Pas protestës së djeshme të opozitës para kryeministrisë për rrëzimin e qeverisë "Rama", lideri demokrat Lulzim Basha vendos t'i propozojë grupit parlamentar djegien e mandateve të deputetëve të Partisë Demokratike. Ai e përktheu pjesëmarrjen në protestën e djeshme si referendum qytetar për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, ende nuk ka shpallur një qëndrim zyrtar se nëse edhe grupi parlamentar i partisë që ajo drejton do të marrë të njëjtën rrugë: Djegien e mandateve. Pro Bashës deri tani janë shprehur vetëm aleatët opozitarë pa deputetë në parlament.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:52
Aleati opozitar: Basha duhet të bënte këto dy gjëra para se opozita të digjte mandatet

Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka shprehet se përpara se Lulzim Basha të arrinte te vendimi për djegien e mandateve, opozita nëpërmjet rrugës institucionale, duhet të konkretizonte ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe përmirësimin e infrastrukturës zgjedhore, për të pasur realisht mundësinë e zgjedhje të lira dhe të ndershme. Megjithatë, thotë Duka, ky akt politik i opozitës shënon fillimin e një faze të re. "Që zgjedhjet e 25 qershorit 2017-të kanë qenë një nga momentet më të turpshme të pluralizmit politik, tashmë është një fakt i mbështetur nga përgjimet e Prokurorisë dhe publikimet e “Zërit të Amerikës”.

Sigurisht do të kisha dashur që përpara se të arrinim tek ky vendim drastik, pra djegia e mandateve, Opozita të arrinte, nëpërmjet rrugës institucionale, të konkretizonte ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe përmirësimin e infrastrukturës zgjedhore, për të pasur realisht mundësinë e zgjedhje të lira dhe të ndershme. Megjithatë, nëse Opozita parlamentare gjykon se kanë shteruar të gjitha rrugët politike dhe vendos të djegë mandatet, ne do të respektojmë vullnetin e saj. Edhe pse tre mandate në listat e Partisë Demokratike i përkasin kandidatëve të Partisë Agrare Ambientaliste, ne do t’i dorëzojmë ato, pasi nuk mund të jemi pjesë e një Parlamenti ilegjitim. Ky akt politik i Opozitës shënon fillimin e një faze të re, në të cilën, të gjithë bashkë, duhet të gjejmë forcën për të sjellë një ndryshim real, jo vetëm për t’i dhënë fund tjetërsimit të zgjedhjeve, por për të hedhur themelet e një sistemi zgjedhor të drejtë, demokratik dhe përfaqësues" thotë Duka.

Ora 17:29
Nuk ka asnjë deputet, por PDIU mbështet vendimin e Bashës për djegien e mandateve

PDIU mbështet vendimin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për djegien e mandateve. Si për ironi, kjo forcë politike në këtë legjislaturë nuk përfaqësohet nga asnjë deputet në parlament, pasi tre të zgjedhurit nga partia e çamëve u larguan nga PDIU-ja. Reme Lala, Elena Xhika dhe Dritan Bici u zgjodhën deputetë me logon e PDIU në zgjedhjet e fundit parlamentare, por nuk vendosën të ndjekin partinë çame në bashkimin me opozitën duke kaluar me shumicën. "PDIU mbështet vendimin e PD-së për ti dhënë zgjidhje politike vendit, si i vetmi instrument që politika e përgjegjshme ka për të zgjidhur krizën shumëdimensionale që sot ka kapluar vendin, krizë politike, ekonomike, sociale dhe krizë përfaqësimi, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohëshme dhe një qeverie tranzitore, që do të garantojë që shqiptarët të votojnë dhe të zgjedhin për herë të parë të lirë. Vlerësojmë propozimin e z. Basha për grupin parlamentar dhe këshillin kombëtar të PD-së, që para zërit të qytetarëve dhe nevojës së vendit për zgjidhje politike, nuk vuri status quo(-në) e një parlamenti ilegjitim, por bëri fakt zgjidhjen politike që kjo mazhorancë po e refuzon me arrogancë. Përfaqësuesit e Rilindjes vazhdojnë të lexojnë si pushtetarë e jo si shërbëtorë të shtetit qindra- mijëra qytetarë që dje dolën për një Shqipëri me demokraci funksionale, shtet ligjor dhe një jetë më të mirë e më me dinjitet" thuhet në deklaratën e plotë të PDIU-së.

Ora 15:54
Basha pas takimit me Kryemadhin: Djegim mandatet! Deputetët e LSI: Nuk dimë gjë!

Kryedemokrati Lulzim Basha tha se do t'i propozojë grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe forumeve më të larta politike, djegien e mandatave të deputetëve të djathtë. Deklarata e Bashës erdhi pak momente pas takimit në selinë blu me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi

Ndërkohë burime nga LSI për Report Tv thonë se deputetet e LSI-së ende nuk kanë dijeni për vendimin për djegie të mandateve. Sipas tyre kjo çështje nuk është diskutuar ende as në kryesi e as në grupin parlamentar të LSI-së.

Nuk dihet ende nëse edhe Kryemadhi do vendosë apo jo t'i propozojë deputetëve të partisë së saj të bëjnë të njëjtë gjë si deputetët e Partisë Demokratike, lidhur me mandatet e tyre.

