Kryeministri Edi Rama iu përgjigj thirrjeve të opozitës që të shpjegojë si u emërua Vlora Hyseni në krye të SHISH. Në mesazhin drejtuar shqiptarëve nga salla e shtypit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” kreu i qeverisë tha se për Hyenin kishin marrë referenca të shkëlqyera nga partnerët.

Por pas hetimeve të SPAK kryeministiri tha se ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveçse ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend.

"Ndërsa orvajtjet e këtyre ditëve, për ta shpjeguar emërimin në krye të SHISH-it me turlilloj fantazish konspirative, nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me të vërtetën. Si zakonisht e vërteta është e thjeshtë. Fillimisht ka nisur të punojë pranë meje, në rolin e këshilltares që mbulonte marrëdhëniet me institucionet e sigurisë.

Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si edhe bazuar mbi referencat e shkëlqyera të marra nga shërbimet partnere - nënvizoj, e shkëlqyera - ajo është emëruar drejtuese e Shërbimit. As nuk vihet sot në diskutim se ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveçse ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend, ku mori besim të pakursyer.

Por, po ashtu, as nuk diskutohet që ky vend nuk bëhet kurrësesi më i drejtë, kur njerëzit e vendosur nën hetim nga prokuroria, linçohen nëpër tezgat mediatike, sikur të ishin shtriga të lidhura mbi turrat e druve të Mesjetës", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Arresti i Vlora Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! SHISH u ekspozua ndaj një dëmi të madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal, korrupsioni po goditet