Buxheti i shtetit do të ndryshojë urgjentisht. Për këtë, qeveria zgjodhi rrugën e miratimit të një Akti Normativ, që ka fuqinë e ligjit, por duhet të miratohet domosdoshmërisht nga ana e Kuvendit brenda tre muajsh. Në këtë Akt, Këshilli i ri i Ministrave tregohet “bujar” me Presidentin e Republikës Bujar Nishani, të cilit ja rrit me 2 mijë lekë të reja pagën, nga 255 mijë, në 257 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, do të bëhen shkurtime të personelit buxhetor, në masën 930 vetë.
Sipas Aktit, të ardhurat, që ishin parashikuar nga Ekzekutivi berisha në masën 355.8 miliardë lekë, do të kalojnë në afro 322 miliardë, me ulje gati 10 për qind, nisur nga performanca shumë e dobët e Tatimeve dhe Doganave gjatë vitit. Sa u përket shpenzimeve, pavarësisht nga ulja e ndjeshme e të ardhurave, ato kalojnë nga 396.9 miliardë, në 405.4 miliardë lekë, me një rritje të lehtë në masën 2 për qind.
Në këto kushte, sikurse është parathënë ditët e fundit, deficiti buxhetor do të dyfishohet, duke kaluar nga afro 41 miliardë lekë, që parashikohej në ligjin fillestar të Buxhetit të Shtetit për vitin 2013, në më se 83.5 miliardë lekë ose rreth 600 milionë euro.
Me shkurtime rezultojnë fondet në favor të pushtetit vendor apo sigurimet shëndetësore, ndërkohë që fondi i shpenzimeve për sigurimet shoqërore ka rritje.
AUDITI
Qeveria ka përzgjedhur kompaninë ndërkombëtare Deloitte për t'i besuar detyrën e skanimit të financave publike. Sipas marrëveshjes, Deloitte do të paguhet me 85 mijë euro nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Në draftin që pritet të votohet së shpejti në Kuvend, është përcaktuar se Deloitte do të dorëzojë raportin final të auditimit dhe shifrën reale të borxhit publik brenda datës 30 nëntor.
OPOZITA
Nga ana e tij, në një prononcim për median, ish-kreu i Financave Ridvan Bode deklaroi se, ndërsa socialistët deklarojnë se i kanë gjetur financat e vendit në një situatë më të vështirë nga çfarë kishin parashikuar, gjatë qeverisjes së demokratëve ka patur rënie të përvitshme të kostos së borxhit publik dhe sufiçit të balancës primare të buxhetit. “Rama sulmon financat e vendit për të larë duart përfundimisht me premtimet elektorale që e sollën në pushtet dhe për të krijuar parajsën e grupeve që e rrethojnë”, – deklaroi Bode.
NDRYSHIMET NË BUXHETIN E SHTETIT PËR VITIN 2013
Të ardhurat
Ishin Bëhen
355.759 milionë lekë 321 919 milionë lekë
Shpenzimet
Ishin Bëhen
396.922 milionë lekë 321 919 milionë lekë
Deficiti
Ishte Bëhet
41.163 milionë lekë 83.489 milionë lekë
Buxheti vendor
Ishte Bëhet
29.503 milionë lekë 28.580 milionë lekë
Buxheti i sigurimeve shoqërore
Ishte Bëhet
84.360 milionë lekë 88.876 milionë lekë
Buxheti i sigurimeve shëndetësore
Ishte Bëhet
30.736 milionë lekë 28.934 milionë lekë
Numri i punonjësve buxhetorë
Ishte Bëhet
88.640 veta 87.710 veta
Borxhi
Ishte Bëhet
72.965 milionë lekë 101 018 milionë lekë
Shkrimi u publikua sot (10.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)