më tepër për vetë ndryshimet që ka njohur këto vite Tirana. Ato shije të cilat nuk kanë shërbyer kurrë si fasadë. As si numra mitingjesh elektorale. Jo më kot Stadiumi Dinamo është stacioni i autobuzave elektoral dhe targat e qyteteve janë dekor më i çuditshëm dhe më i dhimbshëm i një kryeqyteti.
Por në Tiranë ka edhe një grup tjetër interesi për këtë parti elektorale. Mendoj që mund të jetë më e lehtë për programin e kësaj partie. Në krye të saj pritet të jetë presidenti Topi. I paprovuar si drejtues i një partie. E sigurt që ka në mendjen e tij se si ti bëj për vete “jabanxhinjtë e Tiranës”. Sepse autoktonët duket që i ka ne xhep. E dëshmoi sot “rezidenca” e tij ende e paprovuar në “sarajet” e Kasimatëve.
Po ndoshta edhe “jabanxhinjtë” që kanë kaq vite në Tiranë, u mësuan me ajrin e Tiranës. Traditat. Zakonet. Pse jo edhe ndonjë krushqi. Ndryshe nuk thonë “sipas vendit bëhet dhe kuvendi”. Të tillë jemi bërë ne që Tirana na hapi zemren dhe na pranoi të mirë apo të këqinj. E tille ndoshta do te jetë vajza ime që lindi në Tiranë. Dhe që mos të më qortojë më vonë, unë do të sillem si ajo. Si tiranas. Nuk janë pak, plot 1 milionë banorë.