SHIJAK- Prej 5 ditësh qyteti i Shijakut ofron një pamje aspak të këndshme dhe të dëmshme për shëndetin e qytetarëve. Mbetjet urbane kanë pushtuar qytetin, pasi prej ditësh bashkia nuk i ka pastruar. Nga një vëzhgim i Report Tv këtë të hënë koshat janë të mbuluar nga mbeturinat.
Prej mëse 1 viti kjo bashki i ka depozituar mbetjet në Sharrë falas, mirëpo kjo gjë nuk mund të vijonte për një kohë më të gjatë dhe nga sa mësohet përfaqësues nga Landfilli i kanë propozuar një marrëveshje kryebashkiakut Arbana, kundrejt një kostoje të caktuar. Arbana ka rënë dakord, por më pas marrëveshja nuk është firmosur nga ai. Burime nga landfilli i Sharrës, thanë se kryetari i Bashkisë së Shijakut ka shtyrë vazhdimisht afatin e kërkuar që andfilli t’i marrë mbetjet urbane të qytetit me kosto falas, deri në firmosjen e marrëveshjes, e cila për arsye të panjohura ende nuk është firmosur prej kryebashkiakut Elton Arbana. Në një komunikim që Report Tv pati me të, kryetari i bashkisë, thotë se situata është e tillë për efekt procedurash. Megjithatë, pasojat bien mbi qytetarët që duhet të përballen me këtë situatë të rëndë.
Landfilli sipas burimeve zyrtare asnjeherë nuk ka pasur një datë të përcaktuar nga Bashkia se kur do firmoset kjo marrëveshje por vetëm justifikime dhe heshtje. Nga ana e landfillit – theksojnë burimet zyrtare - asnjeherë nuk ka pasur vonesa për firmosje, por vetëm gatishmëri. E njëjta panoramë është paraqitur më herët, në kulmin e sezonit turistik edhe në Durrës, Kavajë edhe Fier, ndërsa nuk ka një reagim nga ana e autoriteteve.
Komente









