"Të pastrojmë Shqipërinë" në Berat, fjala e Ramës

"Të pastrojmë Shqipërinë" në Berat, fjala e Ramës
Ky program aktivitetesh që ne po zhvillojmë me moton “Për të pastruar më tej Shqipërinë”, është një program i Partisë Socialiste, për të rreshtuar të gjitha arsyet se përse na duhet sot hapja, zgjerimi, rritja, forcimi i Partisë Socialiste në një moment kyç për qeverisjen tonë;  Pse është e domosdoshme që në këtë proces të natyrshëm riorganizimi dhe zgjedhjesh në Partinë Socialiste, forca jonë politike të kapërcejë kufijtë ekzistues, të zgjerojë hapësirën e vet të ndërveprimit me komunitetet dhe të përfshijë në gjirin e vet sa më shumë të reja dhe të rinj, burra dhe gra, individë që vijnë nga fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore dhe të rrugëve të ndryshme të punës dhe të kontributit në shoqëri.

Nuk është një bilanc për të bërë një paradë arritjesh, edhe pse arritjet janë aty, janë të qarta dhe një pjesë e tyre të prekshme për qytetarët, një pjesë tjetër, të rëndësishme për një proces reformash që do t’i sjellin hap pas hapi rezultatet në jetën e familjeve, në jetën e komuniteteve.

 
Është një bilanc për të forcuar argumentin se sot, reformat kanë nevojë për një shtysë edhe më të fortë përpara dhe për ta bërë të mundur të gjithë projektin tonë të reformave në një kohë të shkurtër dhe për të fituar të gjithë atë kohë që kemi humbur me vite të tëra, duke i shmangur këto reforma, është e domosdoshme që të kemi një Parti Socialiste të modernizuar në përbërjen e strukturës sociale të organizatës.

Me këtë dua të them që është e domosdoshme që organizatat socialiste të jenë struktura që përfshijnë të gjithë komponentët e shoqërisë, përmes përfaqësuesve më të denjë të saj në çdo komunitet, në çdo lagje, në çdo fshat

Është shumë e rëndësishme që organizatat e Partisë Socialiste të hapen ndaj njerëzve të punës, ndaj njerëzve të suksesit, ndaj njerëzve që në jetën e tyre të përditshme janë shembull sesi gjërat bëhen me vullnet, me punë, me këmbëngulje. Këtu kam parasysh që nga nxënësit e dalluar, tek studentët e spikatur, sipërmarrësit dhe tregtarët e vegjël në çdo rrugë e në çdo lagje, tek fermerët në fshat, mësuesit, pedagogët, intelektualët dhe padyshim, edhe tek sipërmarrësit e mëdhenj.

Këtu kam parasysh edhe punëtorët e gratë punëtore nëpër fabrikat e vogla, që nuk mungojnë edhe në këtë zonë; Këtu kam parasysh të gjithë ata, të cilëve Partia Socialiste ka detyrimin t’u trokasë në derë dhe t’u ofrojë mundësinë për të folur përmes Partisë Socialiste, për t’i mbështetur dhe për të rritur cilësisht reformat tona.


Partia Socialiste nuk mund të jetë hapësira ku tema kryesore është “dua një punë në shtet” dhe “pse hyri në punë ky dhe nuk hyra në punë unë”. Sepse ka një Shqipëri që sigurisht ka nevojë për një punë, por ka edhe një Shqipëri që punon dhe që përbëhet nga komponentë të fortë të shoqërisë, që kanë pa dyshim halle, shqetësime, probleme që nuk lidhen me thjesht kam apo s’kam një vend pune, por që lidhen me shumë aspekte të tjera të cilësisë së jetës. Për këtë arsye, ne duhet të shikojmë me shumë këmbëngulje në të gjitha këto drejtime dhe t'i japim mundësi strukturës sociale të organizatës së Partisë Socialiste që të diversifikohet, që të bëhet e larmishme në përbërjen e saj dhe Partisë Socialiste, që në 25 vjetorin e saj në qershorin e ardhshëm të shënojë vërtet 150 mijë anëtarë, por njëkohësisht të pasqyrojë përmes kësaj anëtarësie të gjithë spektrin e shoqërisë.

