E thënë më thjesht, duhej të projektohej një ndërgjegje e ndryshme kolektive. E, ndërsa regjimi përballej dhunshëm me kundërshtarët e hapur politikë ose duke i eliminuar ata fizikisht, ose duke i izoluar në burgje dhe kampe përqendrimi, pjesa tjetër e popullsisë iu nënshtrua një procesi indoktrinimi ideologjik, ose siç i pëlqente regjimit ta quante “krijimit të njeriut të ri”. Por që të arrihej kjo, drejtuesve komunistë shqiptarë u duhet të “fshinin” nga mendja e shqiptarëve bindjet, eksperiencat, mitet e deriatëhershme dhe të injektonin në mendjen e tyre kulte e mite të reja.
Shkolla ishte institucioni më i rëndësishëm për indoktrinimin komunist të shqiptarëve, por jo i vetmi. Projektimi i një identiteti komunist në një shoqëri poliedrike si ajo shqiptare, kërkonte që çdo qelizë e shoqërisë shqiptare t’i nënshtrohej rregullave të mirëpërcaktuara. Letërsia, kultura, artet ishin ato që do të mbanin barrën e rëndë të këtij procesi. Censura shtetërore do të përcaktonte çfarë duhet të krijonin artistët dhe shkrimtarët shqiptarë, por edhe çfarë duhet të shijonte nga pikëpamja artistike popullsia në Shqipëri.
Kjo lloj censure filloi menjëherë me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, por ajo u institucionalizua, u perfeksionua dhe u thellua me kalimin e kohës. Në mars 1948, në zbatim të një ligji të dalë një vit më parë për bllokimin e të gjithë krijimtarisë artistike të prodhuar para 29 nëntorit 1944, Gjykata Popullore e Tiranës publikoi një listë prej më shumë se 150 tituj librash dhe revistash të cilat do të hiqeshin nga qarkullimi, pasi konsideroheshin të dëmshme për shoqërinë.
Përveç botimeve ideologjike fashiste dhe naziste, regjimi u kishte ndaluar shqiptarëve të njiheshin me autorë të cilët ishin kundërshtarë politikë të tij, si: M. Frashëri, T. Zavalani, H. Kokalari, N. Çika, Dh. Fallo etj. Të ndaluar ishin edhe librat, autorët e të cilave kishin qenë pjesë e administratës së pushtuesve italianë dhe gjermanë, pavarësisht se veprat e tyre nuk kishin të bënin me ideologjinë e tyre. Kështu u hoqën nga qarkullimi veprat e M. Frashëri, E. Koliqit, M. Krujës, T. Toçit, F. Vokopolës etj.
Regjimi u ndaloi shqiptarëve të lexonin edhe librat e autorëve që i konsideronte si “kalemxhinj shovinistë, të cilët kanë shtrembëruar realitetin historik të vëllazërimit dhe bashkëpunimit që ekzistonte mes popullit tonë dhe popujve të tjerë të Ballkanit”. Për këtë “faj” u ndaluan veprat e Gj. Fishtës, P. Anton Harapit, Gjon Shllakut e shumë të tjerëve. Po kështu u ndaluan edhe librat dhe revistat që flisnin pozitivisht për Mbretin Zog dhe jetën në Shqipëri gjatë periudhës së qeverisjes së tij; librat artistikë të huaj e shqiptarë të cilët konsideroheshin të dëmshëm për moralin e shoqërisë, ndër të cilët ishin dhe përrallat arabe Një mijë e një net.
Lista e veprave të ndaluara ndryshohej kohë pas kohe. Atje do të përfshihej krijimtaria e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë të dënuar nga regjimi si “armiq të Partisë dhe të popullit”, veprat e konsideruara jo në frymën revolucionare, madje dhe klasikët botërore, përkthyesit e të cilëve ishin të papërshtatshëm për regjimin. Shtimi ose zbutja e censurës varej në një masë të madhe nga ndryshimi i humorit politik të regjimit: ashpërsimit apo lehtësimit të luftës së klasave; ndryshimit të aleancave ndërkombëtare apo edhe zbulimit të grupit armiqësor të radhës brenda strukturave të PPSH.
Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos, u ndaluan botime e ish-ministrit të Brendshëm, Koci Xoxe, i dënuar si agjent i jugosllavëve dhe një sërë autorësh jugosllavë. Enver Hoxha do të pranonte të censuronte madje edhe vetveten, pasi edhe botimet e tij rregulloheshin sa herë që ndonjë personazh apo ngjarje në botimet e tij duhej hiqej apo të kthehej nga mik në armik. Revolucioni Kultoror Kinez nuk kishte si të mos prekte edhe krijimtarinë artistike shqiptare. Vetëm në vitin 1969 u hoqën nga skenat e teatrit shqiptar 20 vepra artistike të njohura ndërkombëtarisht, pasi nuk përputheshin “me moralin komunist”.
Ndalimi i krijimtarisë artistike shoqërohej me masa administrative dhe penale për artistët dhe shkrimtarët shqiptarë. Shumë prej tyre u detyruan të mos e ushtronin më talentin e tyre, u larguan nga qytet e tyre të lindjes, por këto ishin rastet fatlume. Një pjesë tjetër e artistëve shqiptarë vuajtën ndër burgjet dhe internimet komuniste për “fajin” se guxuan në ishin të ndryshëm nga prototipet e regjimit. Rasti më flagrant ishte ai i Festivalit XI, ku krahas poetëve dhe kompozitorëve u dënuan dhe këngëtare, sepse kishin guxuar të këndonin këngë të cilat nuk i shërbenin interesave indoktrinuese të regjimit.
*Shënim
Teksti shoqërues i ekspozitës “Arti i ndaluar në Shqipëri” 1945-1990-së, hapur në Bunk’Art gjatë ditëve të FAN (Festivali i Artit të ndaluar”. Gjahstë mbrëmjet e këtij festivali, moderuar nga gazetari Denis minga u transmetua në fund te muajit Dhjetor ne Report TV.
Njeriu i ri/ Foto Petrit Kumi
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 janar 2016
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)