Deklarata e papritur e Lulzim Bashës u bë sot në një konferencë për mediat. Erdhi si një përgjigje e pjesëmarrjes në protestën e opozitës së bashkuar dje para kryeministrisë, që lideri demokrat e përktheu si një referendum për zgjidhjen që opozita ofron; Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Ora 15:48
Kryemadhi ende pa përgjigje, a do t'i djegë mandatet edhe LSI?!

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ende nuk ka bërë publik një qëndrim të saj se çfarë do të bëjë partia që ajo drejton pas vendimit të papritur të kryedemokratit Lulzim Basha për të djegur të gjitha mandatet e deputetëve të grupit të tij parlamentar. Këtë vendim lideri i opozitës e shpalli sot në një konferencë për mediat, ndërsa pak para se të dilte para gazetarëve, Basha kishte takuar në selinë blu kryetarin e LSI-së.

Kryemadhi është mjaftuar deri më tani vetëm me një status në Facebook, pas konferencës që Basha pati:

"Beteja kundër Ramës dhe bandave të krimit vazhdon. Nuk ka parë gjë akoma!", shkruan ajo.

Një sqatus që nuk qartëson se cili do të jetë vendimi i LSI-së dhe nëse Kryemadhi do të bëjë të njëjtën gjë duke i propozuar grupit të saj parlamentar që të djegin mandatet.

Ora 15:46
Basha: PD do djeg të gjitha mandatet, zgjedhje të parakohshme (VIDEO)

Pas protestës së opozitës, lideri demokrat Lulzim Basha vendos t'i propozojë grupit parlamentar djegien e mandateve të deputetëve të PD-së. E përkthen pjesëmarrjen në protestën e djeshme si referendum qytetar për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Pjesëmarrjen qytetare në protestën e djeshme para kryeministrisë, lideri demokrat Lulzim Basha e ka vlerësuar në përmasat e një referendumi për zgjidhjen që opozita e bashkuar ofron: Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme. Heshtjen që kaploi tubimin ndryshe të opozitës, pa asnjë fjalim politik, kryedemokrati Basha e theu këtë të dielë duke bërë publik vendimin e tij. Tha se do t'i propozojë grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe forumeve më të larta politike, djegien e mandatave të deputetëve të djathtë.

Në një konferencë për mediat nga selia blu, Basha doli për të thënë mesazhet që kishte marrë nga protesta, të cilën e quajti më të madhen të dëshmuar në historinë e Shqipërisë, për nga pjesëmarrja.

"Pjesëmarrja më e madhe që ka parë ndonjëherë vendi. Protesta mori përmasat e një referendumi për zgjidhjen e ofruar nga opozita. E kam lexuar vullnetin tuaj, kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve me te larta politike djegien e mandateve te deputeteve tanë!", tha Basha.

"Dhuna kundër qytetarëve protestues provon degradimin e këtij shteti të kalbur, inkriminimin e policisë. Ju kërkoni një qeveri legjitime. Mesazhi juaj është i qartë, kështu nuk vazhdohet më, thika ka shkuar në palcë", theksoi Basha.

Sipas liderit demokrat, zgjidhja është një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme për një  parlament dhe qeveri që del nga vota qytetare, siç theksoi Basha.

Dhunën në protestën e opozitës e quajti sërish një skenar të qeverisë. Ky ishte një skenar i dhunshëm - tha Basha, - ndërkohë që opzoita sipas tij - shfaqi civilizim evropian duke shkuar me lule në protestë. Këtu Basha i referohet vajzave të reja të FRPD-së që marshuan me lule drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit" e madje i ofruan lule edhe efektivëve të policisë. Por, lideri demorkat nuk mban asnjë qëndrim të tij, të shprehur hapur, për personat protestues që disa herë me radhë gjatë 5 orëve të protestës, thyen kordonin e policisë para kryeministrisë dhe shkatërruan çka gjetën para. Skela mbrojtëse para derës së godinës u shkatërrua dhe me hekura e dërrasa u thyen xhamat e derës kryesore duke arritur deri te dritaret e katit të dytë. Po ashtu instalacioni i kërpudhës në lulishten e kryeministrisë u shkatërrua po nga protestuesit.

Policia ka arrestuar 15 veta për dhunën, 7 janë shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Liderët e opozitës dje, Monika Kryemadhi e LSI-së, ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetët e opozitës, u bënë spektatorë të dhunës që shpërtheu gjatë tubimit, duke zgjedhur të mos bëjnë fjalime. Në përgjigje të shkurtra për mediat, nuk u distancuan nga dhuna, por thanë se gjithçka u provokua nga qeveria pas heqjes së kordonit me policë para kryeministrisë. Të vetmet momente kur efektivët lanë hyrjen e kryeministrisë, ishin kur protestuesit e dhunshëm hodhën bomba molotov, kapsollë, tymues si dhe shkulën gurët nga bulevardi duke qëlluar ndaj policisë dhe kryeministrisë. U shpërndanë vetëm pasi Garda e Republikës e vendosur në tarracën e kryeministrisë hodhi gaz lotsjellës.