Kjo është arsyeja e vetme për mosfurnizimin me naftë të papërpunuar për kompaninë që operon rafinerinë e Ballshit. Më tej, ajo thotë se e ka vënë në dijeni shumë herë IRTC, por ata kanë dështuar të jenë bashkëpunues dhe të garantojnë planin e tërheqjes se naftës për Nëntor-Dhjetor.
Bankers thotë në fund se si prodhuesi kryesor i naftës së papërpunuar në Shqipëri nuk ka përgjegjësi vetëm të zhvillojë operacionet në fushën e naftës, por edhe detyrimin për të maksimizuar të ardhurat e naftës së saj në dobi të aksionerëve të saj dhe Shtetit Shqiptar si palë kryesore të interesit.
Deklarata e plotë e Bankers
Në përgjigje të deklaratës për shtyp për media nga IRTC mbi pretendimin e tyre se prodhuesi kryesor i naftës së papërpunuar nuk po furnizon me naftë dhe po preferon eksportin, Bankers deklaron se: “IRTC ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve të saj të pagesave financiare. Kjo është arsyeja e vetme për mosfurnizimin me naftë të papërpunuar për kompaninë që operon rafinerinë e Ballsh-it.
Bankers ka qenë shumë bashkëpunues dhe mirëkuptues gjatë gjithë vitit 2017 për të mbajtur në punë këtë rafineri, por IRTC ka dështuar të garantojë kushtet e pagesës të dakordësuara midis palëve. IRTC po përpiqet të bëjë përgjegjës Bankers por përgjegjësia është tërësisht e operatorit të rafinerisë e cila nëse vazhdon mund të çojë në mbylljen e rafinerisë së Ballsh-it.
Bankers ka vënë në dijeni shumë herë për këtë situatë menaxhimin e IRTC, por ata jo vetëm që refuzuan të garantojnë planin e tërheqjes së naftës për Nëntor-Dhjetor 2017, por gjithashtu e detyruan Bankers-in të shesë naftën në kushte të paplanifikuara në tregje rastësore të cilat kanë risqe operacionale dhe çmime më të ulëta . Si pasojë e kësaj situate Bankers ka rritur gjithashtu edhe furnizimin me naftë të papërpunuar për Albpetrol.
IRTC ka dështuar t'u përgjigjet disa kërkesave të njëpasnjëshme dhe të përsëritura të Bankers për të siguruar volumet për vitin 2018. Operatori i rafinerisë Ballsh nuk ka arritur të përgjigjet dhe të marrë përgjegjësinë për të garantuar përgjegjësinë financiare dhe madje për të pranuar një çmim edhe më të favorshëm se çmimi ndërkombëtar.
Bankers si prodhuesi kryesor i naftës së papërpunuar në Shqipëri nuk ka përgjegjësi vetëm të zhvillojë operacionet në fushën e naftës, por edhe detyrimin për të maksimizuar të ardhurat e naftës së saj në dobi të aksionerëve të saj dhe Shtetit Shqiptar si palë kryesore të interesit. Bankers mbetet bashkëpunues për të gjetur një zgjidhje për këtë situatë".
dy.b/shqiptarja.com











