Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund në mënyrë të pakthyeshme, u shpreh kryeministri Rama. ai tha se reforma e drejtësisë, merita e së cilës i takon vetëm atij dhe PS, ishte dorëzim i shpatës së drejtësisë te pushteti i gjyqësorit. Sistemi po shfaq aftësi vetëpastrimi, vijoi Rama dhe ky është suksesi më i madh.
“E di që Shqipëria e deridjeshme e harmonisë me korrupsionin dhe padrejtësinë, nuk ka ikur përfundimisht nga jetët tona. Bishtat e panumërt të atij vendi i kemi ende nëpër këmbët e jetës së përditshme. Por ama e di me siguri, që koha, kur në këtë vend drejtësia ishte një derë e mbyllur sa herë trokiste e drejta dhe një dhomë e hapur sa herë e keqja donte pazar, nuk kthehet më. Nuk kthehet më koha kur pushteti politik dhe pandëshkueshmëria ishin e njëjta gjë.
Ka ikur ajo kohë, sepse unë, Partia Socialiste dhe shumica e shqiptarëve që na besoi, i hymë detit në këmbë dhe morëm përsipër reformën më të thellë, më sfiduese e më të dhimbshme në historinë e shtetit shqiptar. Reformën e reformave, sfidën e sfidave, përmbysjen e të gjitha përmbysjeve. Morëm përsipër aktin e dorëzimit të shpatës së drejtësisë, nga duart e pushtetit politik që e mbante atë shpatë qysh prej vitit 1912, në duart e një pushteti të ri, atij të drejtësië së çliruar e të pavarësuar me vullnetin tonë.
E bëra unë atë dorëzim jo se isha naiv, as se nuk e dija që ajo shpatë do të kërkonte koka në radhët tona, po sepse ishte e imja, e jona dhe e askujt tjetër, barra e asaj sakrifice të madhe politike, po njëkohësisht investimi të madh, strategjik dhe vendimtar, për të ardhmen demokratike dhe europiane të Shqipërisë. Ndërsa sot, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, vetë sistemi institucional i Shqipërisë po shfaq aftësi vetëpastrimi që s’i ka pasur kurrë, kjo është një arritje e madhe kombëtare, autorësinë e të cilës, ndjesë, po nuk e negocioj me askënd; është imja dhe e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli. Nuk e solli koha. As Amerika apo Europa. Ata ndihmuan po, madje shumë, por pa mua dhe Partinë Socialiste ata do kishin bërë të njëjtin Noc Rrok që bënë me qeveritë e mëparshme, deri ditën kur ne i hymë atij deti në këmbë - apo që po bëjne me disa qeveri të tjera rrotull në rajon.
Dhe padyshim, nuk e solli pavarësinë e drejtësisë PeDeja, sorrat, korbat e dështakzemërakët, që sot bërtasin “Korrupsion - Korrupsion - Korrupsion, na mbyti korrupsioni” dhe e shikojnë SPAK-un si armën e vetme fatale kundër meje, që i kam mundur e mundur në çdo zgjedhje, e që i mund në këto betejat e shpifura të arenës politike dhe mediatike te akuzave e të shpifjeve, sa herë u gënjen mendja se më zunë ngushtë e ma bënë gropën.
Po natyrisht, nuk është mundja e tyre që ma prish gjumin dhe asfare nuk është gjelfryrja e pulëkakarisja e tyre e rastit, arsyeja e këtij adresimi të posaçëm. Ky adresim lidhet me çka po ndodh me korrupsionin e me drejtësinë, e cila është një prej rezultateve historike të misionit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Arresti i Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! Ekspozimi i SHISH, dëm i madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal, korrupsioni po goditet (VIDEO)







