Kryeministri Edi Rama ka njoftuar vlerësimin pozitiv të Agjencisë për Media dhe Informim nga raporti i SIGMA-OECD.
Kreu i qeverisë thotë se ky vlerësim tregon që, ndryshe nga siç mendohej më parë, sot MIA ofron një shërbim cilësor ndaj mediave të tjera dhe publikut.
Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
Deri dje e bombarduan dhe përbaltën nga të katër anët, ca nga brenda e ca nga jashtë, duke vënë kujën e duke harxhuar bojë kot, për raportet e tyre të pavarura jo vetëm nga qeveria, po edhe nga faktet… Por ja që e vërteta qenkesh ndryshe, shumë ndryshe, sepse kjo Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë, e pagëzuar në lindjen e saj me bombat e me baltën e pushtetit të katërt, luaka një rol krejt tjetër, e na qenka në shërbim cilësor të mediave dhe të publikut natyrisht.
Dhe këtë nuk po e them më unë. Nuk e thotë as qeveria e një vendi që targetohet rëndom dhe jo rrallë fare kuturu, për lirinë e shtypit. Këtë e thotë raporti i SIGMA-OECD, një ndër ato burime institucionale ndërkombëtare, reputacioni i fortë i të cilave është krijuar mbi respektin për faktet, jo mbi perceptimet, mbi analiza profesionale, jo mbi paragjykime arbitrare, mbi vlerësime objektive të të vërtetave, jo mbi amplifikime subjektive të gjysëm të vërtetave!
Urime MIA-s (Media and Information Agency) dhe përgëzime të gjithë skuadrës së saj, për këtë vlerësim të stërmerituar. E vërteta vonon, po nuk harron.
SIGMA (Mbështetje për Përmirësimin e Qeverisjes dhe Menaxhimit) është një nismë e përbashkët e OECD dhe Bashkimit Evropian, e financuar kryesisht nga BE-ja.
Objektivi i saj kryesor është të forcojë bazat për një qeverisje më të mirë publike dhe, rrjedhimisht, të mbështesë zhvillimin socio-ekonomik përmes ngritjes së kapaciteteve të sektorit publik, përmirësimit të qeverisjes horizontale dhe përmirësimit të hartimit dhe zbatimit të reformave në administratën publike, duke përfshirë edhe përcaktimin e duhur të prioriteteve, renditjes dhe buxhetimit.
SIGMA ka bashkëpunuar me partnerët e saj për forcimin e sistemeve të qeverisjes publike dhe kapaciteteve të administratës publike që nga viti 1992.
Komente










