Një operacion i vështirë shpëtimi u zhvillua mbrëmjen e sotme në fshatin Kapaj të Mallakastrës, ku një 48-vjeçar ra aksidentalisht në një humnerë nga një lartësi rreth 50 metra.
I plagosuri është Fluturim Salobehaj, banor i fshatit Kapaj. Si pasojë e rënies, ai ka pësuar dëmtime në këmbë dhe në pjesë të tjera të trupit.
Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet zjarrfikëse, policia dhe ambulanca. Për shkak të terrenit të thyer malor, ekipet e shpëtimit u detyruan të ndërhyjnë me litarë për të arritur te 48-vjeçari dhe për ta nxjerrë nga humnera.
Pas nxjerrjes, ai u transportua me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Fierit për të marrë ndihmën mjekësore.
Pamjet që shoqërojnë lajmin tregojnë momentet e operacionit të shpëtimit, ku efektivët ecin të lidhur me litarë në terrenin e vështirë për të arritur te i plagosuri.
Njoftimi i Policisë:
Mallakastër/ Bie aksidentalisht në humnerë, shpëtohet pas më shumë se 8 orësh nga Policia dhe Zjarrfikësja, 48-vjeçari.
Në fshatin Kapaj, Mallakastër, shtetasi F. S., 48 vjeç, duke tentuar të rregullonte tubin vaditës të ujit, ka rënë aksidentalisht në një humnerë, ku ka mbetur i bllokuar.
Pas njoftimit të marrë nga familjarët, shërbimet e Policisë dhe ato të Zjarrfikëses kanë organizuar menjëherë ndërhyrjen për lokalizimin dhe nxjerrjen e tij nga humnera.
Pas një ndërhyrjeje të përbashkët, u bë e mundur nxjerrja e 48-vjeçarit, i cili kishte qëndruar i bllokuar për më shumë se 8 orë.
Shtetasi F. S. ka marrë dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit dhe, për këtë arsye, u transportua për ndihmë mjekësore në spital.
Policia e Shtetit mbetet në çdo moment në shërbim dhe në ndihmë të qytetarëve, duke ndërhyrë në çdo situatë ku kërkohet ndihma e saj.









Komente
Komento