Kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën e cila pretendon se shembja e rrugës Librazhd-Pogradec, dëmtimi i bypassit të ri që është pjesë e Korridorit VIII, si dhe çarja e një sërë segmentesh të tjera në vend, janë pasojë e korrupsionit qeveritar, që shoqërohet me punime të cilësisë së ulët nga kompanitë kontraktore.

Përmes një videoje, që sipas kryeministrit Rama vjen nga Portugalia dhe ku duket një rrugë totalisht e shkatërruar, kreu i ekzekutivit thotë se "si ka mundësi që opozitat e këtushme nuk e kanë denoncuar akoma në SPAK këtë vepër të korrupsionit".

Numri një i qeverisë ironizon edhe analizat e ndryshme të bëra në studiot televizive, jo vetëm nga ekspertë të fushës por edhe njerëz që nuk janë kompetentë për të zbardhur shkaqet e dëmtmit të rrugëve në juglindje. "Nuk kanë thirrur gjithollogët e tyre që të jashtënxjerrin faktet e tmerrshme që fshihen nën asfaltin e këtij korrupsioni qeveritar."

Postimi i plotë i Edi Ramës:

Çudi e madhe, në Portugali ka ndodhur kjo nga të njëjtat fenomene, po s’po e marr vesh se mirë opozita portugeze është në gjumë, mirë edhe ato pak tenxhere mediatike të Portugalisë janë me temperaturë të ulët e s’ka vend për gjithë këtë rrugë të re, po si ka mundësi që opozitat e këtushme nuk e kanë denoncuar akoma në SPAK këtë vepër të korrupsionit dhe si është e mundur që 700 tenxheret e flakta të mexhelisit tonë mediatik, nuk kanë thirrur gjithollogët e tyre që të jashtënxjerrin faktet e tmerrshme që fshihen nën asfaltin e këtij korrupsioni qeveritar, ku padyshim është dora e narkoshtetit shqiptar!