Qeveria siriane ka bërë të ditur se territori i saj është qëlluar nga “raketat armike” gjatë “një agresioni të ri” dje natën.

Ushtria e Assadit bëri të ditur se raketat kanë goditur disa baza ushtarake në Hama dhe Alepo, sipas televizionit shtetëror.

Nëpërmjet një edicioni të jashtëzakonshëm, televizioni shtetëror sirian bëri të ditur se sulmi raketor u krye në orën 10.30 të natës së djeshme.

'Siria është përballë një agresioni të ri dhe disa baza ushtarake në zonat rurale të Hamas dhe Alepos janë qëlluar me raketa armike’ – u citua të ketë thënë një burim ushtarak, pa dhënë detaje të mëtejshme.  

Qendra Sizmiologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) shënoi një termet të magnitudës 2.60 në zonën pas shpërthimit të fuqishëm.

Të paktën 40 veta kanë vdekur dhe 60 të tjerë janë plagosur nga sulmet raketore në veri të sirisë. Agjencia iraniane e shtypit Isna, ka nënvizuar se mes viktimave ka edhe 18 iranianë. Sipas medieve zyrtare siriane sulmet janë nisur nga baza britanike dhe amerikane në veri të Jordanisë.

Në fillim të prillit, shtatë ushtarakë iranianë ishin vrarë nga një bombardim në një bazë në zonën e Homsit. Damasku, Teherani dhe Moska kishin akuzuar Izraelin, i cili nuk e kishte as konfirmuar as mohuar sulmin.