E pyetur nga gazetarja e Report TV për deklaratën e kryeministrit Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS ku e quajti “dështim” Ministrinë e Jashtme, Elisa Spiropali tha se është dakord për reformimin.

Ministrja tha se MEPJ duhet të ngrihet në një nivel të ri përgjegjësie e përfaqësimi lidhur edhe me negociatat për anëtarësimin në BE. Sa për ligjin e shërbimit të jashtëm, Spiropali tha se do të favorizojë meritokracinë dhe talentet e reja.

“Në dukje ka një kontradiktë mes nivelit të përfaqësimit, respektit që Shqipëria ka krijuar në nivelin ndërkombëtar dhe asaj që u tha mbi nevojën për një reformim të shërbimit të jashtëm, trupës diplomatike dhe MEPJ, me të cilin konstatim unë jam plotësisht dakord. Në këto 100 ditë që unë drejtoj MEPJ kam parë njerëz me ekspertizë të jashtëzakonshme, kontribut shumë të madh në shërbimin e jashtëm, ashtu siç kemi bërë edhe një analizë të nevojave për reformim duke nisur nga ligji për shërbimin e jashtëm që kalon në Kuvend më 28 janar që do t’i japë më shumë hapësirë meritokracisë, promovimit të talenteve të reja, hapjes së ministrisë për të rinj apo kontributorë që kanë punuar në organizata ndërkombëtare dhe duan të japin shërbim për Shqipërinë. MEPJ duhet të ngrihet në një nivel të ri përgjegjësie publike, jo vetëm sa i përket reformës dhe ligjit, por edhe të përfaqësimit, diplomacisë publike. Ky rol i ri i Shqipërisë kërkon të ndiqet edhe nga një administratë, trupë diplomatike që mirërregullohet, kalon në një proces meritokratik, në gjykimin tim edhe shpërblehet më mirë, i shërben vendit në kapacitete të reja. Ka shumë hapësirë për këtë përmirësim.

Duke qenë një strukturë që ka trashëguar histori, por edhe që gjatë një tranzicioni të gjatë ka pasur ulje-ngritjet e veta, pse jo, emërime, promovime, mungesë gradimi e vlerësimi për diplomatët në meritë, ka krijuar një ngërç. MEPJ ka kontributin e vet të padiskutuar edhe për rolin e Shqipërisë në botë, por besoj që ka ardhur koha që në këtë rol të ri në diskutimet e negociatat kaq intensive me BE për anëtarësimin e Shqipërisë brenda 2029 dhe mbylljen e negociatave brenda 2027, jemi duke parë një reformim tërësor të ligjit e trupës diplomatike dhe për më shumë prezencë të MEPJ në diskutime të hapura e publike për procesin e integrimit. Plani për 27 vizita në 27 vende anëtare brenda këtyre dy viteve është një projekt shumë ambicioz që kërkon gjithë angazhimin e kësaj trupe që është një shtyllë e funksionimit të shtetit shqiptar dhe duhet të ngrihet në  lartësinë e këtij misioni”, tha Spiropali.


Lajmi kryesor:

Shqipëria në Bordin e Paqes për Gazën/ Spiropali: Ftesa e Trump vlerësim i lartë! Tregimet se do paguajmë miliarda dollarë, trillime të opozitës