Sigurisht në këtë aspekt është e domosdoshme që të ne shohim me shumë më tepër besim dhe kuraje nga të rinjtë, por është po kaq e domosdoshme që të mos vëmë asnjë kufi moshe në këtë këndvështrim, por të përfshijmë çdo moshë. Natyrisht, duke pasur si prioritet të padiskutueshëm rritjen e numrit të grave dhe vajzave në përbërjen e organizatës së Partisë Socialiste.

Zgjedhjet e kaluara vendore treguan shumë qartë që teoria e famshme “nuk ka gra në fshatin tonë” ishte një muhabet burrash me një gotë rakie në dorë.

Gratë dhe vajzat janë sot të pranishme në numër të barabartë me burrat në të gjithë këshillat bashkiakë të Republikës së Shqipërisë dhe pa as më të voglin dyshim mund të jenë dhe duhet të jenë të pranishme në mos njësoj sa burrat, në një përqindje shumë më të lartë seç janë sot, në çdo organizatë socialiste, deri në fshatin më të largët.

Gratë dhe vajzat kanë nevojë të ftohen dhe të afrohen, duke i dhënë besim dhe duke iu krijuar në momentin e parë hapësirën që ia kanë zënë burrat, që ia kanë zënë padrejtësisht duke i vënë kurrizin derës.

Partia Socialiste duhet të vazhdojë brenda vetes një proces që në qeverisjen e vendit e kemi bërë prioritar dhe në reformat tona është prioritar, procesin e një ekuilibri të ri gjinor që është drejtpërdrejtë i lidhur edhe me ekuilibrat e rinj ekonomikë që duhet të ketë vendi në rrugën e rritjes.

Po të shikosh ekonominë e çdo vendi, flas për vende normale dhe shoqëri të lira dhe të shikosh pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në jetën sociale, kupton qartësisht që janë dy komponentë të lidhur me njëri-tjetrin. Aty ku gratë dhe vajzat janë më të diskriminuara, aty edhe ekonomia është më e dobët.

Është shumë e rëndësishme po ashtu që të mos humbasim asnjëherë fokusin nga pikënisja, jo për t’u krahasuar thjesht me kundërshtarët, - gjë që sigurisht do ta bëjmë, se e bën kushdo në procesin demokratik në çdo vend, - por për të kuptuar që sfidat që kemi zgjedhur janë jo vetëm të mundura, por janë edhe në rrugën e realizimit të tyre.

Kanë kaluar vetëm dy vjet kur Shqipëria kishte ngecur në batakun e një stanjacioni të fortë ekonomik dhe ku qeveria e Shqipërisë mbijetonte duke prerë shirita, me para të marra borxh me dhunë nga kompanitë. Që do të thotë që të gjitha ato kontrata për rrugët që inauguroheshin me daullet e entuziazmit paraelektoral apo elektoral paguheshin me paratë e kompanive dhe qeveria thellonte gropën e një borxhi që, kur ne morëm detyrën, kishte mbërritur në 720 milionë dollarë. Dhe këto jo vetëm për rrugët që u lanë rrugëve, për rrugët që ende sot vazhdojnë kërkojnë para për t’u përfunduar, por edhe për ilaçet nëpër spitale, për bankat e shkollave dhe për shërbime të tjera, deri tek arka e Ministrisë së Kulturës, që kishte edhe ajo borxhet e saj.

Nuk janë të para 200 viteve, as të para 40 viteve, por janë vetëm përpara dy vjetësh, pamjet e njerëzve të dëshpëruar në kangjellat e spitaleve, që ulërinin sepse nuk kishte ilaçe dhe sepse mjekët u jepnin në dorë receta dhe i nisnin rrugëve për të gjetur ilaçe.

Nuk janë të përpara 200 apo 40 vjetëve, por janë përpara dy vjetëve, edhe të gjitha krizat e tjera në çdo sektor.

