Rama: Burg të larguarve nga vettingu, drejtësia larg politikës! Shpresat janë të larta te SPAK

Rama: Burg të larguarve nga vettingu, drejtësia larg politikës! Shpresat janë të larta te SPAK

Edi Rama gjatë konferencës së sotme në luftën Kundër Korrupsionit

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Prezantimin e rezultateve të raportit të Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO) për Shqipërinë:

Faleminderit të gjithëve për praninë tuaj dhe për shembullin ndihmës në vendosjen e maskave, të cilat nga e enjtja do të jenë të detyrueshme në çdo mjedis jashtë shtëpisë. Shpresoj që kjo masë të merret shumë seriozisht nga të gjithë qytetarët tanë, sepse realisht i takon çdo individi të bëjë detyrën e vet të vogël, për të shmangur të keqen më të madhe, që do të ishte një tjetër mbyllje e përgjithshme në kushtet e një përhapjeje jashtë kontrollit të këtij virusi të pabesë.

Më vjen mirë që sot, këtu flasim për korrupsionin bazuar në fakte. Në fakte të nxjerra në pah në mënyrë krejt të pavarur nga një organizatë e mirënjohur për integritetin dhe për aftësitë në identifikimin e problematikës së korrupsionit në të gjitha shtetet dhe në vlerësimin e situatës në çdo shtet.

Lufta kundër korrupsionit është në thelb një luftë për modernizimin e shtetit. Korrupsioni është alternativa e shtetit, kur shteti mungon në shërbimin ndaj qytetarëve, kur shteti është i padisponueshëm për të dhënë atë që  secilit i takon dhe kur shteti është i pafuqishëm për të vendosur interesin publik mbi interesa të ndryshme private.

Natyrisht, dallimi mes vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim, në aspektin e korrupsionit, nuk është një dallim mes popujve, nuk është një dallim gjenetik, por është pikërisht një dallim sistemik. Vendet e zhvilluara nuk janë imune ndaj korrupsionit, sepse korrupsioni është si djalli që fle brenda tek i gjalli, është pjesë e jetës njerëzore, por vendet e zhvilluara kanë sisteme, të cilat e bëjnë tejet të vështirë penetrimin e korrupsionit dhe janë prova që nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por është sistemi që i korrupton njerëzit. E kjo është një luftë për të ndërtuar sisteme imune dhe për t’i vendosur individët, njerëzit, organizatat, në kushte pamundësie për t’u tunduar e për të rënë pre e tundimit të korrupsionit.

Mendoj që lufta kundër korrupsionit në Shqipëri, për të ndërtuar sisteme që ta përballojnë atë, ka nisur kur ka nisur reforma në drejtësi. Deri përpara nisjes së reformës në drejtësi, lufta kundër korrupsionit ka qenë një luftë partizane me mullinjtë e erës dhe e destinuar thjeshtë të riciklojë në forma e në mënyra të ndryshme korrupsionin. Fillimi i reformës në drejtësi dhe vazhdimi i saj janë baza për të pasur nesër një shtet modern, një shtet funksional, një shtet me institucione, të cilat janë më të forta sesa tundimi i korrupsionit dhe më të forta, sesa përpjekjet e individëve për të korruptuar shtetin, për të korruptuar proceset.

Duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm që kjo nuk është një luftë as e thjeshtë, as e shkurtër, është në luftë e gjatë. SHBA-të, - më vjen shumë mirë që ambasadorja e tha atë pjesë që faktikisht e ka çdo shtet që ka vulnerabilitetet e veta, kuptohet në një masë pafundësisht më të vogël në raport me të tërën sesa vendet më pak të zhvilluara, - nuk e kanë ndërtuar sistemin e tyre as në një vit, as në një dekadë. E faktikisht, po të shohësh të shkuarën e tyre, është një e shkuar ku korrupsioni ka lulëzuar në të gjitha format e me të gjitha shpërthimet e talenteve që janë mbledhur nga gjithë bota e që i kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që janë sot.

