TIRANE-Hapja e bizneseve do të shoqërohet me rregulla të reja për lëvizjen e automjeteve për arsye pune. Tashmë lejet nga bizneset për autorizim nuk do të merren në policinë e shtetit, por te e-Albania, ashtu sikur ka ndodhur dhe vijon me individët për të dalë nga shtëpia për pazar.
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se faqja e e-Albania është në funksion të plotë dhe të gjitha bizneset mund të aplikojnë për të marrë lejen që do të jetë e vlefshme për një javë. Pra bizneset mund të aplikojnë për të marrë lejen një herë në javë. Kreu i qeverisë ka shpjeguar kategoritë dhe si do të funksionojë lehtësimi i lëvizjes për bizneset që janë lejuar që të punojnë.
"Lehtësohet lëvizja për bizneset e lejuara! Gati “leje qarkullimi sipas nevojës së subjekteve” në www.e-albania.al.
Tre seksione të dedikuara sipas profilit të biznesit, për:
Transport për stafin me autobusë ose furgona.
Leje-dalje për të marrë shërbime private dhe publike në çdo kohë brenda fashës orare zyrtare: 05.00-17.30.
Leje e veçantë për bizneset që ofrojnë shërbim 24/24.
Kujdes! Abuzimi me aplikimet për leje duke zgjedhur seksionin që nuk ka asnjë lidhje me aktivitetin tuaj, sjell bllokimin e biznesit tuaj në sistem.
Ndiqni videon orientuese për procedurën dhe të gjitha paqartësitë" shkruan Rama.
Ky shërbim vlen edhe për institucionet shtetërore. Titullari i institucionit duhet që të identifikohet në portal si individ, të regjistrojnë emrin e institucionit duke plotësuar NIPT-in dhe të dhënat e tjera dhe më pas vijon me aplikimin sipas hapave.
Komente











