"Pas energjisë, nis aksion për ujin"
Rama: Gropë e madhe financiare!

"Pas energjisë, nis aksion për ujin"<br />Rama: Gropë e madhe financiare!
TIRANE - Nga Forumi Kombëtar Kundër Korrupsionit, kryeministri Edi Rama paralajmëroi një tjetër aksion pas atij të energjisë, që do të ndërmerret në të gjithë vendin ndaj njerëzve të adminsitratës të sistemit të ujësjellësit që kreu i qeverisë i krahasoi me banditë që s'duan t'ia dijnë për politikat lokale.

Rama tha se keqmenaxhimi i sistemit të ujit në vend ka krijuar një gropë financiare më të madhe se dëmi i shkaktuar nga vjedhja e energjisë elektrike dhe mospagimi i faturave.

“Ka një gropë më të madhe se vjedhja e energjisë, eshte uji. Si të mos jetë gropë, kur i gjithë sistemi i kësaj pasurie, si vendi i dytë më i pasur për pasurinë hidrokarbure nuk eshte menaxhuar si duhet. Norvegjezët para 100 vitesh ikin nga vendi se vuanin për bukë, ndërsa sot i quajnë sheikë të Evropës për shkak të energjisë. Problemi ynë më i madh është se kemi shumë ujë. Kemi trashëguar borxhe nga sistemi i ujësjellësave. Bordet e ujësjellësit drejtohen nga të papërgjegjshëm, që nuk duan t’ia dijnë për politikat lokale dhe kjo nuk ka të bëjë me njerëzit, por me sistemin”, tha Rama.

Me të njëjtën gjuhë të ashpër Rama foli edhe për administratën dhe drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Kreu i qeverisë foli për një bandë të strukturuar kriminale që funksion brenda këtij sistemi, e cila do të çmontohet duke i larguar të gjithë nga kontrollet që po kryhen jo vetëm në OSHEE, por në të gjitha institucionet shtetërore.

“Ne kemi marrë në dorëzim një bandë të strukturuar kriminale të shtrirë në gjithë Shqipërinë që në bashkëpunim me hajdutët e qytetarët që i paguajnë baniditi është një sistem i tërë që duhet çmontuar dhe ne po e çmontojmë ditë pas dite. Kush brenda kompanisë nuk ka paguar rregullisht energjinë është larguar, dhe kush i ka shpëtuar kontrollit të parë nuk do i shpëtojë të dytit”, deklaroi Rama.

Por sipas kreut të qeverisë, korrupsioni nuk lufohet vetëm duke larguar njerëzit që i tundohen parasë të marrë në mënyrë të jashtëligjshme, por luftohet duke modernizuar sistemin. Në këtë kontekst ai tha se shumë shpejt do të konkretizohet projekti i vendosjes së “matësave të zgjuar” në famijet dhe bizneset e cdo shqiptari.

“Nuk besoj se ndryshimi i drejtorëve të korruptuar me disa të tjerë do ndryshojë situatën, është modernizimi i sistemit. Po punojmë për projektin e matësve të zgjuar, të vendosim në të gjithë Shqipërinë ku mos të paguash me se çfarë të shkruan ai analfabeti në sahat që ka mbaruar universitetin po jo të mesmen. Ku çdokush të dijë në kohë reale sa ka shpenzuar konsum energjie. Jam i vetëdijshëm se çfarë po heqim njerezit në sportele dhe nga një shërbim i degjeneruar në vite, një bandë e paparë që s’ka menduar tu kthejë përgjigje 50 mijë njerëzve që i kanë të depozituara me vite ankesat dhe banda nuk ka kthyer asnjë përgjigje me shkrim. Në vetëm një vit gjerat janë vendosur në rrugën e kthessë. Duke i këruar ndjesën më të thellë qytetarëve që kanë probleme me shërbimin unë i siguroj se gjithë kjo do i duket një endërr e keqe që do jetë lënë pas. Do jetë një marrëdhënie e re, falë modernizimit të sistemit”, tha kryeministri Rama.

Rama: Luftë korrupsionit përmes modernizimit të sistemeve, jo gjueti shtrigash
Rama tha  se qeveria nuk do të ndalet në betejën e saj për zhdukur korrupsionin nga shoqëria dhe kjo sipas tij nuk do të bëhet duke u marrë me individët, por me modernizimin e sistemit.
 
“Unë do dëshiroja që përcaktimi për qeverinë tonë të ishte që kjo është një qeveri e modernizimit të vendit tonë. Dhe do dëshiroja që në fund të mandatit tek cdonjëri nga ministrat publiku të identifikonte modernizimin e sektorit. Sepse unë besoj se lufta kundër korrupsionit nuk është gjueti shtrigash dhe as nuk mund të shihet e kufizuar në betejën ndaj të korruptuarve. Është lufta për modernizimin e shtetit dhe trasnformimin e një sistemi që korrupton njerëzit në një system që është i pakorruptueshëm, sepse nuk janë njerëzit që e korruptojnë sistemin, është sistemi që korrupton njerëzit”, tha Rama.
 