Askush nuk thotë dot, një sektor të vetëm që nuk ishte në krizë, si e gjithë ekonomia kombëtare, ashtu edhe ekonomia familjare e atyre që jetonin me një biznes të vogël dhe paguanin taksa më shumë sesa bizneset e mëdha, e atyre që jetonin me një furrë buke në Berat dhe paguanin taksë më të lartë sesa Sheratoni në Tiranë.

Energjia ishte një sektor në një krizë që dy vjet më parë rrezikonte të merrte me vete në humnerë mbarë vendin, përmes një kolapsi që dukej i pashmangshëm i të gjithë sektorit energjetik dhe që mund të kthehej në një bombë që të hidhte në erë të gjithë ekuilibrat socialë të vendit. Një sektor, me një kompani shpërndarje të energjisë elektrike që në vitin 2007 filloi punën e vet nga e para, me zero borxhe dhe në vitin 2013 kishte një miliardë dollarë borxhe, afro 6% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Me 52% humbje çdo muaj, jo vetëm nga rrjeti i amortizuar dhe i ndërtuar në kohën kur një pjesë e mirë e sallës këtu nuk kishte lindur akoma, një rrjet që nuk përballon dot kërkesat për energji në zona urbane që sot janë të dy dhe trefishuara në numrin e familjeve dhe të mjediseve të banimit, por në radhë të parë nga vjedhja. Nga vjedhja e paskrupullt, me bekimin e qeverisë. Një vjedhje e kthyer në një sistem të tërë kombëtar, nga mungesa e plotë e kërkesës së llogarisë, por edhe e vetëdijes se borxhet e akumuluara për mospagesë të energjisë duheshin paguar dhe nuk duheshin lënë si lak në fytin e qytetarëve.

E njëjta gjë me arsimin. Një sistem arsimor i marrë fund, i korruptuar deri në palcë, me mbi 600 tekste që ishin me demek rezultat i demokratizimit dhe i diversifikimit të burimeve të dijes, por që në fakt ishin produkt i një sistemi korrupsioni, që për vite të tëra i mori frymën fëmijëve, mësuesve, prindërve. Tekste shkollore që nuk i kuptonin mësuesit, prindërit dhe fëmijët dhe lanë në paaftësi kushedi se sa fëmijë, nga pikëpamja e dijes. Me një sistem të rekrutimit të mësuesve, të bazuar tek tarifat e korrupsionit dhe tek epshet e partisë në pushtet. Me një denigrim të figurës dhe të autoritetit të mësuesit, që nuk e kishte njohur historia e Shqipërisë që në kohën e “udhës së shkronjave”.

Pa folur për shëndetësinë. Një situatë ku spitalet ishin katandisur si spitale të fronteve të luftës dhe ku e vetmja gjë që s’kishte ardhur akoma, por që rrezik do t’i vinte dita, ishte të bëheshin operacionet me sharrë drush si në kohën e luftës, se nuk bëhej fjalë as për çarçaf, as për batanije, as për serume, as për aspirina, as për tetraciklina dhe nuk bëhej fjalë për të njohur brenda në spital se kush ishte infermierja dhe kush ishte pacientja, kush ishte mjeku dhe kush ishte hallexhiu, të tërë me xhupa dhe rroba rruge. Pa diskutuar ngrohje e ftohje.

E kështu me radhë çdo sektor.

Sot, vetëm dy vjet kanë kaluar dhe ne kemi tejkaluar parashikimin e programit tonë për biznesin e vogël. I kemi premtuar biznesit të vogël heqje të taksës biznesit të vogël, ajo taksa e famshme, e dyfishtë, antikushtetuese dhe përgjysmim të Tatimit mbi Fitimin.

Që në vitin e parë e ulëm me 25% taksën për biznesin e vogël, nga taksa e sheshtë 10% në 7,5%.

