“Grupi i strukturuar kriminal i tha gjykatësja prokurorit për Ilir Beqajn, arbitri. Ra grupi i strukturuar. Atëherë, po Ilir Beqaj?". Kështu e komentoi për herë të parë që prej kohës kur është marrë i pandehur vijimin e çështjes në SPAK e GJKKO për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj për dosjen e koncesionit të sterilizimit. 

Në mbledhjen e grupit të PS, Rama ironizoi duke pyetur se në çfarë grupi bën pjesë ish-ministri, sa kohë që grupi i strukturuar kriminal nuk është më ekzistent. Shefi i qeverisë tha se në të gjithë botën normale, prokurori kërkon dhe është gjykatësi ai që e frenon, por në vendin tonë ndodh e kundërta: prokurori kërkon, gjykatësi vrapon.

“Grupi i strukturuar kriminal i tha gjykatësja prokurorit për Ilir Beqajn, arbitri. Pra, lojtari përballë pretendon që ishte gol, arbitri thotë: -Nuk ishte një gol, ishin dy gola dhe “VAR-i”, Gjykata e Apelit thotë ishin tre gola. Ça drejtësi është kjo? Ça gjykatësish janë këta?

Ra grupi i strukturuar, nuk është ekzistent. Atëherë, po Ilir Beqja? S'kam folur ndonjëherë për të, duke respektuar vijën e kuqe, po tani që ka një vendim mbasi u ngrit dhe u ul si organizatori i një grupi të strukturuar në të 700 tenxheret politike dhe mediatike, s'paska pas grup strukturuar. Në të gjithë botën normale, prokurori kërkon, gjykatësi frenon. Këtu prokurori kërkon, gjykatësi vrapon. Po në emrin tonë, jo! Me votën tonë, jo”, tha Rama. 

Rasti i referohet një situatë juridike paradoksale dhe absurde të krijuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Një vendim i dhënë 5 ditë më parë nga GJKKO e shkallës së parë dënoi me 28 vite burg në total 8 të pandehur të koncesionit të sterilizimit

Nga 4 vite me gjykim të shkurtuar u dënuan ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili fitoi koncesionin. Ata u gjetën fajtorë për vjedhje, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzën e grupit të strukturuar kriminal. E njëjta akuzë rëndon edhe ndaj Beqajt, në një proces paralel gjyqësor me procedurë të zakonshme.

Kujtojmë se akuza e “grupit kriminal” u ngrit në seancë paraprake, pasi 2 prokurorët e SPAK e kishin marrë të pandehur fillimisht Beqajn vetëm për “shpërdorim detyre”. Por akuza u ndryshua nga gjyqtarja e seancës paraprake, Flojera Davidhi, e cila çmoi se provat e administruara tregonin një përgjegjësi më të rëndë. Megjithëse prokurorët Kondili dhe Nakuçi i qëndruan fillimisht versionit të tyre, pas insistimit të gjyqtares ata kërkuan që të vijohej gjykimi në themel me akuzat e sugjeruara nga gjykata, pra vjedhje e rëndë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Por situata bëhet edhe më absurde kur, në një seancë të së martës së kaluar, Ilir Beqaj ngriti pretendimin se nga SPAK nuk i ishte komunikuar zyrtarisht kjo akuzë e re, dhe asnjë provë e re ku ajo mbështetej. Për këtë arsye trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme u la si detyrë prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi që të përgatisin me shkrim argumentet.

Por vendimi i 4 marsit, pra zhbërja e akuzës së “grupit kriminal” për Rrjepajn dhe Rrapajn tashmë i vendos prokurorët para detyrimit që ta heqin këtë barrë edhe ndaj ish ministrit të Shëndetësisë. Në fund të fundit Beqaj nuk mund të jetë i vetëm grup i strukturuar kriminal.

 

 

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

K.B/A.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 9 Mars, 15:01

    PS nuk jep aprovimin për arrestimin e Ballukut, si e vlerësoni?