Ndonëse ka edhe vijat e bardha sipër, rruga Levan-Vlorë duhet të ribëhet, sepse sipas qeverisë, një pjesë e saj ka rrëshqitur duke u bërë e rrezikshme për trafikun. Bëhet fjalë për njërin prej skandaleve të radhës me paratë e taksapaguesve shqiptarë, që merren si kredi dhe shpërdorohen nga firma të dështuara që janë sjellë në vend nga sekserët e qeverisë.

Janë plot 18 milionë euro që do të jepen shtesë për një rrugë të nisur që në 2007, për llogari të firmës që fitoi një tender në mënyrë abuzive, sepse përfaqësuese e saj në Shqipëri ishte kunata e botuesit Fahri Balliu, mik i ngushtë i kryeministrit Berisha. Pas gati pesë viteve, fatura e rrugës që duhet të kishte mbaruar më kohë, shkon nga 41, 9 milionë euro sa ishte paraparë në 2007 në 59, 7 milionë euro, duke shtuar borxhin e Shqipërisë ndaj bankave të huaja.

Sipas demokratëve, faji për rrëshqitjen e rrugës është i socialistëve, që kishin lënë mangësi në projekt që në 2004. Por deputetët socialistë akuzuan qeverinë, pa ia përmendur në asnjë rast emrin Fahri Balliut, se po shpërblen sekserin e vet me paratë e shqiptarëve.

Më poshtë janë disa prej debateve të ashpra në komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, ku depuetët e PD-së dhe drejtorët e qeverisë mbrojnë faturën e re, ndërsa deputetët e PS-së, akuzojnë për vjedhje masive.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin
Dokument parlamentar
PROCESVERBAL
Datë 04.07.2012, ora 11:10
Drejton mbledhjen
Jemin Gjana - kryetar komisioni
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit.
2. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 2 në marrëveshjen e huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Levan-Vlorë".

Marrin pjesë:
Jemin Gjana, Ardian Turku, Sybi Hida, Besnik Dushaj, Eduard Shalsi, Besnik Baraj, Ilir Bano, Ismail Hoxha, Artan Gaçi, Aurel Bylykbashi, Blendi Klosi, Selami Xhepa, Bedri Hoxha, Ramiz Çobaj, Osman Metalla, Kreshnik Çipi, Rrahim Çota.

Të ftuar:
Ernest Noka - zëvendësministër i Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.
Ylli Gjoni - nëndrejtor i Drejtorisë së Rrugëve në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit.

HAPET MBLEDHJA
Miratohet procesverbali.

Jemin Gjana - Sot në rendin e ditës kemi diskutimin e projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 2 në marrëveshjen e huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Levan-Vlorë".

Besnik Baraj - Sikur të bëhej në '44-ën kjo rrugë, mund të thuhej që nuk ishte parashikuar shtresa e stabilizantit, por të thuhet sot, pas një eksperience kaq të madhe, më duket e çuditshme. Megjithatë, kam këto pyetje, para se të bëj edhe një lloj komenti. Si është e mundur që me përvojën që keni, të kërkoni sot rritjen me pothuajse 50 për qind të çmimit, për shkak se nuk keni parashikuar vlerësime reale të kostos në një zonë, ku nuk ka as tunele, as male për të hapur, por është thjesht një zonë fushore dhe kodrinore? Më duket e papranueshme.
Së dyti, a keni ndonjë një përvojë të ngjashme që inflacionin apo rritjen e çmimeve në përgjithësi ua reflektoni në proces, në rrugë e sipër kompanive të ndryshme, apo kjo është një kompani kliente e qeverisë sot?
Së treti, si është e mundur që sot Shqipëria nuk është më pronë e shqiptarëve? Puset e naftës nuk janë pronë e tyre, minierat e kromit nuk janë pronë e tyre ose asete të ndryshme gjithmonë e më shumë nuk janë më pronë e shqiptarëve. Si është e mundur që sot buxheti i shtetit, me gjithë privatizimet masive të veprave strategjike, nuk ka para për t'i uluar shpenzimet për rrugët që po ndërton vendi ynë, por, përkundrazi, po i vë një litar në qafë jo vetëm brezit tone, por edhe brezave të ardhshëm. A mund të ma thoni këtë, sepse nuk arrij ta kuptoj?

Eduard Shalsi - Që në vitin 2007, kur u bë inaugurimi i fillimit të punimeve, ende pa u lidhur kontrata, para zgjedhjeve vendore të vitit 2007, pati një ndjeshmëri të lartë ndaj përzgjedhjes së fituesit, mënyrës së përzgjedhjes së tij, madje edhe çmimit të tij. Asokohe u kërkua shpjegim se bashkimi i kompanive fituese ishte shumë afër me njerëz të pushtetit, madje u tha se çmimi ishte thjesht e vetëm për të shpallur fituese atë kompani që u shpall e tillë. Në tenderin e atij viti morën pjesë disa kompani dhe disa prej tyre u skualifikuan për shkak të çmimit, i cili u konsiderua i lartë, sot, 6 vjet më pas, dua t'ju pyes: në kontekstin e sotëm, ku u shpall fituese një kompani e cila ende pas 5 vjetësh apo 6 vjetësh nuk ka realizuar projektin, cila është përgjegjësia dhe e kujt është ajo? Ndërkohë që në kontratë, në deklarata publike është shpallur se rruga do të inaugurohej për 24 muaj. Pra, kush mban përgjegjësi për vlerësimin e ofertave të asaj kohe dhe shpalljen e fituesit?

Ernest Noka -Po filloj me pyetjet që u bënë nga zoti Baraj. Pyetja e parë lidhej me shtresën e stabilizantit.
Si ka mundësi që nuk ishte parashikuar një shtresë stabilizanti, në kushtet e sotme, kur aftësitë dhe kompetencat e shqiptarëve dhe kryesisht e qeverisë janë të tilla që nuk duhet ta kishin lejuar? Vërejtja është me vend. Edhe unë ndaj të njëjtin shqetësim me ju zoti Baraj që normalisht projekti nuk duhej të ishte hedhur në tender, pa u verifikuar fortësia përkryerja e këtij projekti. Sa për dijeni, ky projekt ka qenë realizuar në kohën kur në pushtet ka qenë Partia Socialiste, në vitin 2004. Ka qenë bërë dhe ka qenë aprovuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve e asaj kohe. Nuk duhet të harrojmë që ky projekt për një kohë të konsiderueshme ngeli në sirtar, pasi u në ato kohë u bënë diskutime shumë të sensibilizuese nga parlamenti, qoftë nga opozita e sotme, sepse nuk po fillonte të realizohej ky projekt, por u bënë projekte të tjera, siç ishte Rruga e Kombit. Duke qenë se projekti mbeti në sirtar Drejtoria e Rrugëve e asaj kohe nuk e shqyrtoi siç duhet dhe kur erdhi momenti që ky projekt të riaktivizohej meqë kishte kaluar shumë kohë, mbase, unë nuk kam qenë në atë kohë që të them se kush e ka pasur përgjegjësinë ta kontrollonte, mungoi shtresa e stabilizantit, e cila mungoi edhe në preventivin përkatës, që për një rrugë është shumë e domosdoshme dhe e papranueshme të bëhet pa këtë shtresë. Kur e vumë re se mungonte e reflektuam në preventivin përkatës, bashkë me vlerën përkatëse.

Ylli Gjoni - Një sqarim të mëtejshëm, shtresa e stabilizantit është hequr në mënyrë koshiente nga projektuesi në vitin 2004. Ai kishte bërë një llogaritje për jetëgjatësinë e rrugës 10 vjet. Ndërkohë në të gjitha standardet ndërkombëtare një autostradë e kësaj kategorie minimalisht jetëgjatësinë e ka 20 vjet. Me mungesën e shtresës së stabilizantit, që është shtresa kryesore që absorbon ngarkesat tërheqëse të rrugës, është e detyrueshme të bëhet 20 vjet. Pra u detyruam ta shtojmë. Pra nuk është një gabim i projektuesit, por ai e ka menduar në mënyrë koshiente për ta bërë 10 vjet. Kështu që është e patolerueshme në standardet tona dhe ndërkombëtare që të lejohet një autostradë pa stabilizant. Kur e kuptuam këtë fakt për ne ka qenë një shok dhe kjo gjë u kuptua relativisht vonë.