Ndërkohë që rritëm me 50% taksën për biznesin e madh. Nuk e kemi fshehur kurrë, përkundrazi e kemi thënë qartë, duam një taksim të ndershëm, kush fiton më shumë do të paguajë më shumë. Kush na mban fjalime për rritje taksash, në qoftë se i referohet kësaj rritje taksash, atëherë po, e kemi rritur këtë taksë, sepse e kemi paralajmëruar që në fushatën tonë elektorale që do të rrisim taksat për më të pasurit, do të rrisim taksat për biznesin e madh. Nuk mund të paguajë një biznes i madh aq sa paguan një biznes i vogël dhe nuk mund të paguajnë të dy bashkë 10%. Biznesi i madh duhet të paguajë 15% dhe nuk do të rritet më tutje. Biznesi i vogël duhet të paguajë 50% më pak.

E ja ku kemi ardhur sot, kemi zeruar taksën, tatimin e fitimit për 83.500 biznese të vogla që kishin xhiro nga 0-50 milionë lekë, ndërkohë që kjo fashë deri dje ishte nga 0-20 milionë lekë. Ndërkohë që për biznesin e vogël që ka një xhiro nga 50-80 milionë e kemi realizuar zotimin elektoral, e kemi ulur taksën në 5%, pra, nga 10% në 5%, përgjysmim i plotë i taksës.

Kam dëgjuar shumë kukuvajka që të flasin për këtë çështje dhe të predikojnë se do të prishet sistemi, se nuk do të luftohet informaliteti etj.. E kundërta është e vërtetë.

Ashtu sikundër e kundërta është e vërtetë, për të gjitha ato që thuhen lidhur me masat drastike që kemi marrë qëllimisht me gjobat dhe ndëshkimet penale. Vetëm në Shqipëri mund të bëhen diskutime të tilla dhe mund të ankohen përse janë gjobat kaq të larta. Gjobat janë të larta për ata që shkelin ligjin. Për ata që nuk shkelin ligjin, gjobat nuk ekzistojnë. Ndëshkimet penale janë për ata që bëjnë evazion, ndërkohë që për ata që respektojnë ligjin nuk ekzistojnë. Jemi një vend që trashëguam numrin më të madh të gjobave, por nivelin më të ulët të tyre. Shumë gjoba, pa asnjë efekt. Si mund t’i vësh gjobë qesharake, dikujt që e ka status social që kur ndizet drita e kuqe në semafor, të kalojë me makinën e vet fuoristradë në mes të rrugës! Duhet t’i vësh një gjobë që paaftësia për të dalluar ngjyrat, t’i kthehet në aftësi për të kuptuar kush është jeshilja, e verdha dhe e kuqja. E nëse pastaj do të bëjë të fortin, ta bëjë të fortin, por të paguajë gjobën.

Sot, respekti për semaforin, që ishte diçka e panjohur në Republikën e Shqipërisë kur vinte puna tek ministra e deputetë, biznesmenë e të fortët e lagjes, është kthyer në respekt i të gjithëve ndaj rregullit. E sigurisht që këtë efekt e bën gjoba, e cila është shumë e lartë dhe shumë e merituar për ata që e shkelin semaforin.

E njëjta gjë tek biznesi. Si mundet të bësh evazion dhe të mos ndëshkohesh!  Uli Hoeneß është legjendar në historinë e Gjermanisë, por është në burg për evazion fiskal. Madje nuk vajti fare në Apel. Sapo mori dënimin në shkallë të parë, kërkoi falje para popullit gjerman dhe iku vetë. Sepse kishte bërë një krim. Fshehja e të ardhurave është krim!

Ndërkohë, çfarë do t’i kërkojmë ne biznesit të vogël, që ia kemi bërë taksën zero? Është një taksë zero që ka disa kushte dhe kushtet nuk janë financiare, por janë morale, qytetare dhe ligjore. Do t’i kërkojmë që për çdo mall që ka në dyqan, të ketë faturën tatimore nga ai që e ka blerë, sepse kështu do të pengojmë të madhin që përmes të voglit të bëjë evazion. Do t’i kërkojmë natyrisht që të japi kupon për çdo mall që shet. Sigurisht, duke kërkuar këto, i kërkojmë që të jetë aleat i shtetit dhe i qeverisë në luftën kundër informalitetit.

