Rama jep legalizimet në Kamëz:
Latë shtëpitë rrugëve për mitingje

Nga Kamza, një nga bastionet e Partisë Demokratike ku shpërndau 400 leje legalizimi, kryeministri Edi Rama ironizoi qeverinë e mëparshme, kur tha se banorët e kësaj zone kanë mbetur pa shtëpi pasi përdoreshin nga PD-ja vetëm për mitingje.

I vetëdijshëm se nuk është shumë i mirëpritur në Kamës, Rama tha se qeveria është e angazhuar që t’i trajtojë të gjithë banorët njësoj, pavarësisht bindjeve politike.

“Në këtë zonë unë jam njeriu më i sharë dhe i mallkuar në Shqipëri. Sepse prej 20 e kusur vitesh këtu nuk kanë lënë gjë pa thënë dhe nuk kanë lënë vesh pa futur fjalinë po votuat për atë do tju kthej andej nga erdhët. Kjo jo vetëm që s’po ktheheni por po bëheni pronar me të drejta të ligjshme dhe nuk jeni më mish për top për ata që ju trajtojnë si dele për të ngrënë bar mitingjeve. Si për çudi, kjo zonë është nga zonat me numrin më të ulët të legalizimeve që kanë bërë ata, sepse thjesht ju kanë parë si dele dhe ju kanë trajtuar si dele dhe përderisa si dele ua kanë marrë votën, pse duhet t’ju merrnin më seriozisht, s’kishin pse t’ju merrnin seriozisht," u shpreh ai.

Një ndër ata që morën leje legalizimi ishte edhe një i afërm i kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, i cili nuk ‘shpëtoi’ nga vëmendja e kryeministrit. Certifikata e pronësisë ishte në emër të Vesel Murat Mziut, por ishte nipi i tij ai që e mori. “S’po të pyes se çfarë e ke atë mikun tim…por s’po të pyes as se kur e ke bo aplikimin, se do ta ket bo baba…”, iu drejtua kreu i qeverisë Veselit, i cili pohoi dhe i dhuroi një buzëqeshje kryeministrit. “Atëherë boji të fala babes”, vijoi Rama, ndrësa si përgjigje morri: Të fala paç!

Kryeministri teksa iu referua 21 mijë legalizimeve të kryera gjatë 8 viteve të mëparshme tha se qeveria vetëm në 18 muaj ka kryer 40 mijë legalizime, ndërsa objektivi për vitin e ardhshëm është ai i 145 mijë legalizimeve dhe 200 mijë në përfundim të mandatit.

Por sipas Ramës, banorët e Kamzës “kanë mbetur pa shtëpi” siç tha ai, për shkak se janë marrë me mitingje.

“Kush do shkojë në miting nesër të vijë të marrë lejen. Të paktën të keni shtëpi se i latë shtëpitë rrugëve duke gjurmuar ata që ju mbajnë rrugëve. Ju lanë pa shtëpi që të luftoni me komunizmin, “ ironizoi Rama.

Më tej gjatë fjalës së tij, kryeministri u tha qytetarëve që me fillimin e vitit të ri ata nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në hipotekë, pasi këtë gjë do ta bëjë shteti për ta.
“Siç ka ardhur për shumëkënd mbrapsht vajtja në hipotekë sepse ka pasur vonesa, ka pasur edhe kërkesa për bakshish, është e pamundur të vazhdohet. Ashtu siç e kemi thënë që në fillim, lufta kundër korrupsionit është luftë për të bërë sistemin të tillë që njerëzit të mos kenë nevojë të paguajnë ose ata që i shërbejnë shtetit të mos kenë mundësi të marrin lekë. Siç ka ardhur ALUIZNI tek ju dhe jeni dëshmitarë vetë që ju ka ndihmuar të mbushni aplikimin, pasi ju ka bërë matjen atje, ashtu ALUZINI do të marrë këtë leje legalizimi, gjithë këtë dosjen e legalizimit, këtë do e merrni ju sot, ndërsa kopjen tjetër do ta marrë ALUIZNI, do të shkojë në hipotekë dosja dhe hipoteka do t’ju vijë juve në shtëpi S’keni nevojë fare të shkoni në hipotekë.” tha kreu i qeverisë.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë shpërndarjes së lejeve të legalizimit në Kamëz

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Kontrata e kabullit nënujor në Abu Dhabi në ‘Studio Live’, Bejtja: Një korridor më shumë për Shqipërinë! Çoçoli: për 3 vjet e kthen vendin në eksportues

Kontrata e kabullit nënujor në Abu Dhabi në ‘Studio Live’, Bejtja: Një korridor më shumë për Shqipërinë! Çoçoli: për 3 vjet e kthen vendin në eksportues