E them këtë, për ta vendosur luftën kundër korrupsionit në perspektivë e për të pasur parasysh që Shqipëria është ende në një proces rritjeje, është ende një shtet demokratik shumë i ri dhe edhe pse 30 vjet janë shumë në jetën e një njeriu, në procesin e shtetndërtimit, duke pasur parasysh se nga e filloi Shqipëria këtë proces, pas përmbysjes së një sistemi komunist e të një regjimi që ishte absolutisht unikal në brutalitetin e vet në gjithë sferën e perandorisë komuniste, atëherë, patjetër që kemi shumë arsye për të qenë të inkurajuar e për të qenë optimist për të nesërmen.

Duke u kthyer tek reforma në drejtësi, besoj që është hap kyç në historinë tonë e përtej të gjithë vështirësive, përtej të gjithë dobësive, përtej të gjithë atyre momenteve që brenda të tërës janë momente jo fort inkurajuese në vetvete, e tëra është absolutisht historike dhe është garanci për Shqipërinë e fëmijëve tanë, që pikërisht nga këtu fillon e ardhmja e një shteti, që nesër do të jetë imun nga ajo masë e sëmundjes së korrupsionit, që bën dallimin mes shteteve në zhvillim e shteteve të zhvilluara. 

Nëse shohim sot, panoramën e aktualitetit në drejtësi, ajo është dinamike, ka shumë të bardhë e ka shumë të zezë. E bardha është theksuar dhe e zeza është theksuar. Ka shumë shpresë, por ka dhe shumë arsye për trishtim. Natyrisht që e bardha do të shkojë duke u zgjeruar, e zeza do të shkojë duke u zvogëluar në sipërfaqen e vet, por në ndërkohë është e domosdoshme të vihet theksi në një pikë, sipas meje, që teksa vetting-u bën kërdinë e duhur mbi gjithë të zezën e akumuluar në vite, nuk do të ketë, - askush të mos ketë asnjë iluzion, - goditje të korrupsionit në nivelet e larta, nëse nuk do të goditet korrupsioni i niveleve të larta brenda sistemit të drejtësisë.

Nëse gjykatës dhe prokurorë, të cilët janë kapur në flagrancë me pasuri marramendëse, nuk do të shkojnë prapa hekurave, të mos kemi asnjë iluzion se kjo do të ndodhë me zyrtarë shumë të lartë.

Nëse gjykatës e prokurorë që tani që ne flasim, jam i bindur, janë duke bërë ndonjë krim ndërkohë në salla gjyqesh ku jepen vendime katastrofike, të përmasave që nuk kanë ndodhur përpara vetting-ut, në cenim të pronës në radhë të parë, publike dhe private, me idenë që ne nuk e kalojmë vetting-un, prandaj është koha për të bërë gjithçka që të dalim nga kjo pjesë e jetës me një thes me para, nuk do të shkojnë përpara drejtësisë, nuk do të bëhen shembuj ndërkohë që janë aty, duke kryer krime edhe sot që flasim, atëherë do të jetë e largët dita, kur goditja do të ngjitet më lart.

Kjo është premisa mbi të cilën, sipas këndvështrimit tim, duhet të fokusohet e gjithë përpjekja e institucioneve të reja të drejtësisë. Kjo është premisa, e cila SPAK-un do ta bëjë institucionin që të gjithë kemi shpresuar e mbi të gjitha, shqiptarët kanë shpresuar kur ka filluar të flitet për SPAK-un dhe kur është luftuar për krijimin e SPAK-ut. Përndryshe, SPAK-u do të jetë zhgënjimi më i madh i shqiptarëve nga reforma në drejtësi, do të jetë goditja më e madhe morale që do t’i bëhet popullit shqiptar pas gjithë këtij angazhimi të madh e pas gjithë asaj mbështetje të madhe që i dha Reformës në Drejtësi. Do të jetë dështimi më i madh i  të gjithë miqve e partnerëve të Shqipërisë, që në një mënyrë apo në një tjetër janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë proces.

