Kongresmeni Eric Swalwell, një nga kandidatët kryesorë për të qenë guvernatori i ardhshëm i Kalifornisë, mohoi me forcë akuzat për sulm seksual, ndërsa përballet me thirrje në rritje për t’u tërhequr nga gara nga mbështetës të rëndësishëm, rivalë dhe kolegë të tij në Kongres.

Në një deklaratë video të shpërndarë në Instagram dhe të publikuar nga llogaria e tij zyrtare në X, demokrati nga Kalifornia u zotua se do t’i luftojë akuzat me “gjithçka ka”.

“Këto akuza për sulm seksual janë krejtësisht të rreme. Janë absolutisht të rreme, nuk kanë ndodhur. Nuk kanë ndodhur kurrë. Dhe unë do t’i luftoj me gjithçka kam. Nuk pretendoj në asnjë mënyrë se jam perfekt apo një shenjtor. Kam bërë gabime në gjykim në të kaluarën. Por ato gabime janë mes meje dhe bashkëshortes sime dhe i kërkoj ndjesë thellësisht që e kam vendosur në këtë situatë. Kërkoj falje edhe ndaj jush nëse në ndonjë mënyrë keni vënë në dyshim mbështetjen tuaj për mua. Por mendoj se e dini kush jam”, tha ai.

Ai gjithashtu duket se konfirmoi se do të vazhdojë në garë: “Këtë fundjavë do të kaloj kohë me familjen dhe miqtë, dhe i vlerësoj ata që më kanë mbështetur. Pres t’ju informoj shumë shpejt.”

Më herët të premten, “San Francisco Chronicle” publikoi dëshminë e një gruaje që pretendon se është sulmuar seksualisht nga Swalwell në dy raste të ndara.

Gruaja tha se ishte ish-punonjëse e Swalwell, i cili përfaqëson zonën East Bay që prej vitit 2013. Ajo deklaroi se kishte pasur marrëdhënie seksuale me të kur ai ishte shefi i saj dhe pretendoi se ai e kishte sulmuar seksualisht kur ajo ishte shumë e dehur për të dhënë pëlqimin. “Chronicle” tha se kishte shqyrtuar mesazhe që lidhen me ngjarjen e pretenduar të vitit 2024 dhe kishte folur me miq të saj që ajo i kishte informuar. Gruaja foli gjithashtu me CNN, ndërsa tre gra të tjera akuzuan kongresmenin për sjellje të papërshtatshme seksuale në intervista me rrjetin.

Avokatët e fushatës së Swalwell u dërguan dy prej grave letra paralajmëruese për ndalimin e deklaratave, duke i quajtur pretendimet “të rreme” dhe duke kërkuar tërheqjen e tyre, raportoi CNN. Raportimet erdhën disa ditë pasi në rrjetet sociale qarkulluan postime që pretendonin se një numër grash do të dilnin publikisht me akuza për sjellje të papërshtatshme nga Swalwell. Në një takim me qytetarët në Sacramento më herët këtë javë, Swalwell i hodhi poshtë këto pretendime si “të rreme” dhe sugjeroi se ishin të orkestruara për të dëmtuar fushatën e tij.

Swalwell, platforma e të cilit fokusohej te përballueshmëria dhe shtresa punëtore, kohët e fundit ishte shfaqur si një nga favoritët në një garë të fortë mes demokratëve për të pasuar Gavin Newsom. Në mediat televizive ai ka qenë shpesh një kundërshtar i ashpër i Donald Trump dhe është pozicionuar si një politikan që mund ta përballet me të. Lajmet për akuzat tronditën fushatën dhe disa demokratë të rëndësishëm, përfshirë liderin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, i kërkuan të tërhiqet nga gara. Tre punonjës të fushatës, përfshirë ish-këshilltaren Courtni Pugh, konfirmuan për Politico se janë larguar nga fushata.

Senatori i Kalifornisë Adam Schiff, një nga mbështetësit më të rëndësishëm të Swalwell, njoftoi se po tërhiqte menjëherë mbështetjen dhe i kërkoi të largohej nga gara. Edhe senatori i Arizonës Ruben Gallego, mik personal i Swalwell, i cili pak ditë më parë e kishte mbrojtur atë, tërhoqi mbështetjen. “Ajo që përshkruhet është e pajustifikueshme. Gratë që dalin me këto akuza meritojnë të dëgjohen me respekt,” tha ai.

Në një deklaratë, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se “kjo çështje shumë e ndjeshme duhet të hetohet me transparencë dhe përgjegjësi të plotë” dhe shtoi se kjo duhet të bëhet jashtë një fushate për guvernator.

Rivalët demokratë të Swalwell gjithashtu i kërkuan të ndalojë fushatën. Ish-kryetari i Asamblesë së Kalifornisë, Antonio Villaraigosa, e quajti përpjekjen për të heshtur viktimat “një turp për demokracinë”. Ish-kongresmenja Katie Porter shprehu solidaritet me gratë që kanë dalë publikisht: “Ju besojmë dhe jemi me ju,” shkroi ajo. Ndërkohë, republikani Steve Hilton sugjeroi se rasti është një goditje për Partinë Demokratike të Kalifornisë, duke thënë se ajo kujdeset vetëm për pushtetin, pavarësisht retorikës për barazi gjinore dhe vlera.