Rama: Hoqem drejtoret e korruptuar, por duhet ndryshim rrënjësor i sistemit
Ai u ndal konkretisht tek rastet e korrupsionit në Drejtoritë Arsimore, por shtoi se për të luftuar korrupsionin nuk mjafton vetëm zëvëndësimi i krerëve, por ndryshimi rrënjësor i të gjithë sistemit.
 
“Rasti i drejtorive arsimore, dhe konkretisht të një drejtorie ku u zbulua një skemë mitmarrjeje e kthyer në sistem. Masa e marrë është e duhura, veprimi i menjëhershëm i policisë për të arrestuar drejtuesin është veprimi i duhur. Shpresa që ky drejtues në procesin ligjor do të marrë ndëshkimine  duhur është shpresa e duhur. Por nëse besojmë se me ndëshkimin e drejtuesve apo 20 si ky ne kemi fituar mbi korrupsionin në atë sistem ky është një iluzion. Paralelisht me masën që u mor u veprua me shpejtësi për të vënë në jetë një element të reformës që konstiton në ndryshimin e rekrutimit të mësuesve, duke mos e lënë në dorë të drejtuesit si individ që subjektivisht vendos se kë merr në punë dhe kë heq, por duke ngritur sistemin e një testimi kombëtar të sekretuar dhe tërësisht transparent që do të sjellë një rankim të mësuesve në të gjithë territorin e Shqipërisë. Gjermanët, italianët nuk janë më të ndershëm se shqiptarët, as më pak të tundueshëm nga korrupsioni por e kanë të pamundur të korruptohen kur vjen fjala tek kontakti me qytetarin por mënyra si funksionon administrata”, tha kreu i qeverisë.
 
Rama: Forumi Kundër Korrupsionit, transparencë ndaj qytetarëve
Rama tha se Forumi Kombëtar kundër Korrupsionit është një mënyrë për të shprehur transparencësn e qeverisë përballë qytetarëve.
 
“Pa dashur të bëjmë krahasime pa vend edhe vendosja në sistemin tonë të qeverisjes e një rutine raportimi publik që është bërë nga cdo ministri. Ky forum nuk është një paradë suksesesh as është krijimi i një mundësie për të rrahur gjoksin përpara publikut, apo për t’u hedhur hi syve partnerëve tanë ndërkombëtarë, por është vetëdija se i detyrohemi të gjitha palëve trasnparencë në raport me cka kemi bërë dhe me cfarë duam të bëjmë”, tha Rama.
 
Rama: Përmbyllja e aksionit të energjisë, vendosja e shtetit ligjor në Shqipëri
Kryeministri tha se në Shqipëri do të flitej për shtet ligjor atëherë kur qeveria të ketë fituar betejën me energjinë elektrike, kthimin në normalitet të këtij sektori që deri më sot abuzohej me lidhjet e jashtëligjshme dhe faturat e pashlyera.
 
“Energjia për ne është një betejë për jetë a për vdekje për ekonominë shqiptare, kush e sheh ndryshe nuk e kupton se në cfarë sfide të madhe jemi. Dhe se sa shumë kjo betejë lidhet me sektorët e tjerë, investimet publike, investitorët, ligjshmërinë. Shteti ligjor fillon aty dhe në momentin kur do të kemi realizuar objektivin tonë në Shqipëri ne kemi vendosur shtetin ligjor, sepse në atë moment do të kemi ndikuar përmes qeverisjes me drejtësi edhe tek vetë sistemi i drejtësisë. Sikur vetëm energjinë të kishim paguar në këto 20 vjet parafytyroni se ku do të ishte Shqipëria sot. Për shkak të vjedhejve apo mospagesave borxhi është sa 6.3 % e prodhimit tonë kombëtar, të një vendi që sot ne e kemi në formën e një borxhi të akumuluar.  Do kishim në 10 vjet 1500 shkolla moderne, 1000 km rrugë kombëtare të standardeve europiane në 10 vjet. Nuk janë të varëfërit që e krijuan këtë borxh, por të korruptuarit në shtet që e kanë ndjerë veten të fortë. Biznese të mëdha që e paguajnë energjinë si furrë buke, borxhlinjtë më të mëdhenj, njerëz hajdutë brenda strukturave të shtetit”, tha Rama.
 
Rama: Shifrat e faturave të papaguara nga Policia e Shtetit, alarmante
Rama tha se shumë shpejt do të bëhet publik një raport me të gjitha masat dhe rezultatet e deritanishme në kuadër të aksionit kundër lidhjeve të jashtëligjshme të energjisë elektrike dhe vecanërisht faturave të papaguara.  Duke iu referuar kontrollit që ka nisur për punonjësit e administratës, Rama tha se rezultatet janë alarmante edhe në Policinë e Shtetit, ku rezultojnë debitorë në vite. Ai tha se ky kontroll do të shtrihet në të gjitha institucionet.
 