SPAK-u ka misionin të pastrojë deri në fund, ata që vetting-u i pastron thjesht e vetëm nga fusha e sistemit. T’i pastrojë nga fusha e jetës shoqërore e t’i çojë në burg, për të gjitha ato që i kanë bërë këtij vendi, duke përdorur çekiçin e gjykatësit në mënyra nga më barbaret. Kjo do të jetë kthesa e madhe, përfundimtare, që do ta bëjë Shqipërinë europiane këtu, pavarësisht se çdo të ndodhë me vendimet e Brukselit, jo konferenca e parë, jo e dyta apo e shtata, jo kapitulli 24, 36, apo 276. Kjo është një temë tjetër.

Tema këtu dhe beteja këtu është beteja për ta filluar tamam nga koka dhe koka e korrupsionit në Shqipëri, më lejoni ta them deri në fund, nuk janë politikanët, nuk kanë qenë politikanët, pavarësisht se kanë qenë pjesë, nuk diskutohet.

Koka e korrupsionit në Shqipëri ka qenë korporata e këtyre gjykatësve dhe prokurorëve, që ka garantuar pandëshkueshmërinë në sistem që ndëshkimin e drejtësisë e ka përdorur për hesape që shumë shpesh nuk kanë pasur të bëjnë fare me hesapet e shtetit. Po të mos kishin qenë këta, nuk do kishte qenë as korrupsioni spektakolar dhe nga një herë, edhe vrastar i politikanëve.

Nëse nuk vendoset në themele të sistemit të drejtësisë kurbani i korrupsionit 30-vjeçar, që është fiks tek korporata që vetting-u po e shpërbën, por nuk mjafton, atëherë ngrehina nuk do qëndrojë dhe historia do të përsëritet dhe do përsëritet keq.

Unë kam besim që nuk ka asnjë rrugë tjetër dhe që do të ndodhë kështu, por ajo që është e rëndësishme është që kështu të ndodhë më herët sesa vonë.

Shqiptarët janë investuar në një mënyrë marramendëse tek vetting-u me të gjitha shpresat e tyre. Sot kanë një zhgënjim, sepse nga njëra anë nuk e kanë kuptuar deri në fund që vetting-u pastron sistemin. Vetting-u nuk bën gjykimin dhe ndëshkimin penal të atyre që pastron. Këtë duhet ta bëjë sistemi i pastruar që del nga vetting-u. Për këtë është SPAK-u, për këtë është Byroja Kombëtare e Hetimit, për këtë janë institucionet. Bashkëjetesa paqësore mes sistemit të ri dhe peshkaqenëve absurdë të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, që të vazhdojnë të lundrojnë në formë avokatësh, në formë konsulentësh e në formë politikanësh e deputetësh, do të ishte fundi edhe për një apo dy dekada të tjera i gjithë kësaj përpjekjeje të madhe.

E them këtë, sot, sepse është rasti për ta thënë, sloganet, parullat, rekomandimet me luftëra që gjithmonë e çojnë dhe hedhin fjalën tek politikanët, duhet të mbarojë. Askush nuk fiton, asnjë shoqëri nuk fiton nga diskreditimi në bllok i përfaqësuesve të vet.

Duhet të ndahen gjërat nga drejtësia. Fakti që sot , ne kemi institucione të reja të drejtësisë që janë plotësuar, tregon që ne kemi pasur njerëz në sistem që kanë qenë të pastër, pra, nuk kanë qenë të gjithë njësoj në atë sistem, nuk janë të gjithë njësoj as në jetën politike. Këtë ndarje të këtij shapi shekullor nga sheqeri i integrimit duhet ta bëjë drejtësia, institucionet e reja të drejtësisë, të cilat janë të lidhura në një mënyrë, ose në një tjetër me të gjithë ju që jeni këtu, sepse këtu në këtë tryezë është BE-ja dhe SHBA-ja. Pa BE-në dhe SHBA-në, ne nuk do ta kishim bërë kurrë këtë, sepse do të kishte qenë e pamundur të arrinim të merrnin miratimin e Parlamentit. Ky është fakt.

U desh ndërhyrja brutale e SHBA-së që të ndodhte dhe duhet të vazhdojë të ndodhë kështu, sepse këtu janë përputhur në mënyrë perfekte, interesat e SHBA-së, BE-së dhe popullit shqiptar dhe politikanët thjeshtë duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre me kë janë.