Nëse një biznesmen i vogël, një tregtar një i vetëpunësuar në një biznes të vogël refuzon të marrë mall pa faturë tatimore, i bëhet barrikadë evazionit fiskal dhe e detyron të madhin që të lëshojë faturë tatimore për çdo mall. Kështu krijon kushtet që atë që ne heqim nga arka e shtetit, për t’ia dhënë familjeve që janë të vetëpunësuar përmes biznesit të vogël, ta marrin disafish në arkën e shtetit nga të mëdhenjtë, që prej 20 e kusur vitesh jetojnë me evazion. Besoj se kjo është krejt normale.

Ashtu sikundër është krejt normale që për 15 900 biznese që janë mes xhiros 50 milionë dhe 80 milionë të përgjysmohet taksa, të bëhet 5%. Por sigurisht, edhe përkundër detyrimit për të pasur faturë tatimore për çdo mall që kanë në gjendje dhe për të lëshuar kupon për çdo mall që blejnë konsumatorët.

Kjo do të na çojë në një rritje të re të të ardhurave, për të bërë investimet që na duhen.

E hodhëm një hap të parë, shumë të rëndësishëm. Për herë të parë në historinë e tranzicionit bëhet një buxhet ku nuk është me problem gropa e energjisë dhe ku paratë që vijnë nga kontributi i taksapaguesve nuk hidhen për të mbushur gropën e hapur nga hajdutët e energjisë.

Kjo do të thotë se sot, ne jemi gati me një buxhet që t’i japë bashkive të vendit më shumë para se asnjëherë më parë. Nëse nuk do të kishim bërë reformën në energji, nuk do t’i kishim këto para. Nëse nuk do të kishim bërë reformën në energji, Berati nuk do të kishte marrë para dy-tre javësh, paratë për të vazhduar projektin e nisur, që po e transformon Beratin. E nuk është një transformim kozmetik, por një transformim ekonomik. Jemi të gjithë dëshmitarë që me rrugën që po përfundon dhe me çfarë po ndodh në Berat, rritja e numri të vizitorëve është disafishuar. Që do të thotë se njerëz që vijnë e vizitojnë, rrisin konsumin këtu, rrisin aktivitetin e biznesit, të hotelerisë. Deri para dy vitesh ishte e lehtë të blejë një shtëpi në Kala. Sot nuk e blen dot më, sepse është rritur vlera e pronës. E njëjta gjë, edhe me vlerën e apartamenteve.

Por duhej bërë ajo reformë, që të liroheshin ato para.

Vitin e ardhshëm do të vazhdojmë të financojmë. Po bëjmë programin e parë të financimit të rrjeteve të kullimit dhe të vaditjes, në bashkëpunim me bashkitë. Gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë, edhe pse në dy vite kemi pastruar më shumë kanale ujitëse dhe kulluese sesa në 25 vjet, të marra sëbashku.

Tani që kemi bashkitë e mëdha, me këtë program, që në fillim të vitit të ardhshëm do të financojmë të gjithë pastrimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese, me një fond të veçantë.

Po të mos kishim bërë reformat, nuk do t’i kishim këto lekë. Do na kishin shkuar 150 milionë dollarë, 200 milionë dollarë, 250 milionë dollarë e ku i dihet sa do të shkonte fatura për të mbajtur dritat ndezur, për të mbushur gropën e hapur nga hajdutët dhe nga hajdutëria.

E kështu me radhë, për të ardhur tek punësimi. Punësimi është një problem sot, kudo. Kudo, të gjitha qeveritë ndeshen me papunësinë, veçanërisht me papunësinë e të rinjve. Por është fakt që në fund të vitit 2013, - nuk flas me statistika, por me librat e llogarive të shtetit, - në shtetin shqiptar ishin të regjistruar 471 248 vetë si të punësuar.

Kush punonte në të zezë, sigurisht që nuk quhej dhe nuk quhet edhe sot, i punësuar, me standardet demokratike të punësimit. Është skllav dhe jo i punësuar, dikush që jeton sot për sot, me bukën e përditshme që e garanton çdo ditë dhe për nesër nuk e di nëse do ta ketë apo jo, sepse nesër mund t’i vijë mandata nga pronari dhe përfundon në rrugë. E nëse i ndodh, nuk ka më asgjë, se nuk ka as sigurime shëndetësore dhe as sigurime pensioni.

