"Vetëvendosje", Kurti: Kosovës i
duhet një Republikë e tretë

"Vetëvendosje", Kurti: Kosovës i<br />duhet një Republikë e tretë
PRISHTINË - “Kosova është shndërruar në një shtet, ku as çereku i popullsisë nuk e siguron jetesën nga puna, ku njerëzit vdesin nga varfëria dhe ku qytetarët e këtij vendi ikin për në kampe e burgje të Hungarisë”, ka deklaruar lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në mbledhjen e nëntë të Këshillit të përgjithshëm të kësaj lëvizjeje, raporton KTV.

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se Republika e vërtetë e Kosovës do të jetë ajo në të cilën duhet të ketë demokraci të vërtetë, zhvillim ekonomik dhe drejtësi për qytetarët. Pos qeverisë, ai nuk ka lënë pa kritikuar edhe dy partitë e tjera opozitare, LDK-në dhe AAK-në, të cilat, sipas tij, po e mbështesin partinë në pushtet.
 
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje në mbledhjen XI të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, të mbajtur në Prishtinë, ka thënë se Kosovës i duhet republika e tretë në mënyrë që ajo të fitojë kundrejt të këqijave të këtij pushteti dhe këtyre politikanëve. Kurti ka kritikuar edhe partitë tjera duke thënë se marrëveshja mes Thaçit dhe Daççit jo vetëm që e lidh Serbinë dhe Kosovën, por ajo po i lidh subjektet politike në Kosovë.
 
Kurti edhe sot ka drejtuar një varg akuzash për pushtetin aktual e për partitë në pozitë dhe opozitë, që sipas tij, ato tashmë nuk po e përjashtojnë njëra-tjetrën, pasi nuk e kanë përjashtuar as dialogun me Serbinë.
 
“Me 2 korrik 1990 delegatët e atëhershëm të Kosovës e shpallen Kosovën republikë, ku në tekstin e asaj deklarate janë dy nocione themelore dhe ndërtuese, vetëvendosja politike dhe demokracia autentike. Kështu kuptimi i asaj republike të vitit 1990 na del të jetë rezistenca, që u organizua pas andej në formë të protestave e demonstratave e padëgjueshmërisë qytetare. Le ta quajmë republikën e 2 korrikut si republikë të parë të Kosovës që ishte për rezistencë”, deklaroi Kurti.
 
Kurti tha se me 17 shkurt 2008, përkatësisht 18 vjet më pas, Kosova u shpall shtet i pavarur sërish si republikë. Ai tha se me këtë rast në Kosovën e pavarur u rrit numri i njohjeve nga jashtë, por këtu brenda pësuan rënie edhe mirëqenia edhe demokracia, edhe integriteti territorial edhe demokracia qytetare. E sipas tij, e gjithë kjo për shkak të qeverisjes së mbrapshtë, e cila ishte më pak keq atëherë kur nuk kishte politikë fare se sa atëherë kur kishte.
 
Sipas Kurtit, 17 shkurti 2008 doli se nuk i ndërpreu aspak dy procese me të dëmshme pas luftës, negociatat e padrejta me Serbinë dhe privatizimin e egër dhe abuziv.
 
“Kosova dhe populli i saj kanë nevojë për republikën e tretë të Kosovës. Vetëm një republikë e tretë na shpëton republikën. Kjo republikë e tretë duhet të jetë republikë që kujdesët për paqen stabilitetin dhe sigurinë por ato i sheh si pasoja të natyrshme të demokracisë zhvillimit dhe drejtësisë. Duke i pasur për qëllim vetëm se paqen stabilitetin dhe sigurinë as nuk po arrijmë ato plotësisht me të vërtetë por do t’i humbin dromcat që na kanë mbetur.

Republika e tretë synon demokraci për shoqërinë dhe institucionet zhvillim për shtetin dhe ekonomi, drejtësi për qytetarët dhe njerëzit. Paqja stabiliteti dhe siguria lindin pastaj mes nesh. Sepse fundja paqja pa demokraci stabiliteti pa zhvillim dhe siguria pa drejtësi janë shtypje e shfrytëzim janë robëri e varfëri”, ka thënë me tutje Kurti.
 
Me këtë rast, kreu i VV-së tha se subjekti politik në Kosovë që ka vizion për republikën e tretë është Vetëvendosja, e cila programin e vet politik e ka avancuar në alternativë qeverisëse.
 
Sipas tij, në këtë alternativë janë elaboruar gjerë e gjatë shteti republikan dhe sundimi i së drejtës, politika fiskale, sistemi pensional dhe sigurimi shëndetësore, arsimi dhe shkenca, industria dhe bujqësia, sektori privat dhe sektori i biznesit, mbrojtja dhe siguria për qytetarët, politika e jashtme dhe reciprociteti, integrimi evropian dhe mërgata, pushteti lokal dhe planifikimi hapësinor, kultura dhe trashëgimia kulturore, rinia dhe sporti.
 
Kurti ka kritikuar ashpër edhe partitë tjera, duke thënë se tri subjektet e tjera nuk e përjashtojnë koalicionin mes vete sepse ato realisht janë në koalicion. Sipas Kurtit, Marrëveshja mes Thaçit dhe Daçicit jo vetëm që e lidh Serbinë dhe Kosovën, por ajo po i lidh këto subjekte në Kosovë.
 
“Paradoksalisht, kur janë bërë 5 vjet të pavarësisë, pasardhësi i Millosheviçit jo vetëm që po arrin ta varësojë Kosovën nga Serbia, por ai po e realizon edhe varësinë midis vetë subjekteve politike. Marrëveshja e zhurmshme me Serbinë gjithmonë po kthehet në marrëveshje të heshtur mes PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Sa më shumë këto subjekte tjera bëhen bashkë aq më shumë shtohen sulmet mbi VV-në, sepse pa VV-në nuk do të shihej qartë se sa të njëjta janë këto subjekte. Këto subjekte nuk po e përjashtojnë Serbinë, nuk e përjashtojnë njëra tjetrën por duan ta përjashtojnë VV-në. Për partinë në pushtet dhe regjimin e tij tani po shihet problem VV-ja e jo Serbia. Me Serbinë po merren vesh sa herë po duan, e ne po i pengojmë. Sa mirë që është kështu!”, ka thënë Kurti.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD përsërit kërkesën për qeveri teknike përpara zgjedhjeve, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Gjermani/ Rritet numri i shqiptarëve në krimin e organizuar

Gjermani/ Rritet numri i shqiptarëve në krimin e organizuar