VATIKAN - Kur na ndajnë më pak se 24 orë nga vizita historike e Papa Françeskut në Shqipëri, edhe radio Vatikani i ka kushtuar një reportazh, në qendër të së cilit janë 40 martirët e vrarë nga regjimi komunist, fotot e të cilëve janë vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe që janë në proces lumturimi.
 
Në reportazhin në fjalë, nënvizohet se portretet e klerikëve të vrarë, që i cilëson befasuese, janë jetët e njerëzve të vërtetë dhe që dhanë jetën në besnikëri të Krishtit dhe besimit që ata kishin.
 
"Portretet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë befasuese për shkak se janë fotografi të njerëzve të vërtetë. Nuk janë imazhe të shenjtorëve, që nuk duken dhe aq të vërteta. Janë foto priftërinjsh dhe seminaristësh, besimtarësh dhe laikësh, që iu nënshtruan torturave të tmerrshme dhe dhanë jetën e tyre në besnikëri të Krishtit dhe Kishës së Tij." thuhet në reportazh

Ndërkohë në fund reportazhi mbyllet me shprehjen e kardinalit Crescenzio Sepe se Kisha në Shqipëri e meriton me të drejtë vendin e saj në librin e artë të martirologjisë në shekullin e 20-të”.

MË POSHTË REPORTAZHI I PLOTË I RADIO VATIKANIT
Çdo vend që mirëpret Papën, i zbukuron rrugët me flamuj, në përpjekje për të lënë një përshtypje të mirë. Por ajo që të bie në sy në Tiranë nuk janë flamujt e papatit dhe ata kombëtarë, por disa banera të mëdhenj me portretet e 40 martirëve shqiptarë.

Çështja e kanonizimit të këtyre shërbëtorëve të Perëndisë u hap zyrtarisht në nivel dioqezian në vitin 2002 nga kardinali Crescenzio Sepe, në atë kohë prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve.

Dhjetë vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, kardinali, duke folur në Katedralen e re në Tiranë, bëri thirrje që të mbahen parasysh sakrificat e kaq shumë dëshmorëve të besimit.

“Këtu, peshkopët, priftërinjtë, murgesht dhe një mori njerëzish, përfshi këtu dhe ata të dobëtit, u masakruan. Kjo nuk ka ndodhur shekuj më parë, por vetëm pak vite më parë”. tha kardinali Sepe.

Luigj Paliqi, një prift françeskan, u vra në vitin 1913. At Gjon Gazulli në vitin 1927. Të tjerët u vranë gjatë viteve të gjata të shtypjes së diktaturës ateiste komuniste.

Kur u hap çështja e tyre në vitin 2002, peshkopi i Tianës, Zef Simoni, tha: “Ata derdhën gjakun e tyre për dashurinë e Zotit Jezus, duke i falur vrasësit e tyre me gjithë zemër”.

Portretet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë befasuese për shkak se janë fotografi të njerëzve të vërtetë. Nuk janë imazhe të shenjtorëve, që nuk duken dhe aq të vërteta. Janë foto priftërinjsh dhe seminaristësh, besimtarësh dhe laikësh, që iu nënshtruan torturave të tmerrshme dhe dhanë jetën e tyre në besnikëri të Krishtit dhe Kishës së Tij.

Historitë e martirizimit të tyre duken si tregimet e shenjtorëve gjatë kohës së përndjekjes më të keqe gjatë perandorisë pagane romake. Dhjetëra mijëra katolikë vuajtën për besimin e tyre në Shqipëri, veçanërisht në vitet e regjimit komunist.

40 martirët, fotot e të cilëve janë vendosur në bulevard drejt sheshit “Nënë Tereza”, ku Papa Françesku do mbajë Meshën e Shenjtë të dielën, përfaqësojnë të gjithë ata që e ruajtën besimin në kishën e heshtjes.

Me fjalët e kardinalit Sepe: “Kisha në Shqipëri e meriton me të drejtë vendin e saj në librin e artë të martirologjisë në shekullin e 20-të”.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)