Përurohet Memoriali në kujtim të pritjes dhe stërvitjes së UÇK-së në vitin 1999 në qytetin e Burrelit.
 
Me iniciativë familjarëve të dëshmorit të rënë gjatë stërvitjes së vullnetarëve kosovarë në Mollzë, Halil Gashi nga Landovica e Prizrenit, dhe me mbështetjen e Bashkisë Mat, u inaugurua përmes një ceremonie të veçantë, memoriali i këtyre dy ngjarjeve.
 
Memoriali ka të gdhendur këtë ngjarje si dhe mirënjohjen ndaj ushtrisë shqiptare që përgatitën vullnetarë në muajt Mars, Prill, Maj e Qershor të vitit 1999, në repartin e Mollzës, të cilët më pas iu bashkuan luftës në Kosovë.
 
Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm, udhëheqës lokal si dhe ish- drejtues të brigadës 128, ish- luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prindër e dëshmorit Halil Gashi të cilët me lot në sy ledhatojnë pllakatin ku është i shkruar emri i birit të tyre.
 
Kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, tha se ky memorial do të ngultë mirë në memorie periudhën e vështirë të bashkëkombësve tanë në vitin 1999.
 
“Në fillim të shek XX, padrejtësia që iu bë kombit shqiptar, është padrejtësia më e madhe që i është bërë një kombi dhe më gjerë. Duhej  lufta heroike e UCK  për të arritur këtë ditë që ne po shohim dhe më gjerë. Një kontribut sado modest në këtë drejtim na dhanë dhe qytetarët matjan në luftën e UCK. Në pritjen e vëllezërve dhe motrave kosovare të larguar me dhunë nga serbët. Uroj pjesëmarrësve në luftën e Kosovës dhe i falenderojë për nderin që i bënë qytetarëve matjan me ndërtimin e këtij memoriali”, u shpreh kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani.
 
Shtabi i Brigadës 128 të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, kishte përgatitur nga një certifikatë mirënjohjeje për të gjithë ata që bashkëpunuan për realizimin e këtij memoriali si dhe disa nga ata që dhanë ndihmesën për Ushtrinë Çlirimtarë të Kosovës në vitin 1999.


Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)