Ndërkohë që në tetor të 2015, kemi 627 014 të punësuar. Janë vende të reja punë, janë edhe vende punë të formalizuara. Kur kemi folur për 300 000 vende pune, ne e kemi bërë shumë të qartë; Për ne vende pune quhen vende pune që ekzistojnë në librat e llogarive të shtetit, jo vende pune, siç i llogariste Saliu, që kush është në fshat, është i punësuar. Flasim këtu për sektorin jobujqësor.

Më e bukura është që njësoj si për taksat, edhe për dritat, më shumë bërtasin, bërtisnin e do të vazhdojnë të bërtasin ata që nuk paguanin drita, ata që nuk paguanin taksa. “I kemi taksat shumë të larta”, “Na rrite taksat”, “Na shkatërrove me taksat”, shkruajnë në Facebook nga kafeneja, ata që nuk i kanë thënë një ditë punës mirë mëngjes! Presin nga aty punë në shtet. T’u thuash shkoni tek zyrat e punës, janë 26 000 e disa qindra vende pune në dispozicion dhe sigurisht ka vende pune në dispozicion që kërkojnë specialistë të mirëfilltë me master, por shumica janë vende punë për punëtorë. Në qoftë se do punë, shko punë, në qoftë se do  një pension dhe një kompjuter që të lozësh me letra në zyrat e shtetit, kjo është histori tjetër. Por taksa nuk ke paguar asnjë ditë, se nuk ke punuar asnjë ditë, sepse nuk do të punosh.

Ndërkohë e vërteta është që, siç u zotuam, që në vitin e parë, në paketën e parë fiskale për 2014-n, ne ulëm taksat për 97% të shqiptarëve që paguanin taksa nga rroga e tyre në sektorin publik apo privat. Faktikisht janë 230 dollarë në vit, mesatarisht, të përfituara nga çdo individ që ka një rrogë. Dhe kjo është një ulje taksash që ka rritur pagën mesatare me 7.5%. Rritja më e madhe e rrogave, krahasuar me të gjitha vitet e Saliut dhe të kukuvajkave që sot bërtasin pse nuk rriten rrogat.
 
Ndërkohë që gjithë rajoni ka ulur rroga dhe pensione, ne i kemi rritur ato, duke ulur taksat.

Sigurisht, me vazhdimin e reformave do të vijë dita shumë shpejt që të rrisim edhe rrogat, edhe pensionet, siç zeruam taksën për biznesin e vogël, falë reformave. 

Reformat nuk bëhen që njerëzit të vuajnë pafund, por bëhen që t’u jepet fund vuajtjeve të gjata që vijnë si rezultat i mungesës së tyre. Mos bësh reforma dhe të mbyllësh sytë përpara nevojës për to është njësoj si një trupi të sëmurë me kancer t’i refuzosh terapinë se është e dhimbshme dhe ta lësh të vdesë. Kancer në çdo sektor, kancer që e kishte marre peng gjithë organizmin e Shqipërisë. Me këtë kancer luftojmë përmes këtyre reformave.

Por, nëse më pyesni mua sot, a duhet të jeni të lumtur, sipas meje, me çfarë kemi sot, sigurisht që jo, nuk jemi ende në kushtet kur mund t’u kërkojmë njerëzve të jenë të gëzuar se ne ia kemi dalë transformimit për të cilit po luftojmë përditë. Ajo që ne kërkojmë me plot gojën dhe me sinqeritetin më të madh është që njerëzit të jenë të inkurajuar dhe besimplotë se jemi në rrugën për t’ia dalë, sepse po bëjmë operacionet e duhura, të dhimbshme, por të duhura.