Përtej sistemit të drejtësisë ka një luftë tjetër, kundër korrupsionit, që zhvillohet çdo ditë në Shqipëri dhe që për fat të keq zë pak vend në konsideratën e përgjithshme, edhe të atyre që shkruajnë raporte për korrupsionin. Çfarë dua të them me këtë?

Si mundet të bëhet krahasimi mes sot dhe dje dhe kur them dje, nuk them 70 vite më parë, por pak vite me parë, në raport me korrupsionin, ku njerëzit kërkojnë atë që u takon sipas meritës!

Dje nuk bëheshe dot mësues sipas meritës në Republikën e Shqipërisë, në sensin që të merrje një vend në sistem konform cilësisë së aftësive të tua. Sepse duhet ose të të mbështeste partia në pushtet, me të cilën duhet të kishe një lidhje, ose të paguaje, ose të kishe ato lidhjet magjike farefisnore që ne i kemi të përbashkëta me vëllezërit tanë italianë dhe mesdhetarë, në përgjithësi.

Sot, kjo nuk ndodh, ose nëse ndodh, është krejt minimale. Sot, që të bëhesh mësues, prej disa vitesh, ti thjesht duhet të konkurrosh në një platformë digjitale dhe sipas të pikëve që merr, hyn, ose nuk hyn në sistem.

Deri dje nuk bëheshe dot infermiere. E pamundur të vishje bluzën e bardhë, pa patur një nga këto të tria; partinë, paranë ose krushqinë. Sot, infermierët hyjnë në sistem me një platformë digjitale ku testohen dhe rankohen nga kompjuteri.

Dje nuk hyje dot në fakultetin që meritoje, nëse ishte djali i dikujt që kishte një mbiemër të panjohur dhe vendin tënd e synonte djali i dikujt me një mbiemër të njohur. Sot, hyrja në universitet është krejtësisht e digjitalizuar dhe nuk ka djalë, vajzë politikani, gjykatësi apo biznesmeni, që mund ta kalojë djalin e një fermeri apo shoferi, në rast se ky i fundit është i rankuar më lart.

Këto janë pak nga shembujt, duke përfshirë këtu dhe atë shembull, që për fat të mirë, në Raportin e Progresit nënvizohet në vijimësi, që është rritja e pamendueshme disa vite më parë e vlerës së meritës në rekrutimin në administratën publike. Përfshirë këtu, programin e posaçëm për të gjithë ata që mbarojnë shkollën me 9-të dhe 10-të dhe që kanë mundësinë direkte për të hyrë në sistem.

Këtë e them për të gjithë propagandën, e cila ka sigurisht legjitimitetin e vet, për të rinjtë që këtu nuk gjejnë hapësirë, sepse në fakt hapësira për të rinjtë, sot është më e zgjeruar seç ishte dje. Nuk është aq e gjerë sa duhet të jetë, por është më e zgjeruar seç ishte dje.

Dhe progresi në të gjitha këto drejtime është relativ. Nuk mund të jetë absolut. Nëse në 7 vjet do t’i kishim zgjidhur të gjitha këto, me siguri sot, SHBA-ja  nuk do të kishte dilema se kë do zgjidhte president, ose BE-ja. E do merrnin qeverinë e Shqipërisë dhe mua e do thonin na e zgjidhni edhe ne, se ju qenkeni magjistarë. Por ne nuk jemi magjistarë. Ne jemi modestisht, udhëheqësit e këtij vendi në këtë fazë dhe bëjmë atë që mundemi.

Në Shqipëri, - këtë e nënvizon edhe raporti i BE-së, edhe raporti i SHBA-së, e raporti i OECD-së - po ndodh një revolucion që nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh në vende të tjera të rajonit në përmasat e Shqipërisë, që është revolucioni i digjitalizimit të të gjitha shërbimeve publike. Ne sot jemi të vlerësuar nga raportet si vendi me nivelin më të lartë të qeverisjes digjitale. Në dhjetor do të kemi 95% të shërbimeve publike online.

