Ndërsa nuk kanë munguar edhe shakatë ngacmuese të kryeministrit ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta.
“Sinqerisht u ndjeva shumë keq që mu desh të bëhem thuajse 50 vjeç, për t’i parë kanionet, por pastaj u ngushëllova kur më thanë që edhe Iliri i ka parë këtë vit”, tha kryeministri Rama.
“Kanionet e Skraparit një eksperience e re e Shqipërisë magjike, nga një kënd që s'e kemi parë kurrë!” – do ta përshkruante Kryeministri këtë eksperiencë, duke ftuar çdo shqiptar të krijojë eksperiencën e tij duke vizituar një ndër komplekset natyrore më magjike të Shqipërisë.
Një tjetër atraksion që tërhoqi vëmendjen e Kryeministrit Rama ishte Ura e Kasabashit, një monument i trashëgimisë sonë kulturore, e shekullit të 17-të.
Sëbashku me Kryetarin e Kuvendit Meta, Kryeministri Rama inauguroi edhe rrugën e Kanioneve. Duke folur për potencialet e kësaj zone për zhvillim, Kryeministri theksoi se ato janë turistike dhe ekonomike dhe qeveria ka projekte që nxisin rritjen e turizmit dhe rritjen ekonomike të saj. Kryeministri veçoi synimin për të lidhur me infrastrukturë moderne luginën e Osumit me atë Vjosës, çka, theksoi ai, do të transformojë jo vetëm jetën ekonomike të këtij rajoni, por do të rivlerësojë edhe kuptimin e turizmit, jo thjesht si turizëm bregdetar siç shihet deri më sot.
Rama: Do vijojnë investimet në këtë zonë
Duke folur për projektet për zhvillimin ekonomike turistik të kësaj zone, Kryeministri Rama nënvizoi:
“Është kënaqësi e dyfishtë, sepse nga njëra anë jemi këtu, për të inauguruar jo thjesht një rrugë, por një kapitull të ri të marrëdhënieve mes gjithë kësaj zone dhe qeverisë në Tiranë, që, siç ju e dini shumë mirë, për shumë vite nuk i ka kthyer sytë nga kjo zonë.
Ne kemi vënë në lëvizje disa fonde tani, për unazën e qytetit. Po ashtu do të vazhdojmë me studimin urbanistik të qytetit. Jam i bindur që kanionet janë një potencial i jashtëzakonshëm, për ta transformuar plotësisht jetën ekonomike jo vetëm të qytetit dhe të zonës, por për të transformuar edhe kuptimin tonë për turizmin, sepse gjithmonë e kemi menduar si të lidhur vetëm me vijën bregdetare. Ndërkohë që këtu është një pasuri shumë e madhe, e pashfrytëzuar.
Me lidhjen përfundimtare të kësaj rruge me Përmetin, në mënyrë që të dyja këto lugina të mrekullueshme, që janë një bazë shumë e fortë për zhvillimin e një tjetër turizmi, të mund të lidhen me këtë infrastrukturë dhe pastaj numri i turistëve, i cili është rritur vit pas viti, të shumëfishohet sepse realisht potenciali është i gjithi këtu. Neve na duhet vetëm që të përqendrohemi dhe ta zhvillojmë këtë potencial. Duke qenë të bindur se edhe reforma administrative-territoriale do të jetë një nxitje shumë e fortë për të fokusuar mirë fondet dhe për të punuar shumë, në mënyrë racionale, me prioritetet”.
Meta: Kanionet e Osumit, një atraksion unik për gjithë turistët
Kryetari i Kuvendit Meta përshëndeti Kryeministrin për vëmendjen që qeveria i kushton zhvillimit të turizmit dhe rivitalizimit të potencialeve të tjera të kësaj zone. Në përshëndetjen e tij, Meta u shpreh:
“Kjo rrugë e re përfaqëson një shpresë të madhe për të gjithë komunitetin këtu, për të ardhmen e perspektivën e tij dhe unë besoj se me këtë vizion të ri që kemi për mjedisin, për natyrën, për turizmin, absolutisht që ne kemi një resurs të jashtëzakonshëm për ta shndërruar gjithë këtë luginë të Osumit në një burim të jashtëzakonshëm mirëqenie dhe progresi për gjithë komunitetin dhe në një atraksion unik për gjithë turistët.
Kjo luginë e mrekullueshme e Osumit të bashkohet me luginën po kaq të mrekullueshme të Vjosës. Kështu do të shumëfishohet potenciali turistik dhe do të fuqizohet një paketë e jashtëzakonshme turistike në të ardhmen, për gjithë turistët e huaj, pra, Berat, Skrapar, Përmet e Gjirokastër, që do të gërshetojë në mënyrë të jashtëzakonshme magjinë e turizmit kulturore, historik, me atë natyror dhe të aventurës që ofrojnë luginat e mrekullueshme të Osumit e të Vjosës.
Para një muaji inauguruam një fabrikë të re në qytetin e Çorovodës dhe javën tjetër, numri i të punësuarve do ta kalojë numrin 200 dhe shpresoj që në fillim të vjeshtës të vejë 300 e 400. Ndërkohë do të mendojmë për aktivitete të tjera, në mënyrë që çdo njeri që do të punojë, të ketë mundësi të punojë në përputhje dhe me aftësinë dhe nivelin e arsimimit, por, mbi të gjitha, ne t’i hapim një të ardhme afatgjatë e të qëndrueshme këtij rajoni të mrekullueshëm.”
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)