Ju kujtohet se ç’propagandë e shëmtuar kukuvajkash për rritjen e çmimit të energjisë elektrike; “Do rritet çmimi! Të dalim në revolucion! Të dalim në kryengritje!” Çmimi është më i ulët sesa ishte faktikisht. Çmimi mesatar i energjisë elektrike ishte 10.5 lekë, sot është 9.5 dhe lavdi Zotit që ky popull nuk është një tufë delesh, siç duan ta trajtojnë dhe faturat i kanë në shtëpi.

Ashtu sikundër, si asnjëherë më parë kemi vënë në dispozicion 16 milionë dollarë për familjet në nevojë, që të përballojnë heqjen e fashës së famshme që u bë për familjet në nevojë dhe u kthye në strehë për gjithfarëlloj spekulantësh e mashtruesish të ligjit. Njerëz me vila apo me kapanone që paguanin si familje në nevojë! Ata nuk mund ta bëjnë më këtë gjë, ndërkohë që familjeve në nevojë u japim paratë.

Sigurisht që ka ende shumë për të bërë, por e vërteta është që në 2 vjet, numri i bizneseve aktive është shtuar me 45 600 biznese të reja. Këto janë biznese që nuk i numërojmë ne, sipas qejfit, por që janë biznese që paguajnë taksa dhe që janë të regjistruara. 82 milionë dollarë i kemi kthyer ne vetëm për TVSH-në që duhet të rimbursohej sipas ligjit dhe që Maliqi që kishim nuk ua rimbursonte kompanive.

Sot jemi në kushtet kur kemi shlyer pothuajse 100% të parave që i gjetëm borxh ndaj të tjerëve, 720 milion dollarë. Pjesa e vogël që ka mbetur  pashlyer nuk është sepse ne nuk kemi mundur apo nuk kemi dashur, por është për shkak dokumentacioni, pasi ne kemi marrë përsipër të shlyejmë të gjitha borxhet e prapambetura, edhe ato të kohës së Saliut të parë.

Po sikur të mos ta kishim këtë nevojë, sikur pas marrjes së detyrës, të mos na kishte dalë përpara ky mal me borxhe të fshehura, që nuk i tregonin dhe që nuk ishin të përfshira te borxhi?

Thonë “keni rritur borxhin”. Gjithfarëlloj kukuvajkash e teologësh të ideologjive ekonomike, të marra fund e të paprovuara asnjëherë në fakt, na thonë keni rritur borxhin. Si e kemi rritur borxhin? Ne e kemi legalizuar borxhin. Borxhi ishte aty dhe e mbanin fshehur. 720 milionë dollarë borxh, njerëzve nuk u tregonin. Siç tha atëherë një ministër në Komisionin e Ekonomisë për kompanitë, e kanë detyrim patriotik të shtrojnë rrugën, edhe po s’morën lekët. Po mos ta kishin pasur këtë barrë dhe këto 720 milionë dollarë t’i kishim marrë borxh për të bërë investime, ku do ishim sot, çfarë do kishim më shumë? Shumë më shumë do kishim bërë! Por nga ana tjetër zgjodhëm të bëjmë gjënë e duhur, sepse një shtet që u ka borxh qytetarëve, kompanive, nuk mund t’u kërkojë, në këndvështrimin tonë, të zbatojnë ligjin dhe të paguajnë çdo qindarkë detyrime. Një shtet që sillet si i fortë dhe që nuk respekton kontratën dypalëshe me ata që hyjnë në kontratë me të për të dhënë shërbime, është një shtet i marrë fund. Kështu ishte para 2 vitesh.