Si mund të jetë korrupsioni sot, sipas disave që bëjnë nga këto anketimet dhe bëjnë pastaj ato publikimet që janë vetëm denigruese për vende të caktuara, siç ishte vjet dhe si ka mundësi që ai vjet ishte njësoj si parvjet, kur sot, me shifra, në Shqipëri, nga janari janë kursyer 3 milionë ecejake nëpër zyra! Sepse 3 milionë janë kërkesat drejtuar zyrave, që përndryshe do të bëheshin fizikisht, nëpërmjet platformës së shërbimeve online dhe 2 milionë dokumente për të cilat deri dje do të duhej të shkojë t’i merrje nëpër sportele, të prisje radhën, të paguaje lekët, të gjeje mik.

2 milionë dokumente me vulë janë dhënë online.

Kjo është e gjitha një masë e konsiderueshme ndërveprimesh fizike, që janë kthyer në ndërveprime virtuale dhe faktikisht pa korrupsion në një vend që nuk është 200 milionë banorë.

60 milionë ndërveprime janë kryer nga janari nga qytetarët me shërbimet dhe nga vetë strukturat e brendshme të shtetit në funksion të shërbimeve, sepse ne kemi kaluar nga një fazë, kur për të marrë një dokument, qytetari duhet të shkonte në 17 sportele dhe të bënte 17 ecejake x 2, plus, 17 radha dhe 17 bakshishe, në një sistem ku është shteti, janë institucionet e tjera që do të plotësojnë dosjen për qytetarin. Ai shkon bën një ndërveprim dhe gjithë dosjen me ato dokumente ja plotësojnë institucionet e tjera. Si qenka njësoj si disa vite më parë!

Parapërfytyroni nëse ne do të kishim qenë të detyruar të bënim karantinën e përgjithshme dhe të mos kishim këtë nivel të shërbimeve digjitale!

Në karantinën e përgjithshme janë dhënë 3.214.744 shërbime. Të gjitha ato lejet që merreshin.

Ku do t’i merrnin njerëzit lejet për të dalë e për të kryer nevojat e tyre jashtë shtëpisë? Do shkonin të mbanin radhë që të infektonin njëri-tjetrin në kohën e karantinës?

Gjatë karantinës, ndërveprimet e kryera në funksion të shërbimeve të qytetarëve ka qenë 15.890.671 në pak javë. Kjo tregon që modernizimi është alternativa e korrupsionit dhe korrupsioni është alternativa e prapambetjes.

Është në një nivel krejt tjetër sot. Por njësoj siç ndodh në sistemin e drejtësisë, njësoj siç ndodh me Reformën në Drejtësi, ku piktura është bardhë e zi, ku ka të bardhë, ka dhe të zezë, kështu është dhe ky proces i modernizimit të shtetit. Kemi akoma shumë për të bërë në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që lufta të mos jetë as e përkohshme, siç ka ndodhur në disa vende që kanë marrë duartrokitjet e mëdha nga BE-ja dhe nga SHBA-ja, luftë gjueti shtrigash dhe janë kthyer prapë, po aty. Pse? Për shkak se nuk kanë arritur dot të ndërtojnë përfundimisht sistemin, që e kanë ndarë historinë mes të shkuarës dhe të nesërmes, duke i dhënë njerëzve mundësinë të shërbehen nga një strukturë e pakorruptueshme.

Nuk janë suedezët më të ndershëm se shqiptarët nga gjenet, por nuk e konceptojnë dot, si mund të paguash për të marrë shërbime, për shkak se sistemi funksionon plotësisht dhe e bën komplet të pamundur ta imagjinosh. Nuk janë gjermanët më të ndershëm se shqiptarët gjenetikisht, apo të pakorruptueshëm. Sillni 40 gjermanë t’i çoj unë tek hipoteka e Vlorës, t’i lemë 40 ditë dhe flasim prapë pastaj se si do jetë situata e tyre shpirtërore dhe si do jetë raporti i tyre me tundimet e profetit që i rezistoi 40 ditë.

