“Ne jemi zotuar se do ta Rilindim këtë qytet, që është një vlerë e madhe, jo vetëm e gjirokastritëve, as vetëm e shqiptarëve, por është një vlerë e madhe e qytetërimit evropian, është një qytet që i përket trashëgimisë kulturore botërore dhe është braktisur e rrënuar për vite te tëra. Do të fillojmë me një ndërhyrje masive në 29 rrugë të qytetit, pastaj me lidhjen e qytetit me liqenin, përmes një rruge të re, duke krijuar kushte tërësisht të reja në të gjithë parkun e liqenit”, tha Rama.
Më tej kryeministri Rama tha se ekziston një projekt, i cili parashikon marrjen në dorë të të gjithë monumenteve të kategorisë së parë. Ndërsa për Gjirokastrën, do të realizohet lidhja e qytetit me liqenin përmes një rruge të re.
“Po përgatitemi për një projekt të marrjes në dorë të të gjithë monumenteve të kategorisë së parë, shtëpive monumente kulture të kategorisë së parë, në bashkëpunim me një koalicion miqsh dhe partnerësh të huaj, në mënyrë që ky rrënim i tmerrshëm dhe kjo shpërbërje e pafalshme, që për vite të tëra bashkudhëtoi me ne dhe praktikisht përbën një njollë të madhe turpi për ata që e qeverisën këtë vend deri dje, të marrë fund. E, nga ana tjetër, qyteti të fillojë të rimarrë frymë, duke i'u rikthyer shkëlqimi dhe duke i kthyer këto monumente në instrumente të zhvillimit ekonomik, në instrumente të zhvillimit të një turizmi që sot Gjirokastrës i mungon, padrejtësisht, jashtëzakonisht shumë”, nënvizoi kryeministri.
Duke e konsideruar si të patolerueshëm nivelin e papunësisë në këtë qytet, kryeministri Rama siguroi se me planet edhe me investimet e duhura, Gjirokastra do të kthehet në një burim mirëqenies.
“Gjirokastra hyn ndër qytetet e rralla të Europës, pa asnjë dyshim, dhe përbën një pasuri të jashtëzakonshme që me zgjuarsi dhe me planet edhe me investimet e duhura, mund të kthehet, pa asnjë diskutim, në një burim mirëqenie. Varfëria dhe papunësia në Gjirokastër janë sot në nivele të pa tolerueshme. Dhe s’ka asnjë arsye që me punën e duhur dhe me kohën e duhur sigurisht, - se nuk bëhen të gjitha përnjëherë, - Gjirokastra të mos jetë një vend me punësim të plotë dhe pa asnjë të varfër. Kjo është një ‘minierë’ e vërtetë mirëqenie, në rast se ne do të dimë ta transformojmë përmes ndërhyrjeve të duhura dhe investimeve të duhura”, theksoi kryeministri Rama.
Gjatë vizitës, Rama shprehur besimin se në 4 vjet, do të çelet një kapitull i ri për qytetin e gurtë, në mënyrë që të gjithë të kenë dëshirë të rikthehen atje.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)