Në Savër të Lushnjës, në vitin 1953 regjimi komunist ngriti një kamp internimi, i cili qëndroi si i tillë deri në vitin 1990. Aty ku dikur familje të shumta shqiptarëve, jetuan nën terrorin e kohës, sot propozohet të ngrihet një muzet.
Përmes fotografive, dokumenteve, objekteve personale dhe rrëfimeve të të internuarve, brezava të rinj t’u tregohet jo vetëm se çfarë ndodhi, por edhe si u përjetua jeta në internim.
“Një muze i kampit të detyruar të punës nuk do të ishte thjesht një ndërtesë me objekte të vjetra, do të ishte një hapësirë dëshmie... Dokumenti na tregon çfarë ka ndodhur, objekti na tregon si ka ndodhur, por dëshmia njerëzore na tregon çfarë ka ndjerë njeriu”, tha Eriselda Sefa, kryetare e Bashkisë Lushnjë.
Nisma u bë publike në 24 gusht, ditën e kujtesës për vuajtjet e mijëra familjeve të internuara në Savër, Gjazë, Pluk, Kosovë të Madhe e në qendra të tjera të internimit në Myzeqe.
Aktivitetet nisën në Memorialin e Kujtesës në Lushnjë me vendosjen e kurorave me lule dhe vijuan në Savër, një prej qendrave kryesore të internimit.
Këtu, mes gjurmëve të mbetura të ish-kampit, u kujtuan historitë e familjeve që u dënuan jo vetëm për bindjet politike, por edhe për prejardhjen e tyre.
“Bëhet fjalë jo thjesht për vende, bëhet fjalë dhe për dokumentacion... Në rastin e internimit përgjegjësia ishte familjare. Bënte diçka babai dhe dëmin e pësonin gratë, pësonin fëmijët dhe shkalonte nga brezi në brez”, theksoi Gentiana Sula, drejtoreshë e Autoritetit të Dosjeve.
Në ceremoni ishte edhe presidenti Bajram Begaj, i cili e cilësoi Savrën një dëshmi të një prej faqeve më të rënda të historisë shqiptare.
“Ne jemi mbledhur për të mos harruar. Ky vend është dëshmi se si shtetas të pafajshëm janë privuar nga të drejtat themelore njerëzore, nga liria dhe jeta normale... Kujtesa kërkon të vërtetën, kërkon ta dokumentojmë atë, ta mësojmë atë dhe patjetër që ta tregojmë atë”, tha Presidenti Bajram Begaj.
Në qendër të vëmendjes ishin edhe dëshmitë e të mbijetuarve. U përmendën historitë e fëmijëve që u rritën në internim dhe e panë jetën të kushtëzuar nga “biografia” e familjes.
“Ne si të përndjekur politikë kurrë nuk kemi kërkuar lëmoshë. Ne kemi kërkuar dinjitet... E kemi detyrë ne që pasardhësve tanë t'u shpjegojmë se çfarë ka ndodhur, që historia të mos përsëritet”, tha Shpëtim Behramaj, kryetar i Shoqatës së të Internuarve dhe të Përndjekurve Lushnjë.
Turi përkujtimor vijoi në Gjazë, Kosovë të Madhe dhe Plug, vende të tjera të Lushnjës, ku regjimi komunist internoi kundërshtarët politikë dhe familjet e tyre.









Komente
Komento