Duhet të bëjmë sistemet. Edhe hipoteka e Vlorës që është simbol, pse mbetet një problem dhe deri kur do të jetë problem? Jo sepse vlonjatët janë më të prirur për korrupsion sesa gjermanët, se italianët nuk diskutohet. Por sepse, nëse sot kemi hyrë në procesin e regjistrimit të pronave pasi kemi bërë ligjin, aktet nënligjore dhe nga ky proces do të kemi sistemin që do t’i ketë të përcaktuara në hartën e vet digjitale të gjitha pronat, atëherë do të jetë e pamundur të marrësh pronën e tjetrit e ta hedhësh në det, ta marrësh tjetrin e ta bësh pronar në mes të detit. Të gjitha këto kërkojnë patjetër kohën e tyre.

Ka vetëm një rrugë për ne, që të vazhdojmë t’i bëjmë të gjitha këto përpjekje, duke patur parasysh çfarë duhet të bëjmë më tepër. Rrjeti kundër korrupsionit është tani në një nivel të ri. Në të gjitha institucionet ku merren shërbime dhe ku ne kemi luftë për të vazhduar, do të kemi pjesëtarë të këtij rrjeti në nivelin më të lartë të menaxhimit, që do të jenë aty vetëm për këtë punë.

Ndërkohë që korruptimi i fakteve, i të vërtetës është një sëmundje që do ta luftojmë bashkërisht dhe duhet të kontribuojmë të gjithë bashkë që t’i shpëtojmë faktet nga korruptimi dhe të shpëtojmë të vërtetën nga korruptimi i vazhdueshëm, që bëhet për shumë interesa.

Nuk dua këtu të bëj polemika, por dua të them që ju keni qenë shumë të ndjeshëm për ligjin për shpifjen. Madje të gjithë ata që punojnë në grupin për këtë ligj më thonë “aman mos e thuaj më që është për shpifjen, se mërziten shumë miqtë tanë ndërkombëtarë”. A thua se shpifja është një fjalë që duhet të kemi turp ta përdorim dhe se po na preket virgjëria e lirisë së fjalës! Nëse bota juaj dhe e jona e që ne duan të bëhemi pjesë integrale e botës suaj, nuk do zgjidhë problemin e shpifjes, fundi i botës, siç e njohim, do të jetë shumë më e afërt, seç mund ta imagjinojmë ne.

Kur ne kemi nisur këtë iniciativë, çuditërisht, e dini kush kanë qenë ata më të dëshiruarit për një ligj kundër shpifjes?

Sipërmarrësit. Si shpjegohet kjo?

Sipërmarrësit nuk janë në betejën e përditshme publike. Kanë qenë më të dëshiruarit sepse janë më të shantazhuarit çdo ditë, për të paguar media që përndryshe shpifin dhe shkojnë deri në shpifje që përhapin panik për ushqime, për ilaçe, për mjete të konsumit të përditshëm të jetës së njerëzve, për të cilat i vënë në diskutim dhe i reklamojnë si helme potenciale, se duan paratë e zeza për të ushqyer burimet e tyre të shpifjes dhe informacionit.

Edhe në raport me korrupsionin, shpifja është po kaq e rrezikshme dhe po kaq e dëmshme. Duke i bërë të gjithë njësoj, duke i bërë të gjithë të korruptuar, duke përcaktuar për interesa në fakt korruptive se kush është i korruptuar dhe kush nuk është i korruptuar. E gjithë kjo krijon një rreth vicioz prej të cilit duhet të dalim, por sigurisht, Shqipëria nuk mund të marrë përsipër të zgjidhë një problem që në fakt duhet ta zgjidhin vendet me demokraci të padiskutueshme dhe ku nuk mund të thuash që na ka dalë një piktor autoritar që do të na mbyllë gojën.

Shumë faleminderit!​

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emi: 14/10/2020 16:56

    Kam 24 ore qe kam nis komentin tim dhe nuk eshte asgjekundi

    Përgjigju
  • bec mo: 14/10/2020 11:25

    PER K/HAJDUTIN KARSTRIOT SELITA QE KALOI VETINGUN SE BERI PROKUROR ME VENDIM GJYKATE BURRIN E DEPUTETES TENDE FELAJ, KISHE NDONJE KOMENT ?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura