Lufta/ Zelensky: Zbulohet një varr masiv me 900 trupa në Kiev! Pentagoni: Nesër mbërrijnë në Ukrainë armët e reja! Lavrov: Negociatat ngecën për shkak të pandershmërisë së Kievit

Një varr masiv është zbuluar në rajonin e Kievit, ku dyshohet se janë rreth 900 kufoma. Kështu deklaroi presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky, ndërsa qindra civilë kanë mbetur të bllokuar në fabrikën e çelikut në Azovstal në Mariupol.

Forcat e Armatosura të Ukrainës njoftojnë ripushtimin e fshatit Ruska Lozova, në rajonin e Kharkiv. Në frontin diplomatik, megjithatë, zëdhënësi i Pentagonit John Kirby, tha në një intervistë se " Vladimir Putin nuk duhet të ftohet në G20". 

Zelensky nga ana tjetër shtoi se: "Rreziku i anashkalimit të negociatave me Moskën është i lartë". Lufta megjithatë, nuk ndalet. 

Byroja ukrainase ka njoftuar se sot është planifikuar një "operacion" për evakuimin e civilëve nga uzina e çelikut Azovstal në Mariupol , në juglindje të vendit. Njoftimi vjen si pasojë e "diskutimeve intensive" të mbajtura dje nga Presidenti Zelensky me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Guterres, për të siguruar evakuimin e civilëve nga Mariupol.

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mircea Geoana tha për BBC se lufta në Ukrainë mund të zgjasë me vite.

Ndërkohë Presidenti i SHBA, Joe Biden i ka kërkuar Kongresit të miratojë një paketë rekord prej 33 miliardë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë më shumë armë.

Biden paralajmëron gjithashtu Moskën kundër kërcënimeve bërthamore "boshe" dhe thotë se vendi po përdor furnizimet e tij me gaz për të shantazhuar Evropën. Rreth 8,000 trupa të Ushtrisë Britanike do të marrin pjesë në stërvitjet e planifikuara në të gjithë Evropën Lindore në përgjigje të agresionit rus ndaj Ukrainës. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:57
Zelensky: Jam gati për të takuar Putin-in

Volodymyr Zelensky është shprehur i gatshëm për të folur me Vladimir Putin, pavarësisht mizorive ruse në Bucha, Mariupol dhe qytete të tjera.

Gjatë një interviste për mediat polake Zelensky tha se donte të takonte Presidentin Putin sepse ai është i vetmi njeri që vendos gjithçka në Rusi.

Ora 22:40
Lavrov: Sanksionet nuk do të na shtyjnë të kërkojmë falje

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov gjatë një interviste u shpreh se sanksionet e Perëndimit nuk do ta shtyjnë Rusinë që të kërkojë falje apo të kërkojë ndihmë.

"Të besosh se vala e fundit e sanksioneve që kanë treguar fytyrën e vërtetë të Perëndimit , siç kuptohet tashmë që ka qenë gjithmonë rusofobike, do ta ‘shtyjnë Rusinë që të bërtasë për ndihmë e të kërkojë falje’, është plani më i keq madje dhe më i keq se vetë ata. Perëndimi nuk di asgjë për politikën e jashtme të Moskës apo si të merret me Rusinë”, tha Lavrov në një intervistë për televizionin “Al-Arabiya”.  

Ora 22:20
Zelensky: Një varr masiv me rreth 900 kufoma është zbuluar në rajonin e Kievit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar se është zbuluar një tjetër varr masiv me kufomat e rreth 900 personave, në rajonin e Kievit. Lajmin ai e ka bërë të ditur gjatë një interviste për mediat polake, duke saktësuar se varri masiv është gjetur në një zonë pranë kryeqytetit që ishte nën pushtimin rus muajin e kaluar.

Zelensky tha gjithashtu se qeveria beson se gati gjysmë milioni ukrainas janë dëbuar ilegalisht në Rusi që nga fillimi i pushtimit si dhe askush nuk e di se sa njerëz u vranë.

Ora 21:55
Lavrov: Rusia nuk e konsideron veten në luftë me NATO-n

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka deklaruar ditën e sotme se Rusia nuk e konsideron veten në luftë me NATO-n.

"Rusia nuk e konsideron veten në luftë me NATO-n dhe se një zhvillim i tillë rrit rreziqet e një lufte bërthamore  dhe për këtë arsye nuk mund të pranohet. Rusia nuk kërcënon askënd me një luftë bërthamore, vendet perëndimore kanë filluar të flasin për të ", tha Ministri i Jashtëm rus Serghei Lavrov gjatë një intervistë në “al-Arabiya”.

 

I pyetu në lidhje me një luftë të mundshme bërthamore, Lavrov tha se nuk mund të ketë fitues në një luftë dhe për këtë arsye, fuqia bërthamore nuk duhet të përdoret kurrë.

"Më pyetën nëse një luftë bërthamore është e mundur, nëse rreziqet e fillimit të një lufte bërthamore janë rritur dhe nëse Rusia supozon se kjo mund të ndodhë. Unë u përgjigja se që në fillim të bashkëpunimit tonë me administratën Trump (ish-presidentit të SHBA-së, Donald), i kemi ofruar të rikonfirmojnë tezën Reagan-Gorbachev të vitit 1997 se nuk mund të ketë fitues në një luftë, dhe për këtë arsye fuqia bërthamore nuk duhet të lëshohet kurrë ", tha gjithashtu Lavrov.

Ora 21:46
Lavrov: Negociatat ngecën për shkak të pandershmërisë së Kievit

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov thotë se negociatat kanë ngecuar për shkak të pandershmërisë së Kievit.

“Nëse ata do të ishin negociatorë të ndershëm, nëse do të angazhoheshin hap pas hapi për atë që ranë dakord, ne mund të bënim përparim të rëndësishëm në këto negociata dhe Ukrainës do t'i jepeshin garancitë e sigurisë nga një sërë vendesh, fillimisht pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Kombet e Bashkuara plus Gjermaninë dhe Turqinë, ndoshta dikush tjetër. Ne nuk kishim asgjë kundër saj."

Ora 21:43
Lavrov: Rusia nuk përdor mercenarë

 

“Rusia nuk përdor mercenarë në Ukrainë”, kështu deklaroi Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një intervistë "Al-Arabiya".

Ora 21:33
Zelensky: Rrezik shumë i lartë për mbylljen dialogu me Moskën!

Presidenti i Ukrainws Volodymyr Zelensky deklaroi ditën e sotme se procesi i negociatave me përfaqësuesit e Moskës është shumë i ngadaltë dh se ka një rrezik të lartë për mbylljen e dialogut.

“Rreziqet e mbylljes së plotë të çdo dialogu me rusët janë shumë të larta”, tha Zelensky gjatë një interviste me mediat polake.

Ora 21:21
SHBA: Ushtarët ukrainas janë në Gjermani për stërvitje

Raportohet se SHBA, po trajnon ushtarët ukrainas në bazat e ushtrisë amerikane në Gjermani në lidhje me përdorimin e pajisjeve të artilerisë që Uashington po dërgon në Kiev. Lajmin e bëri të ditur Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

“SHBA po trajnon ushtrinë ukrainase jashtë Ukrainës për t'i mësuar se si të përdorin pajisjet e artilerisë që Uashingtoni po dërgon në Kiev për të luftuar pushtimin rus. Mund të them se SHBA-ja ka filluar të trajnojë forcat e armatosura ukrainase mbi sistemet kyçe në bazat ushtarake amerikane në Gjermani”, tha  Kirby.

Ora 21:11
Kiev: Rusëve u kemi shkaktuar humbje shumë të mëdha!

Këshilltari i Presidentit ukrainas, Oleksyi Arestovich tha ditën e sotme se forcat ukrainase u kanë shkaktuar rusëve humbje shumë të mëdha, por nga ana tjtër ai pranoi se dhe ukrainast kanë pësuar humbje të mëdha.

“Luftëtarët ukrainas shkaktuan viktima kolosale në forcat pushtuese ruse”, tha Arestovich.

Ora 21:04
Zonja e Parë për Zelensky-in: Ai është një njeri tek i cili mund të mbështetesh gjithmonë

Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska duke folur për bashkëshortin e saj tha se lufta nuk e ka ndryshuar Zelensky-n dhe se ai është një person tek i cili mund të mbështetesh gjithmonë.

"Lufta nuk e ndryshoi atë. Duhet të kuptoni se ai ka qenë gjithmonë i tillë. Ai ishte një njeri tek i cili mund të mbështeteni. Një njeri që nuk do të dështojë kurrë, që do t’i shkojë një gjëje deri në fund.”, tha Zelenska gjatë një interviste për gazetën polake “Rzeczpospolita”.

Ora 19:56
Zonja e parë e Ukrainës: Rusët po përpiqen të na asgjësojnë plotësisht

Zonja e parë e Ukrainës Olena Zelenska duke folur rreth luftës së vazhdueshme në vendin e saj tha ditën e sotme se forcat ruse donin të kryenin gjenocid dhe asgjësonin ukrainasit.

Zelenska tha se veprimet e forcave të Kremlinit në Ukrainë çuan drejtpërdrejt në përfundimin se Rusia po përpiqej të shkatërronte vendin.

"Ajo që trupat ruse po bëjnë në Ukrainë çon drejtpërdrejt në përfundimin se rusët po përpiqen të asgjësojnë plotësisht ukrainasit. Ky është qëllimi i tyre i vërtetë, po jam e bindur se rusët duan të na shkatërrojnë. Ata duan të bëjnë gjenocid. Dhe nuk ka rëndësi se çfarë thonë ata, sepse fjalët e tyre nuk përputhen me veprat e tyre", tha Zelenska gjatë një intervistë për mediat polake.

Ora 18:14
Alina Peregudova, atletja 14 vjeçare që mbeti e vrarë nga sulmet ruse

1651248934_Capture.JPG

Alina është atletja 14-vjeçare që është vrarë nga sulmet ruse në Mariupol së bashku me nënën e saj.

Alina fitoi medalje të artë në kampionatin kombëtar të peshëngritjes së Ukrainës dhe ishte kandidate për kombëtaren e Ukrainës, teksa aspironte të përfaqësonte vendin e saj në nivelin më të lartë.

"Sportistja premtuese nga rajoni i Donjeckut vdiq nga predhat e armikut së bashku me nënën e saj”, shkruan këshilli i qytetit të Mariupol në Telegram teksa publikon dhe foton e 14 vjeçares.

Alina ishte një nxënëse në Kolegjin Rajonal të Specializuar Profesional të Sporteve në Donetsk dhe në Kolegjin e Rezervës Olimpik Serhiy Bubka.

 "Është e vështirë të gjesh fjalë për të përcjellë ngushëllimet e mia më të thella për të gjithë ata që njohën të humburit, është shprehur Departamenti i Kulturës Fizike dhe Sporteve të Ukrainës.

Ora 16:53
Norvegjia mbyll portet për anijet ruse, përveç atyre të peshkimit

Norvegjia do të mbyllë portet e saj për anijet ruse, me përjashtim të anijeve të peshkimit. Norvegjia nuk është pjesë e Bashkimi Europain, por qeveria ka deklaruar se do të ndjekë linjën e BE-së.

Norvegjia njoftoi të premten se do të zbatonte grupin e pestë të sanksioneve ndaj Rusisë, për të cilin kanë rënë dakord 27 vendet e unionit.

Kjo përfshin ndalimin, me disa përjashtime, për transportin rrugor të mallrave nga Rusia, me të cilën Norvegjia ndan kufirin e Arktikut, përmes vendkalimit Storsko ndërmjet dy vendeve.

Ndalimi i ankorimit në portet norvegjeze të anijeve me flamur rus do të hyjë në fuqi më 7 maj dhe nuk do të prekë anijet e peshkimit, shumë prej të cilave zbrazin gjahun e tyre në bregun norvegjez ose në arkipelagun norvegjez Svalbard.

“Sanksionet janë mjetet tona kryesore të presionit kundër regjimit rus. Është kyçe këtu të qëndrojmë pranë BE-së dhe vendeve të tjera, për të vazhduar që të dobësojmë aftësinë e Rusisë për të financuar luftën në Ukrainë”, tha ministrja e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.

Ora 16:44
Kiev: 700 studentë u detyruan të japin gjak për rusët e plagosur

Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Parlamentin ukrainas, Lyudmyla Denisova thorë se rreth 700 studentë të universitetit të Donbasit janë detyruar të japin gjak për ushtarët rusë të plagosur.

"Ky lloj veprimi shkel Protokollin e Gjenevës akuzon Denisova, e cila i bën thirrje Kombeve të Bashkuara të hetojnë një rast tjetër të shkeljes së të drejtave të njeriut.

Ora 14:48
Moska: Përdorëm një nëndetëse për të sulmuar me raketa Ukrainën

 

 

Një nëndetëse ruse lëshoi ​​raketa Kalibr në bazat ushtarake ukrainase nga Deti i Zi, tha Ministria ruse e Mbrojtjes, sipas raporteve të Interfax .

“Ekuipazhi i një nëndetëse të Flotës së Detit të Zi gjuajti një salvo me raketa lundrimi Kalibr në objektivat tokësore të identifikuara më parë në Detin e Zi”, tha ministria.

Kjo është hera e parë që mbrojtja ruse ka njoftuar përdorimin e një nëndetëse për të goditur bazat ushtarake ukrainase.

Ora 14:34
SHBA vendosi të përdorë pronat ruse në ndihmë të ukrainasve, Moska: Një precedent i rrezikshëm

"Aprovimi nga Kongresi i SHBA-së i një projektligji që lejon që asetet e Rusisë të përdoren për të ndihmuar Ukrainën është një vendim i furishëm, një precedent i rrezikshëm për shpronësimin e pronës private."  Kështu ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, cituar nga Interfax.

Ora 13:02
Agresioni rus/ Grave, fëmijëve dhe të moshuarve i kërkohet të mos kthehen në Kiev

1651230334_lufta.JPG

Grave, fëmijëve të vegjël dhe të moshuarve u është kërkuar që të mos kthehen në Kiev pasi vijojnë sulmet nga forcat ruse.

“Kërcënimi ndaj Kievit vijon dhe sulmet e djeshme me raketa e dëshmojnë më së miri këtë. Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit që kanë të bëjnë me zjarret në depot e naftës, shpërthimin e depove të municioneve në Rusi, mund të themi se kërcënimi është shtuar. Kërkojmë të mos kthehen studentët, gratë me fëmijë të vegjël dhe të moshuarit!”, thuhet në apelin e publikuar në Telegram, raporton Ukrainska Pravda.

Ora 12:16
Bombardimet ruse në Kiev, vritet gazetarja e REL, i gjendet trupi nën rrënoja

Svoboda Vera Girich, gazetarja dhe producentja e Radios Evropa e Lirë, ka humbur jetën pas sulmeve me raketa në Kiev, që ka goditur banesën ku ajo jetonte. Sulmi që i moti jetën ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, ndërsa trupi i saj u gjet mëngjesin e sotëm nën rrënoja.

Vira Hyrych ka punuar për Radion Evropa e Lirë prej vitit 2018. Paraprakisht, ajo ka punuar për kanalet televizive ukrainase.

Ora 10:52
Moskë konfirmon sulmet në Kiev: Goditëm fabrikat e raketave

Rusia ka konfirmuar bombardimet  dje në Kiev gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Moskës, ata goditën dhe shkatërruan me "precizion të lartë" fabrika të raketave për prodhimin e raketave Artyom dhe një zonë të industrisë hapësinore.

Ora 10:15
Kuleba: Trokitëm në derën e NATO-s, por nuk na e hapën

"Ukraina hoqi dorë nga armët bërthamore për hir të paqes botërore. Më pas trokitëm në derën e NATO-s, por ajo nuk u hap kurrë”. Kështu ka deklaruar ministri i jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

Sipas tij bota i detyrohet sigurisë së Ukrainës, ndërsa shtoi se kërkon që shtetet të vendosin se çfarë garancie janë të gatshëm të vendosin ata me qëllim për të mbrojtur Ukrainën.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba e shkroi këtë në një postim në Twitter .

Ora 10:06
NATO: Konflikti në Ukrainë mund të zgjasë me vite

NATO-ja është e gatshme të vazhdojë për vite mbështetjen për Ukrainën në luftën kundër Rusisë, duke përfshirë edhe ndihmën ndaj Kievit që të zëvendësojë armët e periudhës sovjetike me sisteme moderne armatimi, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi Kremlini ka paralajmëruar se dërgesat e armëve të Perëndimit në Ukrainë, duke përfshirë armë të rënda, përbëjnë kërcënim për sigurinë në kontinentin evropian dhe “krijojnë jostabilitet”.

“Neve na duhet të përgatitemi për periudhë afatgjatë”, ka thënë Stolteneberg më 28 prill para një samiti për të rinjtë në Bruksel.

“Ka mundësi që kjo luftë të vazhdojë për muaj dhe vite”.

Shefi i NATO-s ka thënë se Perëndimi do të vazhdojë të bëjë presion maksimal ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, përmes sanksioneve dhe ndihmës ushtarake për Kievin, për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës.

Moska e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Shtetet e NATO-s i kanë dërguar deri më tani Ukrainës armë të periudhës sovjetike, të cilat kanë qenë nëpër vendet anëtare të Evropës Lindore, ndonëse së fundi Shtetet e Bashkuara dhe disa vende aleate kanë nisur t’i dërgojnë Kievit edhe armë moderne.

Gjermania ka bërë të ditur gjatë javës se po ashtu do të dërgojë tanke dhe armë tjera, duke shënuar kështu herën e parë që Berlini është pajtuar për të dërguar armë të rënda në Kiev.

Thirrjet e Ukrainës për më shumë armë janë rritur prej kur Moska ka nisur ofensivën në rajonin lindor të Donbasit.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 29 prill se “Beteja për Donbasin” mbetet fokusi kryesor strategjik i Rusisë, në mënyrë që të fitojë kontrollin e rajoneve Donjeck dhe Luhansk.

Për shkak të rezistencës së madhe ukrainase, fitoret ruse kanë qenë të kufizuara dhe u kanë kushtuar forcave ruse, ka thënë mes tjerash Ministria.

Perëndimi beson se beteja në qytetin e rrethuar të Mariupolit dhe zonat tjera në lindje mund të jenë vendimtare për rezultatin e luftës.

Sulmet e Moskës në lindje kanë nxitur premtime të reja amerikane për ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka kërkuar Kongresit amerikan 33 miliardë dollarë si mbështetje për Kievin, ku 20 miliardë dollarë do të ndahen për armë, municion dhe ndihmë tjetër ushtarake.

“Duhet të miratohet kjo kërkesë për ta ndihmuar Ukrainën në luftën e saj për liri”, ka thënë Biden.

“Çmimi i kësaj lufte nuk është i lirë, mirëpo përfshirja në agresion është më e kushtueshme”.

Si pasojë e luftës në Ukrainë, mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi pesë milionë të tjerë kanë ikur nga shteti.

Uashingtoni, i cili bashkë me aleatët ka vendosur sanksione ndaj Moskës, shpreson t’iu ndihmojë forcave ukrainase, që jo vetëm të ndalin sulmet e Rusisë në lindje, por edhe të dobësojnë ushtrinë e saj, në mënyrë që të mos nisë konflikte me vendet fqinje.

Rusia ka thënë se NATO-ja, me veprimet e veta, është duke u përfshirë në luftë në mënyrë të tërthortë dhe ka bërë disa kërcënime këtë javë për hakmarrje të paspecifikuara.

Më 27 prill, autoritetet ruse kanë ndërprerë furnizimet me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë, duke thënë se ato kanë refuzuar të paguajnë në rubla.

Ky veprim shënon përgjigjen më të ashpër të Moskës ndaj sanksioneve ekonomike të Perëndimit./ REL

Ora 09:29
Kievi: Kemi planifikuar sot operacionin për evakuimin e civilëve nga fabrika e çelikut në Mariupol

Byroja ukrainase ka njoftuar se sot është planifikuar një "operacion" për evakuimin e civilëve nga uzina e çelikut Azovstal në Mariupol , në juglindje të vendit. Njoftimi vjen si pasojë e "diskutimeve intensive" të mbajtura dje nga Presidenti Zelensky me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Guterres, për të siguruar evakuimin e civilëve nga Mariupol.

“Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për të evakuuar njerëzit nga fabrikat e çelikut Azovstal në Mariupol”, tha dje sekretari i OKB-së në fund të takimit.

Ora 09:06
Kulemzi: Kievi bombardon një depo nafte në Donetsk

1651164799_AW6MAW2STJJNHI2J44MLLFBNSM.jpg

Një depo nafte është bombarduar gjatë natës nga ushtria ukrainase në lagjen Kirovsky Donetskut.

Sipas agjencisë ruse Tass, kryebashkiaku Alexey Kulemzi tha: “Katër termocentrale janë dëmtuar, banorët janë pa energji”.

Ora 08:44
Lufta në Ukrainë, shkon në 219 numri i fëmijëve të vrarë nga bombardimet ruse

Numri i fëmijëve të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i ofensivës ruse është rritur në 219. Kjo është bërë e ditur nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, cituar nga Ukrinform.

Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 398 fëmijë janë plagosur. Zonat e vendit ku përfshihet numri më i madh i të miturve janë rajoni i Donetskut, provinca e Kievit, Kharkiv, Chernihiv, Kherson, Mykolaiv.

Ora 07:47
8000 ushtarë britanikë në Evropën Lindore për stërvitjet e NATO-s! Një nga dislokimet më të mëdha që nga Lufta e Ftohtë

Rreth 8,000 trupa të Ushtrisë Britanike do të marrin pjesë në stërvitjet e planifikuara në të gjithë Evropën Lindore në përgjigje të agresionit rus ndaj Ukrainës, në atë që premton të jetë një nga dislokimet më të mëdha që nga Lufta e Ftohtë. Dhjetëra tanke do të vendosen nga tani deri në verë në vendet e Evropës Lindore, nga Finlanda në Maqedoninë e Veriut, sipas planeve të zhvilluara pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Dhjetëra mijëra ushtarë nga NATO dhe aleanca e Forcave të Përbashkëta Ekspeditore, e cila përfshin Finlandën dhe Suedinë, do t'i bashkohen stërvitjeve.

Angazhimi i Mbretërisë së Bashkuar pritet të arrijë në rreth 8,000 njësi të cilat do të zhvendosen në kontinentin e Evropës nga tani deri në qershor.

Ora 07:31
OSBE do të ndalojë misionin tetëvjeçar të monitorimit në Ukrainë

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila ka qenë në një mision vëzhgues në Ukrainën lindore për vite me radhë, njoftoi dje se do t'i duhet t'i jepte fund vendosjes afatgjatë.

Moska, një nga anëtarët e grupit, vuri veton ndaj një zgjatjeje të misionit.

"Ky nuk është një vendim i lehtë për t'u marrë, por pozicioni i Federatës Ruse nuk na la zgjidhje tjetër veçse të ndërmarrim hapa për mbylljen e misionit. Misioni luajti një rol vendimtar në ofrimin e informacionit objektiv në terren, duke lehtësuar armëpushimet dhe duke punuar për të lehtësuar efektet e konfliktit mbi popullatën civile " tha kryetari i OSBE-së dhe ministri i jashtëm i Polonisë Zbigniew Rau.

Misioni Special i Monitorimit i OSBE-së në Ukrainë ishte vendosur që nga viti 2014 kur shpërtheu konflikti për herë të parë midis trupave ukrainase dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia. OSBE-ja ishte e vetmja organizatë ndërkombëtare që ndoqi drejtpërdrejt konfliktin.

/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ukraina e Lire: 29/04/2022 16:00

    O z. Kuleba gjete kishe ku te falesh NATO s vetem emri i ka mbetur

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale