Ish- Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, është shtruar sërish në spital. Ai ka zgjedhur të shkojë në Spitalin Rajonal të Vlorës dhe jo në ndonjë klinikë private, siç ndodhi disa vite më parë kur pati probleme kardiake.

Është vetë ish-numri një i qytetit bregdetar përmes një postimi në Facebook i cili njofton se ndodhet i shtruar në spital, por pa specifikuar problemin shëndetësor, megjithëse nuk përjashtohet që Gjika të ketë sërish probleme me zemrën. "Pit stop sot në spitalin e Vlorës! Nga stresi më thanë mjekët! Ja fusin kot, ç'ne stres unë!", shkruan Gjika. 

Rreth dy vite më parë, Shpëtim Gjika iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Si shkak mjekët përcaktuan stresin, pasi në atë kohë, Gjika, ende në krye të bashkisë së Vlorës, po hetohej për tjetërsim prone dhe ndërtim pa leje. 

Ndërkohë, ajo që bie në sy në profilin e Gjikës, janë komentet e ndjekësve të tij. Mes shumë mesazheve që i urojnë shërim të shpejtë, një qytetar i shkruan: “Vodhe gjithë Vlorën. E mbushe me beton”. Ndërsa përgjigja e Gjikës është surprizuese: “Motren tënde nuk e vodha, më erdhi vetë me qejf!”.


shpetim gjika
(Shpëtim Gjika në spitalin e Vlorës)

gjika
(Komentet në Facebook-un e Gjikës)



Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com