Ernest Noka -Prokurimi që u bë në vitin 2007, u bë me të gjitha kushtet e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kushtet e zbatimit të ligjit shqiptar. u përzgjodh një kompani, e cila, në asetet e saj i kishte të gjitha nekuizitet e nevojshme për të kryer punimet; ofroi një çmim që, në kushtet e ligjit shqiptar, por edhe të rregullave të prokurimit të BERZH-it, të Bankës Botërore etj., fituese është gjithmonë kompania që ofron çmimin më të ulët, u përzgjodh pikërisht ajo dhe jo kompanitë e tjera, që i kishin çmimet më të larta. Me sa di unë, kompania fituese është "Alpin", e cila, në vitin 2007 i kishte të gjitha kushtet për të shkuar në kërkesë për ofertë dhe që i përmbushte të gjitha kushtet ligjore për t'u përzgjedhur. Pas 6 vjetësh nuk është mbyllur akoma dhe arsyet janë ato që tha zoti Bano. Kur ka një mungesë në projekt, është e detyrueshme që projektin ta rishohë ai që e ka bërë në bazë të kushteve, por ky projekt kërkon kohën e vet të miratimit, qoftë nga shteti shqiptar, qoftë nga donatori.

Ylli Gjoni -Përveç organizimit të dobët, ju rikujtoj që kompania në vitin 2010 është detyruar të ndryshojë 100% stafin. Në një kohë kur kishin kaluar afatet e përfundimit të veprës ka ardhur një kompani tjetër ALPINE e Greqisë, që punon tani. ALPINE ekzistuese ka ikur totalisht nga kontrata. Pra, është ceduar e drejta për ta ndërtuar rrugën një kompani tjetër, e cila për fatin tonë deri më sot ka arritur në masën 99,99% të punimeve dhe për dy javë vepra mbaron totalisht. Kjo ka qenë problematika e tyre e brendshme, ndërsa e jona përgjithësisht është problematik e shpronësimeve.

Artan Gaçi - Unë mendoj se thelbi i vonesave, i zgjatjeve të qëllimshme, i ngritjes së kostos dhe qëllimi, është diçka që ju, ne e dimë dhe publiku e di, ishte kërkesa për rritjen e financimit. Mes kompanisë ALPINE në Austri dhe qeverisë shqiptare qëndron një problem tjetër. Është i njëjti faktor, me forma të ndryshme lokale, por identik, që qëndron midis mosrealizimit të urës së Sicilisë me Italinë. Në qoftë se ura e Mesinës nuk realizohet, nuk realizohet se nuk do qeveria apo populli i Sicilisë, por sepse në mes është mafia, e cila e bllokon prej vitesh. Kjo është evidente. Edhe në Shqipëri është i njëjti faktor, mafia, por me një formë tjetër, që qëndron ndërmjet interesave dhe kompanisë, e cila mund të jetë serioze.

