Largimi nga seanca plenare e së enjtes vonë, duke bojkotuar procesin e votimit si ‘revoltë’ ndaj refuzimit të socialistëve për të mos pranuar kërkesat e saj për ngritjen e komisioneve hetimore, mund të jetë shenjë se demokratët kërkojnë të radikalizojnë aksionin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.

Pasi u larguan nga parlamenti, me një urdhër të befasishëm të Sali Berishës, që kapi në habi vetë deputetët opozitarë, jo aq nga vendimmarrja e socialistëve për të refuzuar komisionet, sesa për faktin që po linin seancën plenare pa një vendim të marrë më herët, PD njoftoi mbledhje urgjente të grupit parlamentar mesditën e sotme.

“Ne nuk jemi një, ne jemi 600 mijë. Të na heqë të drejtën e interpelancës. Të na heqë të drejtën e debatit. Të na heqë të drejtën e komisionit hetimor. Po pse shkojmë ne aty? Shkojmë për të thënë se jemi deputetë? Po çfarë vlere kemi ne kur ne nuk arrijmë, nuk kemi mundësi të përmbushim detyrimet më themelore ndaj zgjedhësve tanë. Duhet të shtrojmë pyetjen se çfarë vlere kemi ne. Ne stoli e një bande që ka instaluar një narkoshtet këtu nuk bëhemi. Nuk mund të bëhemi kurrë.” U shpreh Berisha në fjalën publike para mediave sot.

Ndërkohë edhe në mbledhjen me dyer të mbyllura sic burime konfirmojnë u diskutua lidhur me situatën e krijuar në Kuvend, ku opozita ka pretendime se i mohohet e drejta e saj për të folur si dhe i janë ngushtuar hapësirat për të bërë punën e saj.

Pjesa më e madhe e grupit të PD është kundër marrjes së hapave ekstremë në Kuvend, sic mund të jetë rikthimi i kaosit, thonë burimet.

Por në mesin e deputetëve ka edhe zëra që kanë nisur ta artikulojnë nevojën për t’ju imponuar shumicës socialiste.

Në mungesë të një vendimmarrjeje në grup këtë të premte, PD do të thërrasë të hënën kryesinë.

Dy, janë pikat e rendit që do të diskutohen: vendim-marrje pas raportit të OSBE-ODIHR, për të vijuar analizën  e zgjedhjeve dhe zhvillimet në parlament.

“Ditën e Hene ne ora 13:00 do zhvillojme mbledhje te Kryesise me rend dite: 1-Diskutime dhe vendimmarrje rreth  zhvillimeve politike pas raportit perfundimtar te OSBE-ODIHR   dhe zhvillimeve te fundit ne Parlament mbi hapesirat e Opozites dhe te drejtat e saj kushtetuese” thuhet në mesazhin dërguar anëtarëve të kryesisë të siguruar nga Report Tv.