"Reforma territoriale", zyra
administrative në vend të komunave

TIRANE- Komisioni i Ligjeve është përfshirë në debate të shumta ditën e djeshme, kur po diskutohej mbi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”të ndryshuar. Ajo që u evidentua që në nisje të mbledhjes nga vetë misntri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuci, ishte fakti se një ndër ndryshimet që i është bërë ligjit, konsiston pikërisht në ngritjen dhe funksionimin e zyrave administrative, të cilat do kryejnë funskionin e komunës.

“Ndryshimet që paraqiten në projektligjin që kemi sjellë sot këtu, janë ndryshime teknike dhe konsistojnë në: Heqjen e termit komunë. Ripërcaktimin e raportit të këshillave në njësitë vendore. Pasi me mbi 200 mijë banorë deri më sot ka qenë vetëm bashkia e Tiranës ndërkohë që me hartën e re janë katër bashki të këtyre përmasave. Do të ripërcaktohet numri i këshillave të qarqeve. Ngritja dhe funsionimi i një zyrave administrative që kryejnë funskionin e komunave”, tha minstri Çuçi duke sqaruar ndryshimet e bëra në ligj. Ndërkohë relatori i çështjes, deputeti socialist Bashkim Fino shpjegoi edhe mënyrën se si do të funsionojë ky organ i ri brenda njësisive vendore.

Kështu zyrat administrative që do kryejnë funskionin e komunës që është aktualisht, bëhen me qëllim që qytetarit të mos i mungojnë shërbimet. Ndërkohë ai bëri me dije se krerët e zyrave administrative nuk do të zgjidhen me votë nga qytetarët, por do të emërohen nga krerët e bashkive. “Koncepti i administratës, futet me varësi nga bashkia qëndrore, emërimet për krerët e zyrave administrative i cakton kreu i bashkisë edhe organigramën gjithashtu. Kështu nuk hiqen shërbimet nga populli”, tha Fino. Kjo ishte dhe pjesa ku opozita kontestoi dhe ngriti pretendimet se në këtë rast cënohet sistemi.

Debatet
Opozita ka kontestuar qasjen e re që komunat aktuale do shndërrohen në zyra administrative me varësi nga bashkia qëndrore. Sipas deputetit demokrat Oerd Bylykbashi kjo mënyrë e re organizimi nxjerr në pah problemin e emërimeve tërësisht politike që do të bëjnë krerët e bashkive qëndrore ndryshe nga komunarët aktual që janë të zgjedhur me votë nga populli. Deputeti demokrat, tha se nga kjo mënyrë organizmi të humbur janë qytetarët, pasi rritet mundësia e abuzimit në këmbim të shërbimeve.

“Nuk ka më njerëz që do të përgjigjen me votë përpara qytetarëve në Komunat që do të mbeten periferike. Do të ketë vetëm komisarë të dërguar atje, të cilët do ti japin shërbimin pasi ti kenë kërkuar atje preferenca edhe seksuale”, tha Bylykbashi. Nga ana tjetër, deputeti socialist, Bashkim Fino duke iu derejtuar deputetëve të opozitës u shpreh se emërimet do jenë me një standard për të dy palët si për kryebashkiakët socialist, ashtu edhe pë rata demokrat, ndaj ai arsyetoj se nuk duhet paragjykohet rasti PS apo PD.

“Ju na treguat se do të bëhen zgjedhje. Nëse një kryetar bashkie nesër do të jetë i PD-së të njëjtën kompetencë do të ketë si ai kryetar bashkie i PS-së. Që do të thotë që edhe ai kryetar Bashkie i PD-së do ti emërojë këta administratorët në njësitë përkatëse.

Po pse këta të PD kur ti emërojnë janë më të mirë dhe këta të PS-së kur ti emërojnë nuk janë më të mirë?”, tha Fino. Pas debateve me kërkesë të demokratëve por dhe me sygjerim të deputetit socialist Bashkim Fino, palët politike ranë dakort që të thirren dhe një herë grupet e interesit dhe ekspertët, për të diskutuar këto ndryshime dhe për tu gjetur konsensusi, për këtë ligj që kërkon shumicë votash në parlament.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave