Qytetërimit europian i duhet guxim që të ngrihet mbi fushatën Ruse të panikut e frikësimit

Qytetërimit europian i duhet guxim që të ngrihet mbi fushatën Ruse të panikut e frikësimit

Nuk është vetëm Ukraina që jeton me frikën e një pistolete ruse të mbushur e të drejtuar në kokë. Pak a shumë, në të njejtën rrethanë janë një pjesë jo e vogël e shteteve të Europës. Larguar në kohë, distanca nga vitet kur mbyllej një epokë e errët e qytetërimit, Lufta e Dytë Botërore, të bën më të kthjellët për të kuptuar se kur ka qenë momenti që Rusia, tashmë (pas pushtimit të shumicës së popujve fqinjë) e quajtur Bashkim i Republikave Socialiste Sovjetike, “me pistoletë në brez”, vuri me arrogancë veten në krye të vendimmarrjeve? Me epërsi të dukshme nga ata, që deri dje i kish patur kundërshtarë, në Jaltë, Stalini u vuri si kusht aleatëve se kufirin e tij perëndimor e do tej vijës Oder-Naise.

Mirëpo, brënda kësaj vije, në lindje, ndodhej Polonia, shteti për të cilin filloi lufta e që për mbrojtjen e pavarësisë së saj Britania dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë. Dhanë e morën Ruzvelti me Çurçillin t’i ndërronin mëndjen, e mikluan me rikthimin e tokave që Rusia cariste kish humbur nga lufta me Japoninë në vitin 1905, madje i premtuan dhe ishujt Kurile, nuk u ndjenë për shtetet e Balltikut, as për territoret finlandeze, as me mbajtjen e Mongolisë si koloni, por Stalini nuk ndërroi mëndje. 63 milion të vdekur në këtë luftë dhe një Europë e rrënuar dhe e zhytur në mjerim, nuk kishin mjaftuar për t’u vendosur paqja. Ruzvelti ndërroi jetë, Çurçilli humbi zgjedhjet, për të lënë postin, si për të paralajmëruar cakun e parë të fillimit të luftës së ftohtë, që do ngërthente botën për afërsisht gjysëm shekulli. Kjo është dhe periudha që Putinin e bën krenar, e bën nostalgjik dhe u kujton rusëve se sa e dashur ka qënë për ata Bashkimi i Madh Sovjetik.

Më kujtohet dita kur në klasën e 5-të filluam lëndën e gjuhës së huaj, rusishtes. Orën e parë mësuesja jonë e filloi, duke na folur për Bashkimin Sovjetik, për vëndin që zë një të gjashtën e planetit Tokë, për popullin e lumtur, për epërsinë e sistemit komunist dhe për armët bërthamore që ajo zotëron e që me ato mbron sistemin e të ardhmes së njerëzimit. Ne nxënësit e dëgjonim me admirim dhe ato bombat i përfytyronim me kureshtje e dashuri, siç shikonim topin e futbollit e lodrat e tjera. Kur kjo epokë dashurie mbaroi për të filluar ajo me Kinën, ne adoleshentët e atyre viteve burrëroheshim kur dëgjonim se shoku Enver na e paskesh porositur Beqir Ballukun, gjatë vizitës që do bënte në Kinë, që t’i kërkonte Mao Ce Dunit nja 3-4 bomba atomike (!?).

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara shkollat vendosën orë mësimore për mbrojtjen nga armët bërthamore, Europa atë botë u bunkerizua me ndërtime. Më tej vitit 1982, kur palët armëmbajtëse atomike vendosën e firmosën një dokument për mospërdorimin e tyre, pason një periudhë që ato u lanë në harresë. Tani, që armët bërthamore janë të pranishme në bisedat mes njerëzve, qofshin udhëheqës shtetesh apo banorë fisesh në Guine Papua, ndjehemi të kërcënuar vetëm duke i përmendur.

Zvicra, e para, inspektoi dhe i bëri gati këto ditë bunkerët antibërthamorë. Polonia sapo bëri të njohur publikisht se është e gatshme të presë instalimin në territorin e saj të armëve bërthamore. Është një përgjegje kjo ndaj kërcënimeve të egra që Putin, gjeneralët që mban rreth vetes dhe klani i tij pushtetmbajtës, nuk ngurruan ta bëjnë me përdorimin e armëve të shfarrosjes në masë.

Kërcënimet ruse nisën që ditën e parë të agresionit kundër Ukrainës, kur Putini i kujtoi SHBA-ve dhe Europës, me gjasa se këto do ishin ato që do ta kundërshtonin hapur agresionin fashist rus, se ata ishin vend

që zotëronin armatimin bërthamor, prandaj “Kujdes!”. Herë pas here Rusia kërcënon se do të ndëshkoj dhe godas të gjitha ato vënde që ndihmojnë me armë Ukrainën. Secili mburret me aq sa i mungon arsyeja-është një thënje e mënçur e popullit. Vleka kjo edhe për shtetet!

SHBA-ja nuk ka dashur të hynte në luftë me Gjermaninë dhe mbase nuk do kish ndodhur kjo nëse nuk do ishte sulmuar nga Japonia në Përl Harbor. Ata e ndjenin se civilizimi ishte përballë një rreziku të madh, luftë nuk donin, por dhe ndihmën donin t’ia jepnin Europës. Në mars 1941 Kongresi gjeti rrugën të miratonte një ligj që u quajt “I qirave të gatshme”. Përmes këtij ligji i lejohej të huazonte materiale lufte çdo vëndi, “…mbrojtja e të cilit cilësohet e rëndësishme për mbrojtjen e vetë SHBA-ve”. Kështu filloi dhe dërgimi drejt Britanisë i dostrejerëve, armëve, avionëve luftarakë, etj., deri sa hynë vetë në luftë.

Sulmi i pamend e i pamatur nga Hitleri kundër Rusisë e gjeti fundin në mbrojtjen që populli rus e ukrainas u bëri trojeve të veta. Stalingradi ishte varri i tyre. Kronistët na ndërmendin se në prag sulmi Hitleri, me mëndjelehtësi, u kish thënë gjeneralëve të tij, “Mjafton rrëzimi i portës”. Të njejtën mëndjelehtësi shfaqi Putini kur parashikoi se mbi supet e ushtarëve agresorë rus do hidheshin ditën e tretë të sulmit buqeta me lule. Besoj se do jetë Kievi, ashtu si Stalingradi, vëndi ku ekspansionistët rusë do shijojnë disfatën. Nëse ndodh që Ukraina të mposhtet, ajo pistoleta që Rusia mban drejtuar mbi kryet tanë, do jetë shantazh e terror i përhershëm?

Para mëse një muaji Gjermania vendosi t’i dërgonte ndihmë Ukrainës disa mijëra helmeta, të cilat nuk besoj se kanë mbërritur, pasi ish kampioni i boksit, Vitali Klitschko, kryetar i bashkisë Kievit, i mori si përqeshje, ndaj u kërkoi, duke e humorizuar aktin, jastëkë në vend të tyre. Gjermania thjesht donte të ruante statukuonë e saj 75 vjeçare, por dhe interesat ekonomike të kombit të vet. Lufta është një botë ku as dashuria dhe as mëshira nuk kanë më vend. Pas dhjetë ditësh, po ajo Gjermani hodhi një hap gjigand për t’i dhënë fund epokës së Merkel, duke vendosur ngritjen e një ushtrie të superarmatosur, në dispozicion të së cilës u vendosën 110 miliard Euro.

Në rrethanat e krijuara, Europa duhet t’i japë fund frikës nga kërcënimet. Duhet që të zgjidhi dhe heqjen e vartësisë energjitike, që kërcënimi i Rusisë të mbetet përfundimisht një kujtim i largët, por…është larg, ende shumë larg si zgjidhje! Jemi qenje shoqërore e kemi nevojë të jetojmë në paqe. Le të shpresojmë, qoftë dhe nga bisedimet, deri tani pa fryt, të Macron me Putin!

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani