RAMA: AMERIKA IA KA HEQUR VIZËN SALIUT
Pyetjes mbi deklaratën e kryeministrit Sali Berisha, se "do të heqë vizat me ShBA-të", Rama iu përgjigj me: “Amerika ia ka hequr vizën Saliut. Shqiptarët nuk do e lënë, që për shkak të tij t’i heqin vizën Shqipërisë. Ky premtim është pjesë e kuturisjes për të premtuar çdo gjë të mundshme me imagjinatë, për t’i shpëtuar asaj që nuk i shpëton dot: ndëshkimit me votë nga shqiptarët”.
RAMA: BERISHA I SPËRDRIDHET SI NGJALË DEBATIT ME MUA
Pyetjes nëse do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Berishës për debat me Ramën apo Metën, kreu i PS-së iu përgjigj se “kryeministri e ka këtë ftesë prej një viti, gjithë spërdredhjet si ngjalë janë të kota”. Sipas argumentimit të Ramës, shqiptarët meritojnë të ndjekin një debat mes kryeministrit në ikje, që prej 8 vjetësh po e rrënon Shqipërinë, dhe prej meje, që përfaqësoj PS-në dhe Rilindjen europiane. "Kryeministri s’ka mundësi që kësaj ftese t’i iki duke bërë barcaleta banale, që s’bëjnë për të qeshur askund".
RAMA: NUK MERREMI FARE ME KQZ-NË
Pyetjes mbi deklaratën e raportuesit të KiE-së, Xhonatan Evans “se partitë politike duhet të njohin rezultatet e zgjedhjeve”, Rama iu përgjigj me: “KQZ është kthyer në një organizatë partie. Kjo sepse Saliu ka ndërmarrë një grusht shteti administrativ ndaj KQZ-së. Nëse do që t’i japë një mundësi palëve për të dialoguar dhe vendosur kthimin në ligjshmëri të KQZ, ne jemi gati. Jo të gjitha partitë kanë përgjegjësi të njëjta, kur është fjala për një proces zgjedhor. Përgjegjësia më e madhe është ajo që i takon qeverisë. Kjo përgjegjësi është shumëfishuar me marrjen nën kontrollin partiak të KQZ-së”.
Pak më vonë Rama u ka thënë gazetarëve: "Kot merreni me KQZ-në. Ne nuk merremi fare me KQZ. Nëse Saliu do ta mbajë kështu, le ta mbajë kështu! Ne thjesht dhe vetëm themi, që KQZ nuk është institucioni që parashikon Kodi Zgjedhor. Është shkatërruar në parlament nga Saliu. Është shndërruar në organizatë partie. Largqoftë të manipulojnë rezultatin, se atëherë do shohim përballjen e regjimit në Tiranë me popullin shqiptar. Nëse duan të formatojnë atë ne jemi gati. Por askush nuk duhet të presë, që ne të presim të plotësojmë vendet vakante".
RAMA: MALAJ DUHET TË VIJË ME NE
Pyetjes mbi kandidimin e pavarur të Arben Malajt në Vlorë, Rama i është përgjigjur se “Malaj do të ishte mirë të bëhej pjesë e skuadrës sonë”.
RAMA: VLORA SI KALA E RRETHUAR
Pyetjes mbi gjendjen e qytetit të Vlorës dhe programin e PS-së për këtë qytet, Rama i është përgjigjur me: “Bashkia pa qeverinë nuk bën dot asgjë. Kur qeveria vendos ta bllokojë bashkia mbetet si kala e rrethuar. Ky ka qenë fati i Vlorës, që nuk ka marrë financime të denja për një qytet apo qark për përmasat që ka ky qark, as nuk kohën e socialistëve". Sipas Ramës, Vlora sot vuan braktisjen e gjatë nga qeveritë, me shumë probleme ekonomike dhe sociale, ku njëra palë ka qenë indiferente, sepse “këta i kemi tanët” dhe nga ana tjetër mllefi i madh ndaj Vlorës dhe vlonjatëve, që nuk kanë votuar kurrë për PD.
Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)