SHKODËR - Edhe pse Ministria e Brendshme ka njoftuar të premten se, zyrat e shpërndarjes së pasaportave biometrike do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë për t’iu ardhur në ndihmë emigrantëve, në Shkoder ky urdhër nuk është zbatuar.
 
Sporteli i shpërndarjes së pasaportave biometrike prane komisariatit te Shkodres i ka të kyçura dyert si çdo të shtunë tjetër. Ndërsa nuk kanë munguar qytetarët që kanë shkuar pranë zyrës së shpërndarjes së pasaportave pranë komisariatit, por janë përballur me dyert e mbyllura të kësaj zyre.
 
Askush nuk jep sqarime lidhur me këtë mos ekzekutim të urdhrit të ministrisë së Brendshme. Ministria sqaroi se kjo masë u ndërmor për të përshpejtuar procesin pas fluksit të ditëve të fundit, megjithatë në Shkodër përfaqësuesit e ALEAT kanë vijuar pushimet si çdo fundjave edhe pse radhët pranë kësaj zyre gjatë gjithë javës kanë qenë të mëdha.
 
Gjatë 2 javëve të para të muajit Gusht qyteti i Shkodrës ka qenë ndër më problematikët për qytetarët për pajisjen me mjete identiteti ndërsa radhët kanë qenë të shumta e në shumë raste nuk ka munguar edhe ndërhyrja e policisë për normalizimin e situates. 
 
Radhë të gjata, pritje pa fund dhe kaos ishte ajo çfarë në gjithë këto ditë që kanë ardhur emigrantët, ofronin këto 2 sportele të vetme, një për aplikim dhe një për tërheqje të  mjeteve të reja identifikuese. Pritej që të shtunën të pajiseshin me pasaporta shume qytetarë, megjithatë përfaqësuesit e ALEAT në Shkodër kanë zgjedhur të pushojnë duke injoruar urdhrin e Ministrisë. 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)