Në konferencën me gazetarët e vendeve të Bashkimit Europian, ku u pyet për investimin e planifikuar prej 4 miliardë dollarësh në Zvërnec dhe debatet që kanë shoqëruar projektin, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë pretendimet se ekziston një leje ndërtimi për zonën dhe akuzoi rrjetin Balkan Insight për dezinformim.

Pyetje: Thatë që nuk ka një projekt, por përse është ngritur ky gardh rrethues në plazhin për të cilin po flasim dhe përse rrjeti ballkanik i investigimit thotë se ka një kompani që ka leje për të ndërtuar në këtë zonë, nëse nuk ka një projekt?

Edi Rama: “Balkan Insight po gënjen. Nuk ka të bëjë me kush thotë çfarë, por me kush provon çfarë. Unë nuk jam këtu për të thënë gënjeshtra, por as për të dëgjuar gënjeshtra. Nëse dikush thotë se ka një leje ndërtimi, le ta tregojë atë.

Përkundrazi, nëse më pyesni dhe jeni të interesuar për faktet, po, ka një proces. Po, ka një kompani. Sigurisht që ka një kompani. Por fakti që ka një kompani nuk do të thotë se ka një projekt. Ka një shprehje interesi, ka një proces që ka nisur me autoritetet dhe, për ta bërë shumë të qartë, bëhet fjalë për një pronë private.

Është shqetësuese kur kalon nëpër gjithë këto postime dhe sheh gjëra kaq të pasakta, kaq të shpifura. Nëse nuk do të isha në këtë pozicion dhe nuk do të isha plotësisht i vetëdijshëm për faktet, edhe mua do të më neveriste të shihja se qeveria ime po shet një ishull pa më treguar çfarë do të ndodhë. Sigurisht që do të ndihesha i revoltuar. Por a është e vërtetë?

Së dyti, Zvërneci dhe ishulli janë dy projekte të ndryshme. Nuk janë i njëjti projekt. Pse publikohet vazhdimisht ishulli, gardhi e gjithçka tjetër? Për të krijuar një perceptim të neveritshëm, sikur Shqipëria të jetë një republikë bananesh ku ishujt u shiten oligarkëve dhe vendi drejtohet nga një kryeministër që u shërben oligarkëve. Çfarë është kjo? Është e neveritshme, por a është e vërtetë? Jo.

Ju mendoni se keni sjellë fakte që provojnë të kundërtën e asaj që po them, por nuk është kështu. Kompania ekziston, shprehja e interesit ekziston dhe marrëveshja është private. Kështu funksionon një vend demokratik. Nuk njoh asnjë vend që mund t’i ndalojë privatët të bëjnë marrëveshje mes tyre. Nuk njoh asnjë vend ku qeveria t’u thotë privatëve: ‘Mos guxoni të lidhni marrëveshje’.

Unë njihja një vend ku privatët nuk lejoheshin të ishin privatë dhe të huajt konsideroheshin armiq. E kam njohur atë vend, e kam luftuar dhe, falë Zotit, fituam.

Është gardh, e dashur. Çdo privat ka të drejtë të kërkojë leje për të vendosur gardh rrethues në pronën e tij. Të luftosh kundër gardheve të pronave private, çfarë është kjo?

Kur ka një proces të tillë dhe një komunikim me autoritetet për një projekt, ne kemi protokolle që vërtetojnë se ky vend funksionon si një vend europian. Kemi dokumente me shkrim që tregojnë se investitorëve u janë bërë të qarta çështje si ndjeshmëria e zonës, distanca nga laguna, parametrat e zhvillimit, dendësia e ndërtimit dhe të gjitha kushtet e tjera.

Çfarë mendoni ju? Si mund të bëhet që e vërteta të shihet dhe të dëgjohet?

Unë e thashë ditën e parë dhe të dytën, pastaj hoqa dorë, sepse kuptova që kjo nuk kishte të bënte me mjedisin. Kishte të bënte me një ndjenjë që thotë: ‘Ka ardhur koha të marrim kontrollin’.

Që ditën e parë kam thënë se kushdo që është i interesuar të flasim për këtë çështje është i mirëpritur. Unë jam këtu për të folur për projektin, për mjedisin, për parametrat, për gjithçka kemi bërë deri tani, për të treguar dokumentet, faktet dhe çdo gjë që lidhet me ligjin për mjedisin.

Po ashtu, jam gati të tregoj se pretendimi se ne kemi ndryshuar ligjin që kjo të ndodhë është krejtësisht i pavërtetë. Kjo është gënjeshtër dhe unë jam gati t’jua provoj me fakte. Por si t’i provosh faktet në këtë botë?” tha Rama.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- ‘Zvërneci’, Rama: Projekti nuk është anuluar, gënjeshtër! Kompania ende s’ka leje ndërtimi! Protestat? Tregojnë që jemi si çdo vend i BE