Ka reaguar për herë të parë pas disa ditësh kaos në pikën kufitare të Kakavijës kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë, por njëkohësisht numri një i diplomacisë shqiptare ka thënë se pala shqiptare është në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për lehtësimin e proceduarave të kalimit . Rama ka njoftuar se autoritetet po ofrojnë ndihmë shëndetësore dhe ushqime për emigrantët që ndodhen në pritje.

Rama thotë se këto procedura nuk ndiqen vetëm për shqiptarët, por edhe për çdo shtetas që hyn në pikat e tjera kufitare të Greqisë, qoftë edhe për vetë grekët.

Ndër të tjera kryeministri thotë se Forcat e Armatosura janë vënë në shërbim të qytetarëve që prej ditësh janë bllokuar në kufi, duke krijuar edhe një radhë prej 25 kilometrash vetëm e vetëm për kalimin në kufi. Kjo pasi duke filluar nga nesër çdokush që dëshiron të shkojë në Greqi do të duhet të bëjë një karantinë prej 7 ditësh.

"Jemi në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për lehtësimin e procedurave, të cilat janë procedura të njëjta në çdo pikë hyrëse të Greqisë, për qytetarët e çdo vendi, përfshirë edhe qytetarët grek që hyjnë në një kufi! Në ndërkohë Forcat e Armatosura dhe strukturat bashkiake të Gjirokastrës, Këlcyrës, Dropullit, Tepelenës e Përmetit, e kanë gdhirë me qytetarët që qëndrojnë në radhë në Kakavijë duke ofruar ndihmë shëndetësore, ndihma ushqimore, ujë të pijshëm dhe asistencë për higjenen sanitare në terren,"-shprehet Rama.