Shifra është alarmante e personave që punojnë në Policinë e Shtetit dhe që janë debitorë prej vitesh dhe kështu do të krihen të gjitha institucuionet. Dhe në cdo strukturë ka individë të cilët janë borxhli ndaj sistemit me vite. Si mund të diskutojmë ne për luftë kundër korrupsioni përvecse duke modernizuar sistemin se nuk mjafton që këta njerëz do të ndëshkohen, sepse do të ndëshkohen. Jam i habitur me ata që thonë pse ne e përdorim kaq shpesh ndëshkimin? Ndërkohë që në vendet e BE ndëshkimi nuk përmendet nga qeveria për arsyen e thjeshtë se as që nuk diskutohet, se nuk i shkon në mendje që të mos paguajnë të bëjnë dhe protesta të jetë dhe anëtar i sindikatës. Si shkon në mend që të bëjë para duke rekrutuar mësues. Që të ndërtojë në tokën publike të legalizohet të bëhet edhe pronarë”.
 
Gjatë këtyre kontrolleve janë shkarkuar 234 punonjës nga vetë OSHEE që figuronin pa paguar faturat, dhe 131 nga Policia e Burgjeve.

Rama: Reforma në administratën publike e nevojshme, të ndërhyhet në ligj
Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama  u ndal edhe te administrata publike, sipas tij ligji i vutuar në 2013-tën ishte i nevojshëm, por nëse nuk plotësohet favorizohet parazitizmi dhe korrupsioni. Ai gjithashtu theksoi se duhen marra masa të që të rinjtë të mos dekurajohen.

“Reforma në administratë publike, për një shtet modern duhet të kemi një administratë moderne. Jo më rroga që merren duke fituar ne lojën “Solitare”. Fusim kriteret e konkurueshmërisë. Ishte koha që duhej një ligj për administratën publike, por ai ligj ka nevojë për ndërhyrje, pasi në të kundërt favorizohet parazitizmi dhe korrupsioni. Greqia dhe Itali kanë probleme nga burokracia. Askush nuk duhet që ta ketë vendin e punës të sigurt përjetë. Nuk duhet të demotivojmë të rinjtë, të cilët që të nisin punë duhet të presin që dikush tjetër të dalë në pension apo të larg qoftë të vdesë. Kush fiton sipas klasifikimit e përcakton vetë se ku shkon, nuk bëhen më konkurse për një vend pune në ministri apo në ndonjë vend tjetër, por konkurse për inxhinierë, mësues etj.  Administrata të sillet si një shërbim ndaj klientit. ”- tha Rama.
 
Rama: Lufta kundër korrupsionit kalon nga bashkëpunimi qytetar-shtet
"Sot në këto kushte lufta kundër korrupsionit kalon nga bashkëpunimi i qytetarit me shtetin. Problemi i besimit të qytetarëve është i madh. Në shumë vite ata dyshonin se do të bëhej gjë nëse bën denoncim, apo nga frika se mos u kthehet kundër", tha Rama.

Më tej kryeministri u ndal te risitë në denoncimin e korrupsionit ku gjithçka do të bëhet online, duke hedhur kështu edhe bazat për besim te qytetarët. 

“Së shpejti një sistem që me një klik të vetëm mund ta denoncosh korrupsionin , do të jetë një skuadër që do të merren me to. Do ketë një kuti shërbimesh Online që do të jetë vetë për ankesat.Kemi hedhur bazat për besim te qytetarët. Është sistemi që u shërben qytetarëve, jo zyrtarët. Do të fillojmë me një numër shërbimesh që mund të merren në të gjitha qendra tregtare. Mjafton të plotësosh të dhënat. Nga viti ardhshëm do të ketë 100 shërbime që do të ofrohen. Po vitin e ardhshëm do të mund të flasim me rezultate të qarta.”- tha Rama.

Rama: Përmes modernizimit garantojmë sistemin ndaj korrupsionit
Më tej kryeministri Rama foli edhe për modernizimin e sistemit si lëvizja me eficente në luftën kundër korrupsionit. Duke u ndalur te Kodi Doganor Rama u shpreh se nuk ishte një nga kriteret e kërkuara nga BE, por ishte e nevojshme.

“Kodin Doganor nuk na e kërkoj BE, e bëmë vetë dhe në 1 janar hyn në fuqi kodi doganor i BE. Kështu luftojmë më mirë korrupsionin e kontrabandën”- tha Rama.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Zelensky publikon foto nga takimi 'kokë më kokë' me Ramën: Folëm për rikonstruksionin e Ukrainës

Presidenti Zelensky publikon foto nga takimi 'kokë më kokë' me Ramën: Folëm për rikonstruksionin e Ukrainës