Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas vendimit të papritur të djeshëm të Lulzim Bashës për t'i kërkuar grupit parlamentar të djathtë djegien e mandateve. Në një intervistë për median italiane Corriere Della Sera, kreu i qeverisë thotë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe as ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakoshme.

Qeveria tranzitore, zgjedhjet e parakohshme dhe një parlament i ri i dalë nga këto zgjedhje janë kërkesat që opozita e bashkuar parashtroi edhe në protestën e së shtunës para kryeministrisë, e cila degjeneroi në dhunë.

Intervista e Ramës për gazetën italiane

Për gazetarin italo-shqiptar, Leonard Berberi, Rama thotë se Kuvendi i ka shumicën e garantuar, dhe se përfaqësuesit e mazhorancës janë të zgjedhur nga vota popullore. Kontratën e ka me shqiptarët që  e kanë votuar - shprehet Rama - i cili thekson se do ta respektojë atë deri në fund.

I pyetur për kërkesën e opozitës për largimin nga qeveria Rama përgjigjet: "As nuk e çoj ndërmend. Kam një mandat të qartë nga populli, kemi një mazhorancë në Parlament dhe në fund unë kam detyrimin përballë bashkëkombësve të mi. Nuk jam i detyruar të ndjek kërkesat e minorancës parlamentare. I vetmi detyrim është kontrata me popullin shqiptar,që na ka dhënë votën për të qeverisur"

Kreu i qeverisë komenton edhe protestën e opozitës, kur thotë se e vetmja gjë që solli ishte "një imazh negativ i Shqipërisë me një dhunë absurde, por me një rezultat zhgënjyes. E vetmja pasojë konkrete ishte shkatërrimi i një vepre arti, kërpudhës në Kryeministri".