TIRANE- Hetimi i korrupsionit mes radhëve të prokurorëve nuk përbën rrezik për Unionin e Prokurorisë. Akoma më e parrezikshme sipas Ndini Tavanit, kreut të këtij unioni është dhe verifikimi i pasurisë së tyre, e cila nuk përbën asnjë problem. Fakti që në të ardhmen do u verifikohet pasuria nga dy institucioni, kjo për prokurorët nuk tregon frikë, pasi sipas Ndini Tavanit verifikimi i pasurisë kryhet tashmë prej shumë vitesh nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit.

Kryetari i Unionit shton se verifikimi i pasurisë është thjesht një dublim kompetencash, që për ta nuk përbën problem dhe nuk sjell asnjë gjë të re. Më tej kryetari i këtij unioni në intervistën e parë për “Shqiptarja.com” u ka rikujtuar ekspertëve të reformës dhe vetë faktorëve politikë në vend, që prokurorët nuk duhet të trajtohet si mafiozë, për sa i përket verifikimit të pasurisë së tyre.

“…Prokurorët nuk janë mafiozë dhe nuk mund të trajtohen si të tillë. Ajo që Unioni i Prokurorëve pranon është se një prokuror që nuk e justifikon pasurinë e tij nuk mund të ushtrojë këtë detyrë. Por për sa kohë një prokuror është në detyrë meriton gjithë respektin dhe mbrojtjen e Shtetit që përfaqëson në sallën e gjyqit…”, – shprehet Ndini Tavani.