Dy vjet më parë, ju jeni të gjithë dëshmitarë se kush ishte kryefjala e gjithë takimeve të vogla, të mëdha, kudo ku kishte një dialog në salla të mbyllura, në mjedise të hapura, në qytet, në fshat. Nuk ishte ekonomia, edhe pse ishte copë-copë, nuk ishte bujqësia, nuk ishte arsimi, nuk ishte shëndetësia, nuk ishte energjia, ishte krimi, siguria. Dy vjet më parë, ky ishte problemi më i madh që kishte çdo komunitet. Me një polici që ishte kthyer në një çetë për Portokallinë; Një polici e marrë fund, që shtynte makinat që ngecnin rrugëve se nuk kishin më karburant, sepse edhe karburanti i makinave vidhej; Një polici e tradhtuar deri në palcë; Një polici që nuk bënte dot një operacion, se para se të shkonte në destinacion, nga Ministria e Brendshme ishte marrë në telefon krimineli, që të ikte; Një polici që kishte vërdallë këtu njerëz në kërkim nga vende të tjera, në radhë të parë nga Italia, vrasës, trafikantë, përdhunues, të cilët jetonin të qetë dhe paguanin rentën në kupolën e Ministrisë së Brendshme për të mos u kapur dhe tmerronin dynjanë e turreshin në fushata për llogari të atyre që na kërkojnë me të madhe dekriminalizimin dhe na akuzojnë neve se kriminalizuam politikën. Por nuk ka problem, do votohen ndryshimet kushtetuese dhe do flasim pastaj, me fakte dhe do të shikojmë se kush do jenë ata, ku janë ata kriminelët që do kapë ligji, të kujt janë.

Sot, çështja e krimit vazhdon të jetë një çështje si kudo, por këtë vit kemi numrin më të ulët të vrasjeve në historinë e tranzicionit. Jo vetëm numrin më të ulët, por mbi 50% më pak vrasje se çdo vit i tranzicionit në Republikën e Shqipërisë, krahasuar që me vitin e parë që janë mbajtur të dhënat, vitin 1991. Po të marrësh çdo vit, ky vit është 50% deri 60%, krahasuar me 1997-ën shkon shumë më tepër, më pak vrasje. Policinë nuk e kemi ende aty ku duam, por shikuar me 2 vite më parë, nuk ka krahasim.

Respektin për shtetin kemi filluar ta vendosin me forcën e shembullit dhe jo shembullin e forcës. Për herë të parë, një shumicë qeverisëse ka vënë gishtin e akuzës drejtpërdrejt tek njerëzit e saj, pa na bërë dritë syri. Dhe në vend që minimalisht të mbyllin gojën, se nuk po them që të na e njohin këtë kapërcim historik në mendësi, na tregojnë edhe me gisht. Kush shkel vijën e kuqe që kemi vendosur të respektojmë, duke respektuar Kushtetutën e ligjin, le të jetë kush të dojë, le të jetë ministër, deputet, kryetar bashkie, të jetë çfarë të dojë, vëlla, djalë, motër, dajë i kujtdo, të shkojë dhe të përgjigjet përpara ligjit. Askush nuk ka më imunitet politik dhe askënd nuk do marrim në mbrojtje, kur është fjala për thirrjen e ligjit!

Për këto dhe për të gjitha të tjerat duhet një angazhim shumë i madh, për të ftuar të tjerë në Partinë Socialiste. Këto janë arsye të mjaftueshme për çdokënd që do shtet, për çdokënd që do ndryshim të qëndrueshëm përmes reformave reale, për çdokënd që do t’i hapë rrugë familjes dhe fëmijëve të vet që të jetojnë me dinjitet në këtë vend, duke u bërë pjesë e Partisë Socialiste. Është e vetmja parti në Republikën e Shqipërisë, që së pari nuk është lëkundur kurrë përballë thirrjes së interesit kombëtar. Është një parti që sot udhëheq koalicionin me një vijë të qartë patriotike dhe që i ka kthyer Shqipërisë dinjitetin në sytë e botës në të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare, qoftë me fqinjët, qoftë me të tjerët. Është po ashtu, e vetmja parti që mund t’i bëjë reformat që për 20 e kusur vite u vonuan, u zvarritën, u lanë pas dore, duke jetuar me dhjamin e të shkuarës dhe duke e katandisur shtetin në një rondele të ndryshkur, që nuk i duhet më as dreqit, jo më qytetarëve. 

Shumë faleminderit! 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Gol dhe asist i Sakas, Arsenal e nis me shkëlqim Premier League! Slot dhe Liverpool fitojnë në debutim (VIDEO)

Gol dhe asist i Sakas, Arsenal e nis me shkëlqim Premier League! Slot dhe Liverpool fitojnë në debutim (VIDEO)