Eduard Shalsi -Në rast se do t'i referoheni asaj se çfarë është thënë, madje dhe shkruar në vitin 2007 teksa përzgjidhej kompania "Alpine", do të kuptoni se çdo shqetësim dhe çdo dyshim i hedhur sot janë provuar katërcipërisht. Ka disa media dhe u sugjeroj edhe kolegëve, edhe juve, që të bëni një risearche dhe, lehtësisht, mund të provoni se çfarë është thënë në vitin 2007. Madje do t'ju rikujtoj edhe një letër ankese të njërës prej kompanive pjesëmarrëse, e cila e konsideronte të pajustifikueshëm çmimin e ofruar dhe, për pasojë, paralajmëronte qeverisë shqiptare që shumë shpejt do të vinte te një çmim tjetër, sepse ishte e pamundur që rruga të realizohej me ofertën e paraqitur. Që në fillim, dyshimi ka qenë që pas një kompanie me emër fshiheshin sekserë shumë afër pushtetit. Kjo është deklaruar që në vitin 2007 dhe është provuar vazhdimisht, vit pas viti. Është një diskriminim i kompanive vendase, të cilave u mohohen pagesat për punime të kryera, ndërkohë që për kompani të huaja axhustohet edhe norma e inflacionit. Ky diskriminim lë shteg përsëri dhe i jep të drejtë çdo dyshimi të hedhur që në vitin 2007, që pas kompanisë "Alpine" kishte interesa korruptive dhe përfituese të sekserëve të pushtetit. Është krejtësisht e papranueshme që çdo dyshim i hedhur 5 vjet më parë dhe i justifikuar plotësisht sot, të anashkalohet pa nxjerrë asnjë përgjegjës. Në fakt, ne e dimë që nuk jeni ju përgjegjësit e vërtetë. Ata janë shumë sipër jush dhe ndodhen në krye të shtetit. Janë ata që nuk kanë lejuar marrjen e masave që në hapat e parë të fillimit të investimit. Janë ata që kanë lejuar që një vepër e tillë e rëndësishme të zvarritet me vite, pa asnjë lloj justifikimi. Kjo është arsyeja e vërtetë, e cila fshihet pas një periudhe kaq të gjatë investimi. Ju rikujtoj se çdo dyshim dhe çdo akuzë e hedhur në vitin 2007, sot është plotësisht e justifikuar. Sekserët dhe përfituesit e pushtetit kanë penguar realizimin e veprës. Janë po këta njerëz, të cilët ulën fillimisht çmimin e kontratës për të fituar tenderin dhe për të arritur në një fazë të dytë. Çfarë do t'u thuhet kompanive të cilat u skualifikuan që në vitin 2007? E dyta ka qenë me një vlerë prej 50 milionësh dhe të tjerat vijonin përtej kësaj shifre, kur t'u tregohet sot se kishin të drejtë. Shifrat ishin të pakalkuluara dhe projekti ishte i gabuar. Askush nuk mund të mbaj përgjegjësi, sepse përgjegjësi i vërtetë është ulur në karrigen e Kryeministrit.

Artan Gaçi - Kanë sjellë për të aprovuar një shtesë të projektit prej 17, 3 milionë eurosh. Unë jam kthyer ditën e dielë nga Vlora. Krahu që është hapur ka qenë i asfaltuar prej kohësh, por kishte rënë dhe ta thyente makinën në mes. Ura kishte rënë. Ka një cilësi jashtëzakonisht të dobët. Ju mund të shkoni atje. Ajo rrugë është bërë në baltë. Nuk ka stabilizantë. Krahu tjetër ishte duke u asfaltuar dhe vijëzuar, pra ishte duke u mbaruar. Dukej bukur pa u përdorur, kur të përdoret do ta shikoni kur të bëhet gropa-gropa. Po bëjmë shtesë 17,3 milionë euro dhe një nga zërat që po justifikohet kjo gjë është se do të shtohet stabilizanti, por atje në rrugë ishin vendosur edhe vijat e bardha. Ku do të shtohet stabilizanti?
Kaq garanci ka pasur kjo firmë, ndërkohë që 99,9 për qind e firmave të tjera nuk kanë marrë lekët e rrugëve që kanë kryer dhe kanë qenë me preventiv të fiksuar. Kaq garanci ka kjo firmë që investon 17,3 milionë euro pa kontratë dhe pa projekt? Cila qenka kjo firmë, që ka këtë garanci pa pasur një lidhje direkte me Kryeministrin dhe me sekserët e tij? Kjo gjë është shumë qesharake. Këtu kuptohet që 17,3 milionë euro shkon te sekseri i qeverisë.

Jemin Gjana - Kush është dakord me projektin në parim? Dakord.
Miratohet.
Neni 1.
Miratohet.
Neni 2.
Miratohet.
Kush është dakord me projektin në tërësi?
Miratohet.
Mbledhja mbyllet.

(aq/shqiptarja.com)